Në konferencën me gazetarët e BE, kryeministri Rama tha se nuk ka projekt për Zvërnecin. Si rrjedhojë, nuk ka një të tillë për t'u anuluar.

"Kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi në kufirin e tokës, vendit për të cilin po flasim që prej një jave apo më shumë tashmë, për të cilin morëm masa më të ashpra dhe më të shpejta.  Protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin anuloni projektin, thashë po, e anulojmë në këtë moment, por më tregoni projektin. Nuk ka projekt”, tha Rama.

"Nuk ka projekt" e theksoi edhe ndërsa u shpjegoi gazetarëve se ka një kompani që ka shfaqur interes, por jo leje ndërtimi.

"Nëse dikush thotë se ka një leje ndërtimi, le ta tregojë atë. Përkundrazi, nëse më pyesni dhe jeni të interesuar për faktet, po, ka një proces. Po, ka një kompani. Sigurisht që ka një kompani. Por fakti që ka një kompani nuk do të thotë se ka një projekt", tha kryeministri.

Gjithashtu, kundërshtoi raportimet e mediave të huaja për pretendimet e protestuesve se projekti ekziston.

"Po flisni me personin e gabuar, në kohën e gabuar, në vendin e gabuar sepse keni  ardhur pas 7 ditëve që është përhapur dhe ka mbytur botën. Unë them nuk ka projekt dhe komenti i një mediaje të madhe është por këta protestues thonë që ka një projekt. Çfarë është kjo?”, tha kryeministri.

Sa u takon protestave, kryeministri Rama tha se tregojnë që jemi si çdo vend i BE. 

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:12
‘Zvërneci’, Rama: Nuk ka projekte që vijnë si grusht kundër natyrës! Mbështetemi te standardet e BE

1781013050_rama.jpg

Asnjë projekt nuk do të jetë në kundërshtim në natyrën, tha kryeministri Rama para gazetarëve të BE, ndërsa përmendi rrjetet e interesuara të hoteleve për investimin në Zvërnec.

“Qëkur keni parë në Europë projekte që vijnë si grusht kundër natyrës? Mendoni që Cheval Blanc dhe Bernard Arnault do të vrasin flamingot? Mendoni që Rosewood Hotel do të vijë këtu për të shitur ‘Mojito’ në mes të betonit? Mandarin Oriental do të dojë të lidhet me diçka që është e shëmtuar? Hotelet Aman do të vijnë të qëndrojnë mes bunkerësh?”, tha Rama.

Më tej, tha se edhe ligji i ri për investimet strategjike po hartohet sipas standardeve të BE pasi s’mund të konkurrohet duke shpërfillur natyrën.

“Ligji për investimet strategjike kurrë nuk ka për të qenë i padrejtë. Gjëja e mirë është që do ta lëmë jashtë sepse e ka përmbushur misionin e vet dhe nuk ka rëndësi. Thjesht do ta lëmë jashtë. Ligji për investimet strategjike na ka ndihmuar të sjellim në këtë vend disa investime që duhet të kishin ndodhur. Duan status të mbrojtur e me radhë, por s’kemi probleme me këtë. Po punojmë për një ligj të ri për investimet. Çdo gjë që bëjmë mbështetet te standardet e BE dhe kjo është mjaft e qartë. Shqipëria mund të ëndërrojë e përfytyrojë, të imagjinojë çdo gjë që Shqipëria apo qeveria kërkon, por ka një garanci për të gjithë. Nuk ka diçka të tillë si aktivitete që dëmtojnë mjedisin. S’mund të ndodhin sepse duhet të jemi në përputhje me standardet e BE. Nuk konkurron dot duke shpërfillur natyrën, është e pamundur. Ja pse ndihem i zemëruar me të gjithë ata që nuk e kuptojnë që është bekim për Shqipërinë që është diçka e jashtëzakonshme një zhvillim i mbështetur në natyrë. Ja pse zemërohem, por i zemëruar me veten, natyrisht, jo me ju”, përfundoi kryeministri.

Ora 15:56
‘Gënjeshtrat u kanë bllokuar trurin’, Rama kapet me gazetaren rumune: Projekti për Zvërnecin nuk është anuluar

1781012874_edirama.jpg

Në një konferencë me gazetarët europianë, kryeministri Edi Rama foli për lajmet që kanë qarkulluar se projekti në Zvërnec është pezulluar. Ishte një gazetare rumune që e pyeti Ramën nëse projekti është anuluar apo pezulluar, por shefi i qeverisë u kujdes të thotë se ende nuk ka një projekt dhe nuk ka çfarë të pezullohet.

Rama: Nuk është anuluar, se s’ka pasur kurrë një projekt për tu anuluar. Vini këtu me kokën e mbushur me gënjeshtra që u kanë bllokuar trurin.

Gazetarja: Jo jo unë e kam trurin në rregull...

Rama: Truri e keni në rregull, problemi është sa i hapur është ai për faktet. Nuk është ne rregull. Kemi të tjerë këtu dhe duhet të më thonë nëse kam thënë në fillim që e kemi anuluar projektin, atëherë më duhet të shohim regjistrimin. Keni ardhur e bindur se ka një projekt që është anuluar. Ajo tha që unë thash në fillim që projekti është anuluar. Po talleni me mua apo çfarë. Ajo që në fillim thasë që projekti është anuluar. Seriozisht e keni? Kurrë s’kam thënë që kemi anuluar projektin, s’ka pasur kurrë. Po punohet për projektin, çfarë ka këtu për të mos  u kuptuar. Faktet janë të mërzitshme, por gënjeshtrat janë shumë joshëse.

Që ta anulosh duhet ta kesh një projekt, përndryshe çfarë do të anulosh. Ju nuk shihni asnjë ndryshim mes, nuk ka projekt dhe projekti është anuluar. Prandaj e bëra këtë pyetje, sepse doja që ju ta qartësoni, mos këmbëngulni. Gjyshja ime thoshte që të bësh gabim është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Gazetarja: Projekti tani është i pezulluar..

Rama: Po si mund të pezullohet kur nuk ekziston? Çfarë projekti është pezulluar

Ora 15:53
Investimi në Zvërnec, Rama: E di mirë shijen e gjakut kur protestohet në mjedis jo të lirë! Në 2011 u vranë 4 protestues

1781013070_rama.jpg

Në konferencën me gazetarët e BE, kryeministri Rama u pyet nëse është i shqetësuar për zgjerimin e protestës kundër investimit në Zvërnec. Kryeministri tha se Shqipëria është një vend i lirë dhe e konsideron diçka të mirë që protesta të zhvillohet pa pengesë, ndërsa rikujtoi 21 janarin.

“Pikë së pari, ky është një vend i lirë. Unë vetëm kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e njoh shijen e momentit kur e ke të vështirë të protestosh, e di edhe shijen e gjakut kur protesta ndodh në një mjedis jo të lirë. Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por vetëm më pak se 20 vjet më parë, apo më saktë, në 2011, 4 protestues u vranë me armë sulmuese që i kishin vënë në shënjestër pikërisht nga kjo ndërtesë. Për mua, është një epokë ndryshe, një moment ndryshe në histori. Është vërtet diçka shumë e mirë që njerëzit të mund të protestojnë pa asnjë problem, edhe pse mund të duket gjëja më e vogël, por nuk është kështu, është një tjetër arritje e kësaj dekade, një arritje për të cilën shqiptarët kanë luftuar për një kohë të gjatë. E dyta, kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një roje sigurie kundër një protestuesi në kufirin e tokës, vendit për të cilin po flasim që prej një jave apo më shumë tashmë, për të cilin morëm masa më të ashpra dhe më të shpejta. Roja është arrestuar, drejtori i policisë së Vlorës u shkarkua dhe njësia e policisë që ishte në terren dhe nuk ndërhyri menjëherë për të ndalur rojën, është vënë nën hetim. Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca. Akti i dhunës ndezi ndjenjat, u bë virale dhe çeli rrugën për ngritjen e pikëpyetjeve mbi zhvillimin, pronën, projektin. Pastaj, befas çështja u bë më e gjerë dhe tashmë cek gjithçka që është në rregull, por nuk jemi më në dinamikën e disa apo shumë njerëzve, quajeni si të doni, edhe pse kam parë raportime për qindra mijëra vetë që janë qesharake, por s’dua të flas për numrat, por për thelbin. Gjithçka ndryshoi sepse befas nuk ka projekt. Protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin anuloni projektin, thashë po, e anulojmë në këtë moment, por më tregoni projektin. Nuk ka projekt. S’ka të bëjë me mua ose Shqipërinë, por me shoqërinë demokratike për të reflektuar sesi gjysmë të vërtetat mund të ndezin mjedisin që është në mbarë platformat, ndërkohë që nuk qëndrojmë më te thelbi, por diku gjetkë, nuk kanë të bëjnë aspak me mua ose me ne”, tha Rama.

Ora 15:46
‘Zvërneci’, Rama: Nuk ka projekt! Arkitektët më të mirë të botës po punojnë për të

1781012030_edirama.jpg

Përpara gazetarëve të BE, kryeministri Edi Rama tha se për investimin në Zvërnec po punojnë arkitektët më të mirë të Shqipërisë dhe ende s'ka projekt. Ai u tha gazetarëve të merren me faktet ndërsa po flasin me njeriun e gabuar “në kohën dhe vendin e gabuar” pasi nuk ka projekt, pavarësisht asaj që thonë protestuesit.

“Nuk jam zgjuar kurrë një ditë të jetës sime me mendimin si të bëj diçka të shëmtuar. Gjithnjë kam besuar që bukuria është ajo për të cilën kemi nevojë dhe kam luftuar gjithmonë për të bukurën. A kam pasur gjithnjë sukses? Jo. Shqipëria është një vend ku ju sfidj me fakte se numri më i madh i arkitektëve më të mirë të botës po punojnë së bashku, më vete për projektin. Këtë lloj përqendrimi nuk e gjeni në asnjë vend të Europës sepse duam të bukurën, cilësinë, gjëra që e ndryshojnë njëherë e mirë jo vetëm perceptimin në këtë vend. Pyetja është nëse unë, jam një njeri që merret me politikë dhe nëse kërkon të ndryshojë vendin e vet si kryeministër duhet të vihem në dyshim dhe trajtohem si njeri i pavlerë përballë ndërtesës ku punoj duke kërkuar gjëra që janë legjitime, i bën ata më të respektuar sesa unë? Pse? Sepse çdo politikan është hajdut? Çdo njeri është i korruptuar? Duhet t’u besoni fakteve sepse si mund të merremi me këtë oqean? Gjysmë të vërtetat kanë potencialin për të qenë gënjeshtrat më të mëdha. Po flisni me personin e gabuar, në kohën e gabuar, në vendin e gabuar sepse keni  ardhur pas 7 ditëve që është përhapur dhe ka mbytur botën. Unë them nuk ka projekt dhe komenti i një mediaje të madhe është por këta protestues thonë që ka një projekt. Çfarë është kjo?”, tha kryeministri.

Ora 15:30
Rama: Flamingot nisën të riktheheshin në Shqipëri kur unë mora pushtetin dhe vendosa moratoriumin e gjuetisë

1781010363_Screenshot40.jpg

Turizmi elitar mund të frenojë dëmet e turizmit masiv dhe të sigurojë më shumë të ardhura, tha kryeministri Rama në konferencën me gazetarët e BE. Ndërsa fokusin e bisedës e përqendroi te mjedisi dhe mbrojtja e tij që ditët e fundit është kthyer në temë për shkak të protestave për Zvërnecin, Rama tha se flamingot në atë zonë nisën të riktheheshin kur ai mori pushtetin, për shkak të moratoriumit për gjuetinë.

“Pak gjëra mund të jenë të krahasueshme që turizmi në nivelin e luksit mund të jetë kundër njerëzve. Ajo që sjell një turist në një resort luksoz është më shumë në kuptimin e të ardhurave dhe më pak në kuptimin e turizmit, trafikut. Turizmi luksoz e mbron një vend nga ajo që mund t’i ndodhë nga turizmi masiv. Turizmi masiv ka qenë ambasador i shkëlqyer, por s’mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, na duhet të kemi turizëm luksoz për të ndryshuar shkallën e të ardhurave dhe për të ulur trysninë që turizmi masiv ka mbi mjedisin. Të flasim për mjedisin. Flamingot. A e dini se kur nisën të ktheheshin flamingot? Kur unë mora qeverinë, nuk kishte flamingo sepse Shqipëria kishte gjueti të paligjshme. Flamingot e pelikanët nisën të riktheheshin pasi vendosëm moratorium për gjuetinë e paligjshme, për prerjen e pyjeve për 10 vjet. Shihni nga pamjet satelitore”, tha Rama.

Ora 15:28
Rama debat me gazetaren rumune për Zvërnecin: Nuk e di çfarë ka thënë Gonzato, por e ka gabim, projekti nuk është miratuar kurrë!

Kryeministri Edi Rama kundërshtoi deklaratat se projekti i shumëdebatuar në Zvërnec është pezulluar, duke thënë se nuk mund të pezullohet diçka që nuk është miratuar kurrë. Në një debat me një gazetare rumune gjatë konferencës me mediat europiane, Rama tha se raportimet për pezullimin e projektit janë të pavërteta dhe se puna për hartimin e tij vazhdon.

“Çfarë projekti është pezulluar? Si mund të pezullohet diçka që nuk ekziston? Pse thoni që është pezulluar? Cilat autoritete e kanë thënë këtë?”, pyeti Rama. Pasi gazetarja iu përgjigj se këtë informacion e kishte marrë nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryeministri këmbënguli se bëhet fjalë për një informacion të pasaktë.

“Unë nuk e di çfarë ka thënë ai, por nëse e ka thënë këtë gjë, e ka gabim. Sepse nuk ka një projekt të pezulluar. Kam një mik timin dhe më duhej ta takoja për arsye të caktuara. Më tha se ishte vonë. E pyeta nëse kishte ndonjë problem. Më tha se ishte në protestë. Ky person është njeri shumë i mirë, i arsimuar, mysliman, jo fanatik, por frekuenton xhaminë. I thashë: ‘Pse dole në protestë?’ Më tha: ‘Me këtë gardhin, për të zbatuar atë që do Bibi Netanjahu, e ke tepruar.’ I thashë: ‘Ej, unë nuk jam media sociale. Ta ka zënë mendjen media sociale, por nuk është e vërtetë.’ Pra, këto gënjeshtra ua kanë zënë mendjen njerëzve, sepse projekti nuk është pezulluar dhe nuk është anuluar kurrë, sepse nuk është miratuar kurrë. Ndërsa flasim, puna vazhdon për hartimin e tij. Unë e them dhe ju vazhdoni. Kjo është çmenduri. Nuk mund të jetë fjala ime kundër tuajës. Ka të bëjë me faktet. Nuk shoh asnjë lloje prove. Unë them që ende nuk ka projekt, unë them që ende nuk kemi vlerësimin mjedisor, që po punohet mes njerëzve më të mirë. Po ju them ‘prisni dhe do të shohim’, mos paragjykoni, mos më tregoni flamingot.”, tha Rama.

Ora 15:20
‘Zvërneci’, Rama ndërpret gazetaren: S’kam interes për intervistat tuaja në rrugë, po më pyesni mua! A keni fakte kundër meje?

1781010127_edirama.jpg

Gjatë konferencës me gazetarët e BE, kryeministri Rama kundërshtoi një prej tyre lidhur me protestat për Zvërnecin duke thënë se s’mund të flasë për atë që thonë njerëzit në rrugë, por me fakte.

-Dje intervistova disa njerëz në rrugë...

Edi Rama: Po më bëni pyetje mua, po kërkoni të dini se çfarë mendoj. Ajo që keni bërë në rrugë nuk është me interes për mua, po më pyesni mua. Unë nuk jam në rrugë, nuk jam dikush që nuk mban përgjegjësi kur flet sepse unë përfaqësoj këtë vend. Unë përfaqësoj njerëz që më kanë zgjedhur të jem këtu dhe përballë jush më duhet të jem i vërtetë, të jap fakte dhe nuk mund të sfidohem me çfarë keni dëgjuar ju në rrugë. A keni fakte për të më treguar që vërtetojnë se po them diçka që nuk është e drejtë? Jo. Më tregoni, më sfidoni.

Ora 15:20
'Shqipëria nuk është republikë bananesh', Rama flet për 'Zvërnecin' me gazetarët europianë: Ka shprehje interesi, jo një projekt, nëse ka leje ndërtimi ma tregoni!

1781011313_Capture.JPG

Në konferencën me gazetarët e vendeve të Bashkimit Europian, ku u pyet për investimin e planifikuar prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec dhe debatet që kanë shoqëruar projektin, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë pretendimet se ekziston një leje ndërtimi për zonën dhe akuzoi rrjetin Balkan Insight për dezinformim.

Pyetje: Thatë që nuk ka një projekt, por përse është ngritur ky gardh rrethues në plazhin për të cilin po flasim dhe përse rrjeti ballkanik i investigimit thotë se ka një kompani që ka leje për të ndërtuar në këtë zonë, nëse nuk ka një projekt?

Edi Rama: “Balkan Insight po gënjen. Nuk ka të bëjë me kush thotë çfarë, por me kush provon çfarë. Unë nuk jam këtu për të thënë gënjeshtra, por as për të dëgjuar gënjeshtra. Nëse dikush thotë se ka një leje ndërtimi, le ta tregojë atë.

Përkundrazi, nëse më pyesni dhe jeni të interesuar për faktet, po, ka një proces. Po, ka një kompani. Sigurisht që ka një kompani. Por fakti që ka një kompani nuk do të thotë se ka një projekt. Ka një shprehje interesi, ka një proces që ka nisur me autoritetet dhe, për ta bërë shumë të qartë, bëhet fjalë për një pronë private.

Është shqetësuese kur kalon nëpër gjithë këto postime dhe sheh gjëra kaq të pasakta, kaq të shpifura. Nëse nuk do të isha në këtë pozicion dhe nuk do të isha plotësisht i vetëdijshëm për faktet, edhe mua do të më neveriste të shihja se qeveria ime po shet një ishull pa më treguar çfarë do të ndodhë. Sigurisht që do të ndihesha i revoltuar. Por a është e vërtetë?

Së dyti, Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme. Nuk janë i njëjti projekt. Pse publikohet vazhdimisht ishulli, gardhi e gjithçka tjetër? Për të krijuar një perceptim të neveritshëm, sikur Shqipëria të jetë një republikë bananesh ku ishujt u shiten oligarkëve dhe vendi drejtohet nga një kryeministër që u shërben oligarkëve. Çfarë është kjo? Është e neveritshme, por a është e vërtetë? Jo.

Ju mendoni se keni sjellë fakte që provojnë të kundërtën e asaj që po them, por nuk është kështu. Kompania ekziston, shprehja e interesit ekziston dhe marrëveshja është private. Kështu funksionon një vend demokratik. Nuk njoh asnjë vend që mund t’i ndalojë privatët të bëjnë marrëveshje mes tyre. Nuk njoh asnjë vend ku qeveria t’u thotë privatëve: ‘Mos guxoni të lidhni marrëveshje’.

Unë njihja një vend ku privatët nuk lejoheshin të ishin privatë dhe të huajt konsideroheshin armiq. E kam njohur atë vend, e kam luftuar dhe, falë Zotit, fituam.

Është gardh, e dashur. Çdo privat ka të drejtë të kërkojë leje për të vendosur gardh rrethues në pronën e tij. Të luftosh kundër gardheve të pronave private, çfarë është kjo?

Kur ka një proces të tillë dhe një komunikim me autoritetet për një projekt, ne kemi protokolle që vërtetojnë se ky vend funksionon si një vend europian. Kemi dokumente me shkrim që tregojnë se investitorëve u janë bërë të qarta çështje si ndjeshmëria e zonës, distanca nga laguna, parametrat e zhvillimit, dendësia e ndërtimit dhe të gjitha kushtet e tjera.

Çfarë mendoni ju? Si mund të bëhet që e vërteta të shihet dhe të dëgjohet?

Unë e thashë ditën e parë dhe të dytën, pastaj hoqa dorë, sepse kuptova që kjo nuk kishte të bënte me mjedisin. Kishte të bënte me një ndjenjë që thotë: ‘Ka ardhur koha të marrim kontrollin’.

Që ditën e parë kam thënë se kushdo që është i interesuar të flasim për këtë çështje është i mirëpritur. Unë jam këtu për të folur për projektin, për mjedisin, për parametrat, për gjithçka kemi bërë deri tani, për të treguar dokumentet, faktet dhe çdo gjë që lidhet me ligjin për mjedisin.

Po ashtu, jam gati të tregoj se pretendimi se ne kemi ndryshuar ligjin që kjo të ndodhë është krejtësisht i pavërtetë. Kjo është gënjeshtër dhe unë jam gati t’jua provoj me fakte. Por si t’i provosh faktet në këtë botë?” tha Rama.