Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB, një ngjarje kjo historike për vendin tonë. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë ngjarje si lajm të bukur, teksa ka publikuar edhe rezultatet e votimit, ku nga 190 vende që votuan, Shqipëria u mbështet nga 175.
'Lajm i Bukur! Me 175 vota nga 117 të nevojshme, Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023'- shkruan Rama.
Rezultati i votimit në OKB për zgjedhjen e Shqipërisë anëtare të Këshillit të Sigurimit
Lajmi është përshëndetur edhe nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, të cilët e cilësuan këtë ditë si historike për vendin tonë, duke shtuar se do të bashkëpunojnë me Shqipërinë në adresimin e çështjeve globale.
Edhe presidenti Ilir Meta reagoi në lidhje me zgjedhjen e Shqipërisë në OKB, ku thekson se është i bindur se vendi ynë do të përmbushe me përgjegjësi të lartë këtë detyrë. Kjo ngjarje historike u përshëndet edhe nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u zhvillua sot (11 qershor) në New York dhe u votua për 5 shtetet e reja të cilat do të ishin anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018. Pas Presidencës së OSBE-së, kjo është një nga arritjet edhe më të madha në arenën ndërkombëtare për Shqipërinë, e cila e merr mandatin në janar të vitit 2022.
Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati thotë se zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB, është si rezultat i punës së palodhur të diplomacisë shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bushati nënvizon më tej se kjo është një një përgjegjësi serioze, politikisht dhe moralisht.
“Ulja në Këshillin e Sigurimit të KB është një përgjegjësi serioze, politikisht dhe moralisht. Që nga anëtarësimi në Kombet e Bashkuara në 1955, Shqipëria u zgjodh sot për herë të parë në Këshillin e Sigurimit. Ky është rezultat i punës së palodhur gjatë gjithë viteve të diplomacisë shqiptare!”, shkruan ministri Bushati.
Sitting on the #UN Security Council is a serious responsibility, politically and morally. Since membership to #UN in 1955, #Albania
Ervin Bushati tha nga studio e Report Tv se anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB është një arritje e madhe për vendin por edhe një vlerësim i madh pasi ajo shikohet si një faktor stabiliteti në botë dhe rajon. Votimi sot me 175 vota nga 117 të nevojshme, për Bushatin tregojnë se Shqipëria ka qëndrim të lartë në moral në skenën ndërkombëtare.
"Është një arritje jo vetëm për diplomacinë shqiptare, është një arritje për shtetin shqiptar në këto vite të ekzistencës së tij dhe patjetër për faktorin shqiptar. Po të shikosh është një ngritje graduale e diplomacisë dhe pranisë si Shqipëria si shtet në këtë institucion më të rëndësishëm sot, të paqes dhe sigurisë. Por, ka të bëje me mënyrën si Shqipëria perceptohet si neutrale, si asnjanëse apo kontributore për paqen. Po ta shikosh 175 vota që janë marrë sot tregon që Shqipëria ka qëndrim të lartë në moral në skenën ndërkombëtare. Nuk është si ato vende që mendoheshin si të anshme dhe një grup vendesh mos t’i votonte, por tregon që ka një stabilitet politik e diplomatik, por edhe një qëndrim të lartë morali. Pra, nuk është nga ato vende që mund të goditej nga një palë tjetër. Patjetër që është shumë e rëndësishme kjo. Vjen në një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me praninë e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, mos harrojmë dhe presidencën e OSBE vitin e kaluar. Pra, janë të gjitha maturi diplomatike dhe shtetërore të një vendi që shikohet si një faktor për sa i përket stabilitetit, qëndrueshmërisë, pozitivitetit dhe një mesazhi paqeje në botë", tha Bushati.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përshëndetur përzgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB. Ruçi shkruan se kjo nuk është vetëm një arritje diplomatike por historike për vendin tonë që do të kontribuojë në një vend më të sigurt dhe botë më të sigurt.
“Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023 është një sukses i merituar i Shqipërisë. Në këtë arritje kanë meritë të gjitha institucionet shqiptare, që jo thjesht lobuan, por ditën të krijojnë perceptime të drejta dhe bindën 175 shtetet anëtare për garancitë që ofron Shqipëria si një kontribuuese për demokracinë, zhvillimin dhe paqen. Qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare kanë meritën e tyre të madhe në këtë proces. Kjo nuk është thjesht një arritje diplomatike, por kombëtare. Vetëm një vend që bind për institucione demokratike zhvillim, stabilitet e siguri, mund të kontribuojë në sigurinë dhe paqen në botë. U shpreh mirënjohjen të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, të cilët iu përgjigjën lobimeve të Kuvendit dhe kontribuan në votimin për Shqipërinë”, shkruan Ruçi.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.
'Ngjarje historike! Urime Shqipërisë që u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit në OKB. SHBA pret të punojë me Shqipërinë edhe më ngushtë në rajon dhe në botë. Urime!'- shkruan Yuri Kim.
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur zgjedhjen si anëtare të përkohshme të Shqipërisë në Këshillin e sigurimit në OKB, duke thënë se kjo është një sfidë e jashtëzakonshme që do të përmbushet me përgjegjësi nga vendi ynë.
"Përshëndes zgjedhjen sot të Shqipërisë, anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 65 vite anëtarësi në këtë Organizatë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Sfidat janë të jashtëzakonshme dhe shumë të vështira, por shpreh bindjen se vendi ynë do të përmbushë me përgjegjësi të lartë këtë detyrë dhe mision për dy vitet e ardhshme", shkruan Meta.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka uruar Shqipërinë për zgjedhjen e saj si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit në OKB. Soreca shkruan se kjo është një ditë historik për popullin shqiptar dhe vendin dhe se pret që të bashkëpunojë më ngushtë me Shqipërinë për çështjet globale.
"Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtar i Këshillit të Sigurimit 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale", shkruan Soreca.