Rama:Korça duhet të zgjedhë
mes së ardhmes apo kthimit pas

Rama:Korça duhet të zgjedhë<br />mes së ardhmes apo kthimit pas
TIRANE- Beteja për bashkinë e Korçës do shënojë aktin e fundit sot, teksa dy partitë e blloqet politike do të jenë në mitingun përmbyllës, për të kaluar në heshtje elektorale e të dielën në zgjedhje.

“Të dielën Korça duhet të votojë sërish për të zgjedhur mes vazhdimit të projektit të Nikos tanimë me mbështetjen e fuqishme të qeverisë së re të PS-LSI dhe kthimit pas, në rrugën e humbur të Partisë Demokratike - mes Sotiraq Filos, njeriut që në krah të Niko Peleshit ndoqi plot projekte dhe tanimë ka në dorë gjithë planin e punës për të ardhmen, dhe një tjetri që s'mund t'i ofrojë Korçës asgjë më shumë se politikat e dështuara të humbësve të 23 qershorit.”- shkruan sot në mëngjes kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së në një postim në facebook. Ai paralajmëron praninë e tij në Korçë në  mbylljen e fushatës zgjedhore në orën 17:00.

rama

(Ne foto: Postimi i Rames sot ne facebook)

PRITET TE SHKOJE DHE BASHA
Rama do të jetë në Korçë, ndërsa pritet të shkojë edhe Basha. Dita e fundit përmbyllëse e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore për kreun e bashkisë së Korçës, pas dorëheqjes së Niko Peleshit përfaqësues i PS dhe emërimit të tij si numri dy i qeverisë, mbyllet sot.

Të dyja blloqet politike pas një “dueli” të gjatë dhe përballjeje kandidatësh për postin e lënë vakant nga Peleshi, pritet që ditën e sotme të organizojnë mitingjet përmbyllëse në funksion të fitores në këtë garë, e cila është e rëndësishme për vetë rëndësinë që ka qyteti juglindor. Duket se socialistët kanë vendosur ta luajnë fort dhe ditën e fundit në funksion të fitores pavarësisht se të gjitha “bastet” politike favorizojnë kandidatin e së majtës, Sotiraq Filo përballë Sotiraq Stratobërdhës, kandidatit të së djathtës në këto zgjedhje.

Ndërkohë që këto zgjedhje janë dhe një test për qeverisjen e Ramës në këtë periudhë, një test dhe për mbështetjen që ka lënë numri dy i qeverisë Niko Peleshi në Korçë, por janë dhe një test për kreun demokrat Lulzim Basha, në të parin ballafaqim elektoral të tij, si kryetar i PD dhe opozitës. Pra do të shërbejë si një verifikim zgjedhor për Ramën dhe për Bashën.

Në përmbylljen e kësaj fushate, do jetë në qytetin juglindor dhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili do të flasë në tubimin përfundimtar të kësaj fushate, në mbështetje të kandidatit të majtë Sotiraq Filo. Një përfshirje e pazakonte e kryetarit të së majtës Rama në mitingun përmbyllës të zgjedhjeve të pjesshme, pasi deri më tani asnjëherë nuk ka marrë pjesë në asnjë rast kur ka pasur zgjedhje të pjesshme vendore gjatë këtyre tetë viteve.

Nuk është konfirmuar pjesmarrja e aleatit të madh të Ramës në qeverisje, kreut të LSI Ilir Meta, por partia e tij ka bërë me dije se do ta mbështesë fort kandidatin e së majtës, Sotiraq Filo pasi ai është kandidati vetëm i Aleancës për Shqipërinë Evropiane. I cili përpos mbështetjes së PS, LSI dhe partive të tjera të koalicionit të majtë ka marrë dhe mbështetjen e FRD të drejtuar nga Bamir Topi dhe të demokristianëve të Nard Ndokës, të cilët kanë dhënën garanci për mbështetje në zgjedhjet e pjesshme vendore të ditës së dielë.

Në të cilën pritet të ketë një pjesmarrje jo fort të madhe, që prezantohet gjithnjë në zgjedhjet e pjesshme vendore. Nga ana tjetër pritet që ditën e sotme të zbarkojë në qytetin e Korçës dhe kreu i PD Lulzim Basha, me deputetët e kësaj zone dhe përfaqësuesit më të lartë në drejtimin e PD në qendër.

Ndërkohë mësohet se aleatët do të jenë me pikatore në mbështetje të kandidatit të PD, teksa në mënyrë zyrtare një nga aleatët e PD në opozitë, kreu i PDK Nard Ndoka ka bërë të qartë se do të mbështesë me vota në zgjedhjet për kreun e bashkisë së Korçës ditën e dielë kandidatin e së majtës në pushtet, Sotiraq Filo.

Po kështu dhe Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga Bamir Topi madje me vendim kryesie ka bërë të qartë mbështetjen e FRD për kandidatin e majtë Filo, e materializuar ditën e djeshme nga dalja e përbashkët e numrit dy të qeverisë Niko Peleshi dhe numrit dy të FRD Gazmend Oketa në qytetin e Korçës në mbështetje të kandidatit socialist.

Redaksia Online
(sg/jm/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit