Kryeministri Edi Rama njoftoi tërheqjen nga Ligji për investimet Strategjike, i kritikuar në mënyrë të përsëritur nga BE, ndërsa së fundmi kërkesa për shfuqizimin e tij ka ardhur dhe nga zërat e protestuesve që pas kundërshtimeve për projektin turistik në Zvërnec, mblidhen çdo ditë poshtë zyrës së tij.

“Tashmë nuk na duhet më një ligj për investime strategjike sepse kapitali po hyn dhe investuesit e mëdhenj po vijnë dhe në fakt nuk duan t'ja dinë për lehtësira. Duan natyrisht status të mbrojtur e kështu me radhë, por nuk kemi probleme me këtë. Kam përshtypjen që është pjesë e kuadrit negociator dhe po punojmë tashmë për një ligj të ri për investimet kështu që po punojmë me Bashkimin Evropian për këtë”, deklaroi Rama duke iu përgjigjur një pyetje të një prej mediave europiane me të cilat ai zhvilloi këtë të martë një konferencë të gjatë shtypi në mjediset e kryeministrisë.

Rama megjithatë mbrojti efeket positive që sipas tij ka sjell ky ligj. “Kurrë nuk ka qenë i padrejtë për të thënë këtë gjë fillimisht dhe shumë njerëz që flasin për këtë as nuk e dimë për ç' flasin. Ligji për investime strategjike na ka ndihmuar të sjellim në këtë vend më në fund disa investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur”, u shpreh kryeministri.

Ligji u miratua në vitin 2015, me një afat 3-vjeçar, me në fokus investimet në sektorë prioritar si turizmi, energjia, transporti, bujqësia apo zonat teknologjike, dhe afati i tij është shtyrë 6 herë, me argumentin se ka interes nga investitorët vendas dhe të huaj. Aktualisht ai parashikohet të qëndrojë në fuqi deri në fund të këtij viti.

Komisioni Evropian i ka kritikuar në progres raportet për Shqipërinë zgjatjet e afatit të këtij ligji, për shkak të shqetësimeve për ndikimet e mundshme negative mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura.


Lajmi kryesor:

‘Zvërneci’, Rama: Projekti nuk është anuluar! Kompania ende s’ka leje ndërtimi! Protestat? Ndikime të jashtme, shumë shpejt faktet