Kërcënimet e Iranit/ Rama nga Vjena: Jemi në duar të sigurta! Miratojmë 'zgjedhoren' me opozitën sipas OSBE-së

VJENE - Për kryeministrin Edi Rama Shqipëria nuk ka arsye të ndihet e rrezikuar nga konflikti që ka shpërthyer mes Iranit dhe SHBA-ve. Pranimi në vendin tonë i opozitës iraniane kundër regjimit, MEK, nuk është një vendim politik, por humanitar për të strehuar njerëz që i rrezikohej jeta në atdhe, tha Rama. Kreu i qeverisë nga Vjena, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e Shqipërisë, tha se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet e padiskutueshme dhe se nga kontaktet permanente me aleatët dhe informacioneve të inteligjencës amerikane, nuk ka asnjë rrezik. "Jemi në duar të sigurta", tha kreu i qeverisë. "Nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë. Jemi të angazhuar në përditshmëri për këtë proces", theksoi ai.

Kreu i qeverisë deklaroi se do të zhvillojë edhe një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Rusi dhe Ukrainë, si pjesë e axhendës të drejtuesit të OSBE

Për Ramën, Shqipëria nuk është një vend me krizë politike, kur foli me tone mjaft pozitive në miratimin së shpejti të reformës zgjedhore. Kreu i qeverisë tha se kjo do të realizohet edhe me opozitën që tashmë ka dalë jashtë parlamentit pas djegies së mandateve dhe bazë të saj do të ketë rekomandimet e OSBE/ODIHR.

"Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, pikërisht implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE. Kështu që nuk mendoj që në këtë familje vendesh (OSBE) përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Ajo që është fakt është që opozita ka shprehur dhe ju e keni dëgjuar, me të dëgjuar e kam edhe unë se nuk kam takuar njeri, dakordësinë për t'u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë, për rekomandimet e OSBE. Kemi një bosht objektiv që nuk kemi nga luajmë as njëra palë as tjetra. Kjo është një bazë e mirë", u shpreh Rama.

Nësë shohim përtej kësaj deklarate, veç lajmit të shumëpritur të miratimit të zgjedhores, si një nga 9 kushtet e Bundestagut gjerman për integrimin e Shqipërisë në BE, ndër rreshta lihet të kuptohet se reforma do të miratohet pa opozitën e re që u fut në Kuvend nga listat e PD dhe LSI. Kjo pasi, opozita parlamentare kërkon ndryshimin e sistemit, dhe kalimin në lista të hapura, të cilat nuk janë ndër rekomandimet e OSBE/ODIHR. 

Shefi i mazhorancës ndodhet në Vjenë ku pa nga afër zyrat qendrore të OSBE-së dhe u njoh me stafin shqiptar në këtë vit të rëndësishëm që për herë të parë, Shqipëria merr zyrtarisht nesër  Presidencën e OSBE dhe do ta drejtojë atë përgjatë vitit 2020. A do të jetë anëtarësimi i Kosovës në OSBE, prioritet i qeverisë shqiptatare tashmë që merr kryesimin e Presidencës? Rama dha një përgjigje të cilës nuk i mungoi ironia: 

'Do të bëjmë të gjithë që kemi planifikuar, nuk e marrim drejtimin e OSBE për të rishpikur OSBE as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse vërtetë jemi drejtues të organizatës, por është një drejtim që është shumë koordinim me të tjerët dhe vendimmarrje që duhen miratuar patjetër nga të tjerët. Ne kemi disa ambicie, kemi vendosur disa prioritete, kemi qenë të vëmendshëm të mos vendosim prioritete që janë dëshira por të parealizueshme, dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur të bëjmë diçka edhe për Kosovën, aq më tepër që në Prishtinën zyrtare jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar".

18 nga punonjësit në zyrën e OSEE janë shqiptarë ose 60% dhe 12 janë të huaj ose 40% e stafit prej të cilëve 2 italianë, 2 gjermanë, 2 norvegjezë, një austriak, një zviceran, etj. Kryeministri, njëkohësisht dhe Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, si dhe Kryetar i OSBE-së Edi Rama, do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë më 9 janar në Vjenë. 

“Vizioni ynë për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020 udhëhiqet nga tre objektiva të rëndësishme, përqendrimi në baza duke zbatuar së bashku dhe me mirëbesim, tërësinë e angazhimeve tona politike, ndryshime në terren, qoftë këto në parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti, monitorimit të zgjedhjeve ose mbështetjen e reformave, apo përmirësimit të sigurisë dhe prosperitetit të qytetarëve tanë dhe duke vazhduar forcimin e dialogut të frymëzuar nga 30-vjetori i Marrëveshjes së Parisit”, - tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
Kosova/ Rama: Do bëj diçka tani që në Prishtinë jam tradhtar dhe në Beograd nacionalist...Nuk do rishpikim OSBE-në

Kryeministri Edi Rama ironizoi deklaratat e liderëve politikë në Kosovë lidhur me rolin në minishengenin-ballkanik, teksa u shpreh se gjatë presidencës së OSBE-së duhet të bëjë diçka për Kosovën, duke qenë se tani në Prishtinë është nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar.

"Do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi planifikuar dhe ju thashë nuk e marrim drejtimin e OSBE-së për të rishpikur OSBE-në, as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse, faktikisht, vërtet jemi drejtues të organizatës për një vit, por është një drejtim që është shumëkoordinim me të tjerë dhe vendimmarrje që duhet patjetër miratuar nga të tjerët. Pra, nuk është një drejtim i një qeverie në një vend. Në këtë aspekt, sigurisht që ne kemi disa ambicie. Kemi vendosur disa prioritete. Kemi qenë të vëmendshëm që tek vendosja e prioriteteve të mos vendosim prioritete që janë dëshira, por të parealizueshme dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur që të bëjmë diçka dhe për Kosovën, aq më tepër tani që unë në Prishtinën zyrtare jam “tradhtar”, në Beogradin zyrtar jam “nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”. Kështu që, në këtë aspekt, besoj që kam një pozicion që mund të më shërbejë si chairman in office i OSBE-së", tha Rama.

Ora 17:16
Paketa anti-shpifje/ Rama: OSBE e ka miratuar plotësisht! Ofrojmë asistencë për ata që nuk e kanë lexuar ligjin

Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët lidhur me paketën anti-shpifje të kaluar në Kuvend. Rama izonizoi pakënaqësitë lidhur me këtë paketë, duke thënë se ato vijnë prej atyre që nuk e kanë lexuar ligjin. "Në raport me këtë mision ne nuk jemi komod por superkomod, superkrenarë që kemi marrë këtë përgjegjësi kaq të madhe që Shqipëria ka marrë sot këtë drejtim, gjë që e relativizon pikturën mediatke në Tiranës. OSBE e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament. Ofrojmë kushte dhe asistencë për ata që janë të pakënaqur me ligjin, që të lexojnë ligjin, pasi jam i bindur se ankesat vijnë nga ata që nuk e kanë lexuar ligjin", tha Rama.

Ora 17:14
Rama paralajmëron vizita në Rusi, SHBA dhe Ukrainë: Janë pjesë e detyrës si drejtues të OSBE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do të zhvillojë vizita në Ukrainë, Rusi dhe SHBA si pjesë e detyrimeve të drejtuesit të OSBE-së.

"Vizita në Rusi është pjesë e axhendës së drejtuesit të OSBE-së dhe është pjesë e angazhimeve që unë kam marrë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit kemi bërë dhe harmonizimin e angazhimeve me ministrin në detyrë për të balancuar obligimet e OSBE-së me obligimet e brendshme dhe janë disa vizita që do bëhen shumë shpejt. Praktikisht më të shpejtat janë vizitat në Ukrainë, në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi. Tani, për datat, ne presim konfirmime nga të gjitha palët sepse duhen rakorduar me të gjitha palët". tha Rama.

Ora 17:12
Rama: Kriza në Shqipëri artificiale, jemi në rrugën e duhur për reformën zgjedhore

Për kryeministrin Edi Rama, kriza në politikën shqiptare është artificiale. Ai deklaroi se tashmë vendi ynë është në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, në implementimin e rekomandimeve të OSBE-së.

-Zoti Kryeministër, ju e konsideruat moment historik marrjen e presidencës, por kushtet në të cilat marrim këtë presidencë nuk janë dhe aq të favorshme sikurse në Tiranë keni marrë me vete një krizë të fortë politike, lini pas gazetarë të pakënaqur për ligjin e ri të mediave që janë dhe themelet kryesore të asaj çfarë përfaqëson OSBE-ja. Si do ta kapërceni këtë handikap nëse mund të konsiderohet kështu për të qenë pak më komod ndoshta dhe Shqipëria teksa i drejtohet 56 vendeve të tjera anëtare të OSBE-së.

Kryeministri Edi Rama: Në raport me këtë mision, unë e them pa asnjë zbukurim, ne nuk jemi komod, jemi super komod, jemi super krenarë që kemi ndërmarrë këtë përgjegjësi kaq të madhe dhe që Shqipëria sot është në një pozicion të tillë që është dhe një vlerësim padiskutim, gjë që e relativizon shumë pikturën e krizës dhe të pakënaqësisë politiko, mediatike të Tiranës. Gazetarët e pakënaqur me ligjin, duhet të lexojnë ligjin, por kjo nuk është një çështje e OSBE-së. OSBE-ja e ka miratuar plotësisht draftin që ka kaluar në parlament dhe si kryetar i qeverisë dhe i maxhorancës, unë them që jemi të gatshëm dhe të ofrojmë kushte, salla leximi, asistencë teknike për lexim që kush është i pakënaqur nga ligji, të lexojë ligjin sepse pakënaqësitë e ekspozuara mua dhe ne na kanë treguar se vijnë si rezultat i mos leximit të ligjit.

Për sa i përket pjesës së krizës së madhe politike, faktikisht është e tejkaluar fjala “e madhe”. Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, me, pikërisht, implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE-së. Kështu që, nuk mendoj që në këtë familje prej 57 vendesh përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Absolutisht!  

-Me kë jeni në një linjë zoti Rama sepse opozita po punon për hesapin e saj një draft për reformën zgjedhore, i cili nuk ka lidhje në pikat kryesore fare me atë çfarë po punon komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të evitoj pyetjen, se nuk e kam problem, por, nuk besoj që keni bërë të gjithë këtë udhëtim deri këtu për të më pyetur për gjëra që mund të më pyesni lehtësisht në Tiranë.

-Për shkak se edhe zoti Greminger u ofrua për të ndërhyrë për zgjidhjen e kësaj krize që mund të ketë zgjidhje nga reforma zgjedhore, prandaj është dhe pyetja.

Kryeministri Edi Rama: Unë ju thashë që, ajo që është fakt është që, opozita ka shprehur - ju e keni dëgjuar, se edhe unë me të dëgjuar e kam, se nuk e kam me të takuar, - dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. E në këtë rast kemi një bosht shumë objektiv që s’kemi nga luajmë as njëra palë dhe as pala tjetër dhe kemi dhe ODIHR-in që fare mirë mund të na ndihmojë për të thënë është kështu, apo është ashtu. Kështu që kjo është një bazë e mirë.  

Ora 17:03
Konflikti Iran-SHBA/ Rama: Jemi në duar të sigurta..Nuk ka arsye të ndihemi të rrezikuar

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka arsye të ndihet e rrezikuar nga konflikti SHBA- Iran. Rama tha se pranimi në vendin tonë i opozitës iraniane kundër regjimit, nuk është një vendim politik, por humanitar për të strehuar njerëz që i rrezikohej jeta në atdhe, duke pasur parasysh se vendi ynë ka qenë për disa vite nën regjimin dikatorial.

-Ne për herë të parë  marrim kryesimin e OSBE-së. Ju keni parashtruar dhe disa nga sfidat kryesore që do ketë Shqipëria gjatë këtij kryesimi. Ndër to është dhe çështja e Ukrainës. Cilat do të jenë lëvizjet tuaja konkrete për të arritur negociatat me palët atje për të siguruar një klimë më miqësore?

"Kjo është një arritje fantastike e Shqipërisë duhet thënë. Kjo organizatë është formuar 45 vjet më parë dhe Shqipëria ka qenw jo vetwm vendi i vetëm europian që e refuzoi, por dhe e goditi pa mëshirë që në krijim dhe sot ne jemi me gjithë këtë përgjegjësi për të drejtuar OSBE-në. Natyrisht që nuk jemi të thirrur që të rishpikim OSBE-në apo të rishpikim mekanizmat e OSBE-së, por të çojmë përpara një përpjekje që nuk fillon me ne, nuk mbaron me ne, që bazohet mbi konsensusin në çdo hap. Konsensusi i 57 vendeve, më shumë se 1 miliardë njerëzve, që kuptohet që është një proces jashtëzakonisht kompleks sepse duhet të bien dakord që të gjithë, ndërkohë që për vendet dhe zonat ku ka konflikte dhe ku ka çështje për të trajtuar, përgjithësisht janë dhe vetë anëtarë, kështu që dhe interesat divergjente janë pjesë. Megjithatë, ne kemi bërë shumë punë për detyrat e shtëpisë, për t’u përgatitur. Dhe ministri në detyrë dhe ambasadori kanë bërë një volum pune të madh, dhe skuadra që është ngritur enkas për këtë mision special të një viti ka përballuar një volum të madh pune dhe do të bëjmë më të mirën tonë. Nuk pretendojmë të zgjidhim nyje që nuk janë zgjidhur me vite të tëra, por të ndihmojmë në progresin për zgjidhjen e tyre". 

Zoti Kryeministër, do të keni një angazhim tashmë në një konflikt të ri që duket në Lindjen e mesme mes SHBA-ve dhe Iranit dhe a rrezikon Shqipëria për shkak të marrjes së muxhahedinëve? A është më e ekspozuar, a ka nivel të shtuar të sigurisë në vendin tonë për këtë çështje?

"Kjo është një temë dhe është një çështje që nuk është e re për ne, në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën traditës shqiptare, që është në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme, të padiskutueshme me Shtetet e Bashkuara, për të mikpritur apo për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. E siç shkruhet dhe në marrëveshjen që ne kemi bërë, ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar, jo politik, humanitar. Ndërkohë që patjetër, ne kemi jetuar në diktaturë, po flisnim pak më përpara dhe ne e dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat, si veprojnë regjimet totalitare e sa janë të obseduar për të kontrolluar gjithçka e për të mbytur çdo zë kundra dhe për të asgjësuar mundësisht çdo kundërshtar në gjithë globin. Shqipëria e diktaturës ishte një vend shumë i vogël me resurse shumë minimale në raport me Iranin dhe kishte një kundërspiunazh të jashtëzakonshëm që vepronte në gjithë zonat e në gjithë pikat ku kishte armiq të regjimit, armiq të brendshëm siç quheshin. Megjithatë, unë nuk besoj që kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë, pikërisht sepse ne jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna tek inteligjenca, besoj që ata janë të pa konkurrueshëm botërisht dhe si të thuash, në këtë rast, ne jemi në duar të sigurta kur është fjala tek marrja e informacionit dhe nuk kemi arsye objektive të besojmë që ka një ekspozim të veçantë, por nga ana tjetër sigurisht që jemi të angazhuar dhe jemi si të thuash, të angazhuar në përditshmëri për këtë proces, patjetër". 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori