Rama kundër DHAT: Ç'ndodh
në SHBA kur nuk jep kupon?

Rama kundër DHAT: Ç'ndodh<br />në SHBA kur nuk jep kupon?
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e këshillit kombëtar Ekonomik Kombëtar ka pasqyruar rezultatet e operacionit kundër informalitetit dhe aksionit që ka ndërmarrë qeveria në këtë drejtim. Kreu i qeverisë  u është përgjigjur edhe kritikave të bëra në adresë të këtij aksioni nga Dhoma Amerikane e Tregtisë e cila pak ditë më parë ka deklaruar se ky aksion do të falimentojë bizneset dhe se është ndërmarë pa u konsultuar me grupet e Interesit..Në fjalën e tij kreu i Shtëtit duke veçuar mungesën e përfaqësuesit të DHAT në mbledhjen e Këshillit i kujtoi atyre se çfarë ndodh në amerikë nëse nuk jepet kuponi tatimor ose nëse nuk je i pajisur me kasë fiskale.

“Më vjen keq që nuk e shoh këtu përfaqësuesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sepse do të kisha parapëlqyer që ta shikoja në sy dhe t’i thosha se përpara sesa të bëjë deklarata pas deklaratash, duke iu kundërvënë këtij operacioni dhe duke folur për masat e rrepat të qeverisë si masa penguese, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë i ndodh në SHBA, dikujt që kapet me evazion apo që kapet duke shitur pa lëshuar faturë tatimore. Pasi t’ia tregojë shqiptarëve këtë, atëherë le të vazhdojë të na tregojë neve se ç’duhet të bëjmë më mirë.”, ka nënvizuar kryeministri. 

Lidhur me rezultatet konkrete të kësaj lufte Rama tha se që nga nisja e operacionit janë kryer 94 mijë kontrolle në të gjithë vendin, mijëra subjekte janë regjistruar në mënyrë vullnetare dhe janë lidhur 17 mijë kontrata të reja fiskale. Ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar, ndërsa xhiroja e deklaruar është rritur me 52 për qind, çka tregon sipas tij se potenciali i rezultateve të aksionit duhet ende të dalë. 

"Faktikisht, përveç gjithë fluksit të vetë regjistrimeve që ka qenë shumë i lartë, kemi një numër të konsiderueshëm konstatimesh për subjekte që ushtronin veprimtari pa qenë të regjistruar, 831 subjekte, e përsëris, ndërkohë që janë mijëra e mira subjekte që janë regjistruar në mënyrë vullnetare; 5777 subjekte të papajisura me kartë fiskale; 902 subjekte që nuk lëshonin kuponin tatimor dhe 813 subjekte me punonjës të padeklaruar.Ndërkohë që numri i punonjësve të formalizuar, pra i njerëzve të nxjerrë nga sistemi i skllavërisë dhe i futur në sistemin e sigurimeve shoqërore ka kaluar 80 mijë.

Një shifër absolutisht spektakolare. Ndërkohë që vetëm në këtë periudhe prej 45 ditësh kemi tetëfishim të numrit të pajisjeve fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve, ose 700 % më shumë se njëjta periudhë e vitit 2014. Janë lidhur 17 mijë kontrata të reja për pajisje fiskale ose 994 %, pra 1000 % më shumë, sesa e njëjta periudhe e vitit 2014. Dhe këtu përjashtojmë karburantet.Ka një rritje prej 55 milionë të numrit të kuponëve tatimorë të lëshuar. Xhiro e deklaruar është rritur me 52%, çka përbën edhe një arsye shumë të fortë për të besuar se potenciali është ende gjerësisht i pashfrytëzuar. Nëse në korrik rezultojnë 108871 biznese të regjistruara në shtator janë 134328 të tilla. Pra nga 1 shtatori në 18 tetor janë regjistruar 25457 biznese të reja, më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë
.-renditi kryeministri

Gjithashtu, informaliteti në bujqësi është në një pikë kthese, ka theksuar Rama, pasi fermerët po pajisen me nipt. 

“Nga ana tjetër, jemi në kushtet e një zhvillimi historik, në këndvështrimin tonë, për sa i përket formalizmit të bujqësisë. Të gjitha këto vende pune të reja të formalizuara janë në sektorin jobujqësor, por tema e vjetër dhe asnjëherë e trajtuar konkretisht e informalitetit në bujqësi është në një pikë kthese, sepse kemi 10500 fermerë që kanë paraqitur kërkesën për t’u paraqitur me NIPT dhe në një kohë rekord edhe për të mos penguar punën e tyre u janë dorëzuar NIPT-et 9200 fermerëve dhe fare pranë përmbylljes janë edhe për 1300 të tjerë. Përfitoj nga rasti t’i bej thirrje të gjithë fermerëve që synojnë të përfitojnë nga mbështetja me grante, nga mbështetja me kredi, nga programet mbështetëse qoftë ne nivelin qeveritar qoftë në nivelin komunitar, në kuptimin e BE, që të pajisen me NIPT, pasi mospajisja i bën të pakualifikueshëm në asnjë proces, për të marrë mbështetje financiare.”, ka thënë kryeministri. 

Në fjalën e tij kreu i shtetit nuk ka lënë pa folur edhe për kritikat e opozitës në drejtim të tij duke shpjeguar se ato vijnë si pasojë e inertësisë së të shkuarës.
Fjala e kryeministrit Rama në Këshillin Kombëtar të Ekonomisë
Redaksia online
(S.m/shqiptarja,com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)