TIRANE- Kryeministri Edi Rama ishte sot në zyrën e ADISA-s (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara), ku do të aistohen qytetarët për 472 shërbimet e reja online, përpos 15 shërbimeve të ofruara më herët. Rama tha se këto që sot funksionojnë si sportele, do të funksionojnë si zyra shërbimi nga brenda dhe sportelistët nuk do të jenë më në pritje të njerëzve por para kompjuterit. Rama tha se sot edhe dëshmia e penalitetit do të merret online, dhe në rast se kalon afati për marrjen e një dokumenti, do përgjigjet personi përgjegjës për këtë rast.
“Të gjithë duhet ta dinë që kjo do jetë një fazë tranzitore e pastaj ne do ta mbyllim përfundimisht këto kontakte. Këto që sot funksionojnë si sportele, do funksionojnë si zyra shërbimi nga brenda. Pra sportelistët nuk do jenë më në pritje të njerëzve, por do jenë para kompjuterit. Do marrin aplikimin që qytetari do e bëjë nga shtëpia, do e bëjë nga telefoni i vetë dhe nëse dikush është pensionist e nuk di ta përdori, ia jep nipit apo mbesës dhe në momentin që vjen aplikimi, gjithë dokumentet që deri dje qytetari do t’i merrte vetë, - janë sportelistët që janë më, jo në kontakt me qytetarin, - do t’i marrin brenda për brenda zyrave të shtetit dhe qytetari do ta marrë po online përgjigjen. Do i thuhet paraqitu në filan datë për të marrë atë që ke kërkuar, në rast se kjo nuk jepet ende online. Sot, dëshmia e penalitetit merret direkt nga shtëpia. E bën kërkesën e të vjen në kompjuter me vulë elektronike. Kështu nuk ka më mundësi as për zvarritje, as për historia. Më e rëndësishmja është që qytetari mund ta ndjekë, ku është situata dhe gjithë monitorimi që bëmë ne nga brenda dhe nëse një kërkesë kalon afatin, personi përgjegjës përgjigjet pse u kalua afati. Në fund, kjo zyrë nuk do jetë më një zyrë pritje me njerëz që vijnë, por do jetë një zyrë që do punojë nga kompjuteri sepse njerëzit nga shtëpia do dërgojnë kërkesën. Synimi është që të mbyllim fazën që gjithë aplikimet të jenë online pastaj faza finale që e bën shtetin në xhepin e qytetarit është që e bën të gjithën online. Edhe hipotekën ta marrë në kompjuter”, - tha Kryeministri Rama.
Drejtoresha e AKSHI, Linda Karcanaj bëri me dije se “janë 52 shërbime të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që janë online. Aktualisht janë thjeshtuar dokumentet. Janë 101 dokumente që nuk i kërkohen më qytetarëve, por janë punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që do i marrin këto dokumente online. Aplikimet janë riformatuar. Edhe pagesa është bërë elektronike”.
Por si mund të bëhet një aplikim online?
Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online. Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin. Ky proces transformues rrënjësor sipas kryeministrit do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht ryshfetin. Ndërkohë që në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime. Kalimin e shërbimeve online kryeministri Rama pak javë më parë e cilësoi si një nga shtatë prioritetet e qeverisë së tij për vitin 2020 (lexo ketu).