Rama-Kokëdhima prekin fundin
"Shekulli" jep arsyet e ndarjes

Rama-Kokëdhima prekin fundin<br />
Marrëdhënia mes kryeministrit Rama dhe ish-deputetit Koço Kokëdhima duket se ka prekur fundin. Gazeta “Shekulli”, pronë e ish-deputetit Kokëdhima këtë të hënë ka pasur si kryeartikull një analizë, ku renditen edhe arsyet e ndarjes mes Kokëdhimës dhe Ramës. Duke kujtuar armiqësinë e Kokëdhimës me ish-kryeministrin Nano, shkruesi i analizës në gazetën e ish-deputetit thekson se është kryekëput e njëjta situatë.

Në kryeartikullin e gazetës së Kokëdhimës theksohet gjithashtu se kjo ndarje ka ardhur për arsye politike dhe jo për interesa personale të ish-deputetit. Madje theksohet se që kur Rama është bërë kryeministër, gjithnjë e më shpesh nuk po shikon siç duhet, se ku mund të dëmtohen interesat e vendit. Jo vetëm të vendit, por edhe ato të së majtës shqiptare.

Po të ishte interesi privat, pse mos ta qepte gojën Koço, të vazhdonte ta mbante mirë me Ramën dhe të rrinte si aga në vend të agait? Nga sa shihet, në vend që të dy miqtë, Kokëdhima-Rama, të qëndronin bllok bashkë si në të kaluarën, hendeku i tyre sa vinte dhe thellohej për arsye katërcipërisht ideologjike. Nuk ishte ai hendek i llojit vulgar në Shqipëri, ‘s’më plotësove këtë interes dhe unë të kthej kurrizin’. Koço Kokëdhima, po t’u besosh analistëve si Baze dhe Fevziu, po dhe shumë të tjerëve, mjafton të hapte gojën dhe kishte gjithçka si në një pjatancë nga kryeministri. Atëherë pse ia komplikonte vetes gjërat Kokëdhima, po të mos kishte arsye që i tejkalonin interesat e vogla personale? A s’ishte kjo këmbëngulje për diçka më të lartë që e bëri Kokëdhimën armik me Nanon kryeministër, qëkur ky filloi të tradhtojë interesat e njerëzve duke u përpjekur të fusë plehrat e jugut të Italisë në Shqipëri? A nuk ishte kjo arsyeja që e shtyu Kokëdhimën të kundërshtonte krejtësisht i vetëm Nanon dhe Berishën në një tjetër dosje të nxehtë, koncesioni i Rinasit, dhe gjithnjë në emër të mbrojtjes së sovranitetit të vendit?
Është kryekëput e njëjta dinamikë që po e largon gradualisht Kokëdhimën nga Rama në këto momente. Që kur ky është bërë kryeministër, Rama gjithnjë e më shpesh nuk po shikon siç duhet, sipas këndvështrimit të Kokëdhimës, se ku mund të dëmtohen interesat e vendit. Jo vetëm të vendit, por edhe ato të së majtës shqiptare
”.

Në analizën e botuar në gazetën Shekulli theksohet se arsyeja e largimit mes Ramës dhe Kokëdhimës është politike dhe se e ka zanafillën në platformën e Kokëdhimës për Reformimin e Partisë Socialiste. Sipas shkruesit të analizës, lidershipi i PS-së e eliminoi këtë platformë, duke mosdashur demokratizimin e partisë, por për të vijuar me monopolin e pushtetit. 

“Në fakt, platforma e Kokëdhimës s'kishte asgjë "revolucionare". Thjesht ai thoshte se nuk mund t’i rifitojmë më zgjedhjet duke vazhduar me korrupsion dhe shitje të posteve të punës, me sekserë kullotash, legalizimesh e shërbimesh të tjera, që janë detyrë e organeve publike dhe jo treg për ndërmjetës të paskrupullt. Kokëdhima kërkonte po ashtu hapje, gjithëpërfshirje dhe zgjerim të PS-së, përtëritje dhe demokratizim në radhët e saj. Andaj Kokëdhima insistonte për çlirimin e strukturave dhe organeve drejtuese të partisë nga fiktiviteti, kalbëzimi, arbitrariteti, atrofizimi. Ishte arritur në një marrje safi peng të partisë nga disa drejtues të saj që e trajtonin PS-në si ta kishin pronë private...

Kokëdhima, siç i thashë pas një anketimi që bëra vetë, po bëhej kështu, pa dashje, nismëtari i një modeli zgjedhjesh primare në bazën e partisë. Një frymë që vjen nga Amerika, por që po përfshin dhe jetën politike në Europë. Në atë pikë, saqë dhe vetë presidenti francez do t'i nënshtrohet bazës së PS-së franceze për zgjedhje primare. Por te partia e Ramës, një evolucion i tillë duket si një herezi e vërtetë. E megjithatë, ç'interes tjetër përveç atij kolektiv kishte Kokëdhima ta impononte këtë sistem zgjedhjesh paraprake në bazë, i cili po të hyjë në fuqi do të shtrihet deri në Malësi të Madhe, shumë larg gjirit të Vlorës?...

Kjo divergjencë lidhur me reformimin e Partisë Socialiste mund të jetë arsyeja më e rëndësishme e largimit të Ramës nga Kokëdhima. E them këtë bazuar te fakti pse Rama de facto zëvendësoi Kokëdhimën si drejtues në qarkun e Vlorës me Mimi Kodhelin vetëm 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësim që përballë peshës reale të Kokëdhimës në qark u anulua, megjithëse me vonesë, gati katër javë më vonë. Janë gjithë këto elemente divergjencash të njëpasnjëshme që e bënë çdo ditë e më të dukshëm hendekun ideologjik midis kryetarit të PS-së, Rama, dhe Kokëdhimës...”.

Edhe pse nuk gjeti mbështetjen e Partisë Socialiste, Kokëdhima nuk hezitoi ta zbatojë platformën e tij në Jugun e vendit me inicativë personale dhe pa pëlqimin e drejtuesve të partisë dhe vetë kreut te PS-së. 

“Në mungesë debati dhe interesi nga lart, Kokëdhima e zbatoi modelin e tij reformues në Vlorë, domethënë në bazë. Gjë që krijoi në mënyrë të paevitueshme përplasje. Por përplasja Kokëdhima-Ruçi më kot u interpretua si një ambicie e supozuar e Kokëdhimës për postin e Ruçit. Në thelb, nuk ishte një garë për një post, por një debat i mirëfilltë politik, ideologjik dhe organizativ për rivitalizimin e PS-së duke e pajtuar atë me bazën”. 

Më tej në analizë shkruhet se në goditjen “pas shpine” që iu bë Kokëdhimës me heqjen e mandatit mund të jetë edhe kryeministri Rama. Kjo pas divergjencave mes tyre për çështje madhore. 

“...Nuk është sekret se mandati i Kokëdhimës u godit politikisht dhe aspak juridikisht. Në këtë goditje pas shpine që iu bë atij, nuk është e ndaluar të mendohet se rolin kryesor mund ta ketë luajtur lidershipi i PS-së. Kur e gjithë Shqipëria e pranon sot se e gjithë drejtësia është nën influencë politike, përsa Gjykata Kushtetuese do t'i kish shpëtuar një mëkati të tillë? Por, jam i bindur se thelbi i ftohjes së Kokëdhimës me një pjesë të Kryesisë nuk rezulton aty, por në ata çka parashtrova më sipër. E sidomos në atë çka erdhi më mbrapa”.

Një tjetër nënçështje e kësaj analize është edhe debati mes Ramës dhe Kokëdhimës për ndryshimet kushtetuese, që sipas shkruesit është edhe kulmimi i ndarjes mes tyre. 

Por në analizën e gjatë për marrëdhinien mes kryeministrit Rama dhe ish-deputetit Kokëdhima janë lënë mënjanë edhe shumë argumente që duket se kanë ndikuar më tepër se sa angazhimi politik i Kokëdhimës. Konflikti i parë mes tyre nisi pasi ish-depueteti po tentonte të krijonte një organizim të ri në Jugun e vendit me njerëz të tij duke shmangur totalisht rolin e drejtuesve të Partisë Socialiste.

Sepse pikërisht sistemi primar i përzgjedhjes së kandidatëve i propozuar nga Kokëdhima, siç bëri me ata të bashkive në zgjedhjet e 21 qershorit të një viti më parë, të njëjtën gjë do të bënte edhe me kandidatët e parlamentareve të 2017-ës. Pra, duke futur në lista miqtë, klientët dhe bashkëpunëtorët e tij. Një strategji kjo që shmang në thelb strukturat bazë të partisë duke e orientuar procesin drejt një individi që merr vendime pa mandat. 

Gjithashtu, ai vazhdimisht është akuzuar se ka dashur të përfitojë të gjithë tenderët dhe projektet në jug të vendit, saqë analistë të ndryshëm e kanë cilësuar edhe si Pashai i Jugut. Në të gjitha postet drejtuese të institucioneve në qarqet e Jugut, mediat etiketonin vazhdimisht se ishin vendosur njerëz të besuar të Kokëdhimës, të cilët në çdo rast komandoheshin prej tij.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois