Për kryeministrin Edi Rama, kriza në politikën shqiptare është artificiale. Ai deklaroi se tashmë vendi ynë është në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, në implementimin e rekomandimeve të OSBE-së.
-Zoti Kryeministër, ju e konsideruat moment historik marrjen e presidencës, por kushtet në të cilat marrim këtë presidencë nuk janë dhe aq të favorshme sikurse në Tiranë keni marrë me vete një krizë të fortë politike, lini pas gazetarë të pakënaqur për ligjin e ri të mediave që janë dhe themelet kryesore të asaj çfarë përfaqëson OSBE-ja. Si do ta kapërceni këtë handikap nëse mund të konsiderohet kështu për të qenë pak më komod ndoshta dhe Shqipëria teksa i drejtohet 56 vendeve të tjera anëtare të OSBE-së.
Kryeministri Edi Rama: Në raport me këtë mision, unë e them pa asnjë zbukurim, ne nuk jemi komod, jemi super komod, jemi super krenarë që kemi ndërmarrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot është në një pozicion të tillë që është dhe një vlerësim padiskutim, gjë që e relativizon shumë pikturën e krizës dhe të pakënaqësisë politiko, mediatike të Tiranës. Gazetarët e pakënaqur me ligjin, duhet të lexojnë ligjin, por kjo nuk është një çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetar i qeverisë dhe i maxhorancës, unë them që jemi të gatshëm dhe të ofrojmë kushte, salla leximi, asistencë teknike për lexim që kush është i pakënaqur nga ligji, të lexojë ligjin sepse pakënaqësitë e ekspozuara mua dhe ne na kanë treguar se vijnë si rezultat i mos leximit të ligjit.
Për sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, faktikisht është e tejkaluar fjala “e madhe”. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, me, pikërisht, implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që, nuk mendoj që në këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Absolutisht!
-Me kë jeni në një linjë zoti Rama sepse opozita po punon për hesapin e saj një draft për reformën zgjedhore, i cili nuk ka lidhje në pikat kryesore fare me atë çfarë po punon komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore?
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të evitoj pyetjen, se nuk e kam problem, por, nuk besoj që keni bërë të gjithë këtë udhëtim deri këtu për të më pyetur për gjëra që mund të më pyesni lehtësisht në Tiranë.
-Për shkak se edhe zoti Greminger u ofrua për të ndërhyrë për zgjidhjen e kësaj krize që mund të ketë zgjidhje nga reforma zgjedhore, prandaj është dhe pyetja.
Kryeministri Edi Rama: Unë ju thashë që, ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur - ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, - dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë.
Lajmi kryesor: