TIRANË, 24 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Kryeministri Edi Rama ndërsa ndodhet në Vjenë në Forumin Ekonomik të Vjenës, është shprehur në rrjetin social se agjenci turistike janë interesuar për të mësuar për bunkerin e diktatorit Hoxha.
"Edhe në Vienna Economic Forum agjenci turistike të interesuara për të mësuar për bunkerin antiatomik të Enver Hoxhës:-) ?#?Kyështë vetëm fillimi", shkruan kryeministri Rama.
Për herë të parë, gati çerek shekulli pas rënies së komunizmit, të shtunën në periferi të Tiranës eshte hapur bunkeri antiatomik që kishte ndërtuar qeveria komuniste dhe ku do të strehohej udheheqja e lartë në rast të një sulmi bërthamor ndaj Shqipërisë. Tashmë bunkeri është shëndërruar në Muzeum e do të qëndrojë i hapur deri në fund të dhjetorit dhe çdokush mund të shkojë ta vizitojë për të shuar kureshtjen.
Aktiviteti u organizua në përkujtim të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët dhe 25-vjetorit të rënies së murit të Berlinit. Pikërisht të shtunën, Kryeministri Rama pohoi se do te hapen dosjet e spiunëve të ish-sigurimit të shtetit për të hedhur drite mbi të kaluarën diktatoriale dhe sot postimin e tij e mbyll me shprehjen se "ky është vetëm fillimi për të ndriçuar të kaluarën e errët diktatoriale". /a.ke/








