Rama: KKT po Xhamisë së
Namazgjasë, jo qendrës tregtare

Rama: KKT po Xhamisë së<br />Namazgjasë, jo qendrës tregtare
TIRANË - Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes me Këshillin Kombëtar të Territorit dha një konferencë për shtyp. Pasi theksoi barbarinë që i është bërë territorit në këto njëzet vitet e fundit, me dëme edhe të parikuperueshme, Rama theksoi se "jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tonë". Rama bëri të ditur se Berati, Gjirokastra dhe Kruja muzeale do të merren në mbrojtje nga qeveria dhe në to nuk do të bëhet më asnjë ndërtim. KKT konfirmoi sot nëpërmjet Ramës se i hap rrugën përfundimisht ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, por ka anuluar ndërtimin e godinës polifunksionale.

NDËRTIMET PA LEJE DUHET TË NDËRPRITEN NË GJITHË TERRITORIN
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, “gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ka pasur zhvillime urbane shumë të konsiderueshme dhe një pjesë e rëndësishme e këtyre zhvillimeve ka qenë të lidhura me lëvizje të mëdha demografike sikurse edhe me procese që herë me leje, herë pa leje janë zhvilluar nën një rrjedhë që duhet të ndërpritet”.

JA BARBARIA NË TERRITORIN SHQIPTAR KËTO 20 VJET
“Kemi ndotje e konsiderueshme të lumenjve, lagunave, ujrave të bregut, mbetje të ngurta të pakontrolluara, shkarkime të konsiderueshme në lumenj apo dhe direkt në det në segmente të rëndësishme. Shkurtime të furnizmit me ujë për shkak të ndërhyrjeve në rrjet, ndërhyrje në diga, që kanë ndryshuar rrjedhën dhe volumin, shpyllëzime të jashtëzakoshme për përmasën e gjelbër të Shqipërisë, shkaktuar nga zjarre dhe në kullota që ndikojnë në cilësinë e tokës....Si rrjedhojë e një urbanizimi të shpejtë, të pakontrolluar dhe kaotik, kemi pasoja si: humbjen e biodiversitetit, gjueti me peshkim të paligjshëm, tejkalim në përdorimin e burimeve ujore, nxjerrje të pakontrolluar. Ndërtimet e paligjshme sollën pasoja, sepse janë bërë në mënyrë barbare” analizoi Rama.

DEGRADIM NË ZONAT ARKEOLOGJIKE, TË PADENJA PËR NJË POPULL QË ASPIRON EUROPËN
"Degradim në zonat arkeologjike. Mungesë e plotë e pranisë së institucioneve. Në gjithë këtë tërësi problemesh, që nuk janë aspak të denja për një vend që zhvillon jetën e tij në mes të Europës, kemi një dukuri paralele; atë të pronave si pasojë e pronësisë së papërcaktuar mbi tokën, zotërimin e paligjshëm në pjesë të tëra të tokës, përkthyer në ndërtime asetesh të paligjshm, që kanë kërcënuar ndjeshëm të ardhmen dhe nga ana tjetër kanë vendosur në kushte tëvështira qendrat ekzistuese urbane.

"Është fakt që sikundër disa nga brigjet ku ka dëme të pariparueshme për rikthimin e plotë të gjendjes në normalitet si plazhi i Golemit, apo ndotje të rënda si në zona të Adriatikut është nga ana tjetër absolutisht e besueshme se jemi në kohë për ta ndalur këtë rrënim, që kjo inerci të vazhdojë e të prekë e shkatërrojë si një kancer pjesën tjetër të organizmit tone".

DO MARRIM NË MBROJTJE BERATIN, GJIROKASTRËN DHE KRUJËN, ASNJË NDËRTIM MË
"Trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh. Kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo proces për leje të reja për objekte individuale apo grup objeketesh për Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë dhe pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por dhe botërore. Por paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrënimit. Gjirokastra sot gjendet në listën e kuqe të UNESCO-s. Do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë botërore apo për të dalë përfundimisht jashtë. Berati dhe Gjirokastra janë pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Kemi detyrimin t’i mbrojmë me çdo mjet. Nëse vazhdohet kështu do të zhduken përfundimisht pas gërmadhave të rrënimit. Do përpihet e tëra nga ndërtesa betoni, që aktualisht po ngrihen".

"Për shkak të çorodisë dhe batërdisë së gjithë ndërtimeve me leje apo leje Kalaja e Krujës rrezikon dëmtim të parikuperueshëm të vlerave tësaj historike dhe fizikisht rrezikon të dëmtohet sa mos njihet më.  Duke qenë se jemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë përfaqëson Kruja ne kemi ngritur një hartë masash emergjente të mbrojtjes dhe plan rehabilitimi. Me vetëdije kemi vendosur të marrim në mbrojtje këto 3 qendra të trashëgimisë tonë kulturore. Nuk janë të vetmet masa. Shumë shpejt do ketë të tjera masa. Kurora e Tiranës do jetë në fokus. Vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë apo dhe kodra e kalasë ngjitur me të dëmtuar nga një batërdi asgjësuese. Të tjera pika të nxehta në territor sot gjenden nën kërcënim dhe do ketë të tjera masa. Për këtë do mbështetemi në institucione përgjegjëse", u shpreh Rama.

LIRIMI I RRUGËVE KOMBËTARE, I HEKURUDHËS TIRANË-DURRËS
"Shqiptarëve iu është cënuar siguria e jetës si qytetarë, iu është kërcënuar haptas ekonomia e tyre si popull, duke iu grabitur territore në rrugët kombëtare. Duhet lirimi i rrugëve kombëtare, të cilat i kanë bërë të  pazhvilluara në mënyrë të qëllimshme dhe burim rreziqesh dhe aksidentesh. Lirimi i trasesë Tiranë-Durrës ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme", tha Rama.

OK NDËRTIMIT TË XHAMISËSË NAMAZGJASË, ANULOHET GODINA POLIFUNKSIONALE
Dua të theksoj vendimin për ndryshimin e vendimit nr.2, 25.05.2013 lidhur me xhaminë e Namasgjasë për lejen zhvillimore komplekse dhe godinës polifunksionale në rrugën “George W. Bush”. KKT konfirmon pjesën e parë të kësaj leje por anulon pjesën e dytë të lejes. I japim rrugë përfundimisht objektit të kultit, por kemi këputur bishtin, godinën polifunksionale, që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit në një tjetër arsye, për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit. Nuk do ndërtohet asgjë tjetër përveç objektit të kultit.

BRENDA MANDATIT, NJË PLAN KOMBËTAR TË TERRITORIT
"Së fundi, fillimi i procesit për planin kombëtar. Legjislacioni ekzistues parasheh që Shqipëria të ketë një zhvillim me plan të përgjithshëm kombëtar. Ministria e Zhvillimit Urban është ngarkuar të bëjë këtë. Shqipëria, brenda këtij mandati dhe ne shpresojmë që deri në gjysmë të mandatit të ketë një plan kombëtar të territorit. 
Interesat private nuk do të vendosen më mbi interesat kombëtare dhe ato do të bëhen në funksion të zhvillimit".

PYETJE-PËRGJIGJE MES RAMËS DHE GAZETARËVE
"Duke shpresuar që salla është e denjë për t'u mikëpritur edhe prej imazhit të ri të saj, jam në dispozicionin tuaj për 3 pyetje", tha Rama para gazetarëve në fund të fjalës së tij.

Gazetar: Sot është ndërmarrë një aksion nga Policia e Shtetit për bllokimin e një ndërtese 16-katëshe në Tiranë. Pse më parë nuk është vepruar?
Rama: Siç e dëgjuat sot, KKT, ka marrë vendimet që me ligj ka në kompetencë të marrë. Brenda pak kohe, çështje orësh apo ditësh, qeveria do të marrë vendimin për ti hapur rrugë njën procesi që nuk ndalet më. Duke I bashkuar dikasteret në një task-force që do të ketë në zemrën e vetë, ketë plan dhe energjinë për zbatimin e ligjit. Ministria e Brendshme ka marrë një rol pasi ndërtimet pa leje janë vepër penale dhe me ligjin e ri, siç e kemi premtuar, shumë nga përgjegjësitë e shpërndara do të jenë përgjegjësi direkte e Policisë së Shtetit. Do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë kthim pas. Ne do të legalizojmë shtëpitë në zonat informale, që kanë ardhur për të ndërtuar një jetë më të mirë kur shteti nuk ishte në gjendje të bënte gjë për ta. Nga ana tjetër do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit, atë që është marrë me forcë, për t'u kthyer brigjeve të deteve tona atë që u është shkëputur me forcë. Ky aksion do të shtrihet deri kur rendi mbi territorin të jetë vendosur. 

Gazetar: A u diskutua rishikimin i projektit për Bulevardin e Tiranës?
Rama: Do të jetë pjesë e një mbledhjeje tjetër. Sot diskutuam për këto që thashë. Ne do të marrin të gjithë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimit të vendit. Ne do të bëjmë që zhvillimi i territorit të shkojë në interes kombëtar, e jo në atë të privatit. Epoka e të fortëve është mbyllur në 23 qershor dhe pas kësaj dite ka nisur një epokë e re dhe njerëzit do të gjykojnë punën tonë. 

Gazetar: Nëse brenda muajve të parë nuk do realizohet plani, çfarë do bëhet me drejtueset e reja?
Rama: Së bashku ti mbështesim institucionet dhe drejtuesit. Realizimi i planit apo jo nuk është fati i drejtuesve por i vendit tonë i buxhetit tonë.

Gazetar: Çfarë do të bëhet për këto ndërtimet që janë në proces legalizimi. Dhe partitë që nuk kanë marrë poste sipas marrëveshjes dhe është emëruar një nga partia G99?
Rama: Nuk ka asnjë zv/ministër nga ndonjë parti që quhet G99, por janë vendosur në atë që ata ofrojnë në bazë të programit tonë. Shikoni CV e zv/ministrit që kemi vendosur aty dhe ne kemi kërkuar që të jetë pjesë e grupit të rimëkëmbjes së vendit tonë.
 
Redaksia Online
(mag/ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Goditja e organizatës kriminale të Suel Çelës, SPAK: Publikimi i dosjes dëmton procesin hetimor

Goditja e organizatës kriminale të Suel Çelës, SPAK: Publikimi i dosjes dëmton procesin hetimor