Rama: LSI se ka problem përballjen
me opozitën e lodhur, u rrit në luftë

Rama: LSI se ka problem përballjen<br />me opozitën e lodhur, u rrit në luftë
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama deklaron se nuk ka ftohje të marrëdhënieve mes dy forcave kryesore aleate të koalicionit, pavarësisht që pranon se për shkak të natyrës së këtyre dy forcave, ato nuk mund të konsiderohen të shkëlqyera .
 
Lidhur me debatin për CEZ-in dhe implikimin që i është bërë kryetarit të LSI-së në një aferë korruptive, Rama thekson se ky është i gjithi një debat i stisur.  I pyetur nëse PS-ja e ka lënë vetëm LSI-në në këtë cështje, Luan rama thotë se LSI si një forcë që është lindur dhe rritur në luftë, është e gatshme që ta përballojë me sukses edhe këtë aksion kundër saj. 
 
“LSI nuk e ka problem të përballet e vetme me cilindo e jo më me opozitën e lodhur e pa asnjë ide, pa asnjë alternativë të PD-së së sotme. Më lejoni t’ju kujtoj se Ilir Meta dhe shumë prej ne të tjerëve që drejtojmë LSI-në jemi rritur politikisht e jemi formuar si të tillë në luftë, po, po, realisht në luftë, duke qenë në opozitë me regjimin e Berishës së parë. Ndërkohë që LSI ka në përbërjen e vet një brez të tërë të rinjsh e të rejash gjithë vrull e energji që nuk do t’ia dijë se kush u del përpara në rrugën e shërbimit ndaj qytetarëve dhe të forcimit të marrëdhënieve me ta. Të tjerët e njohin forcën tonë dhe e dinë shumë mirë se nuk kanë çfarë të na bëjnë as sulmet, as akuzat dhe as shpifjet a thashethemet, ngado që të vijnë ato”-thotë Rama.
 
Nga ana tjetër në një intervistë për gazetën Mapo ai nuk mohon që ekziston një sjellje e vazhdueshme e faktorëve të ndryshëm ndaj LSI-së, që sipas tij buron pikërisht nga rreziku që ndjejnë për shkak të rritjes së kësaj force. Rama flet edhe për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi, duke qenë i bindur se ato duhet të trajtohen si pjesë e të njëjtit diskutim, ndërsa shprehet se, në rast se ato do kalojnë pa konsensus, do të dështojnë

Ndërkohë një ditë më para Luan Rama shkroi se eksponentë të PS­së, nuk lënë fjalë pa thënë tek diplomatët e huaj kundër LSI­së.

“E djathta e di shumë mirë që nuk mund të rikthehet dot në pushtet e vetme, sepse ajo asnjëherë nuk ka ardhur në pushtet prej vetvetes, pasi nuk ka përbërë dhe nuk përbën shumicë në Shqipëri. Prandaj provokon, akuzon e demonizon duke u rrekur të identifikojë të keqen me Ilir Metën, i cili nuk ishte i tillë (pra, i keq!), kur e ndihmoi të rikthehej në pushtet në vitin 2005 dhe as kur e mbajti në pushtet në 2009­n. PS­-ja ndërkaq e sheh gjithë këtë fushatë si një test; po sikur ta provojmë një herë vetëm? Për më tepër, nuk do të ishte keq që gjithë kostoja e pjesës së keqe të qeverisjes të shkarkohet diku jashtë saj. E nëse kjo nuk artikulohet zyrtarisht, nëpër korridore, jo vetëm me diplomatë të huaj, disa syresh nuk lënë fjalë pa thënë duke përgojuar e fajësuar LSI­në edhe për listat e deputetëve a këshilltarëve problematikë! LSI­ja është paragjykuar për aleancat e saj duke ia konsideruar pjesëmarrjen në qeverisje si arrivizëm. Po pse nuk shihet më realisht çështja? Po të kishin mundësi të qeverisnin vetë të dy krahët e bipartizmit në Shqipëri, a do t’i kishin kërkuar aleancë Ilir Metës?

Me aq llum sa prodhon çdo ditë makineria e tyre, kurrsesi jo. Atëherë, çfarë mbetet? Ta anatemojmë, ta akuzojmë, ta përbaltim e mundësisht ta zvogëlojmë që të mund të rikthehemi në një kohë të artë pa të tretë. Mirëpo ja që nuk mendojnë kështu shqiptarët; ata duan ekuilibër e eurointegrim, ata duan qendërzim të politikës, prandaj edhe të gjitha farsat e gjeneruara këto kohë kanë vetëm fatin e dështimit”, shkruan ai për Panorama. Luan Rama shprehet se Meta është i vetmi politikan i rëndësishëm pas komunizmit që ka mbijetuar dhe imponohet, pasi tashmë Fatos Nano dhe Sali Berisha janë defaktorizuar. “Pas përmbysjes së komunizmit, vërejmë se nuk ka mbetur kush tjetër në politikë prej protagonistëve të vijës së parë si faktor përcaktues, përveç Ilir Metës. Lideri historik i së majtës, Fatos Nano, në përpjekje për të jetësuar institucionin e dorëheqjes si sjellje politike në shoqëritë demokratike, u largua nga jeta publike aktive, me iluzionin se baza e partisë do ta kërkonte siç kish ndodhur më parë për ta konsideruar emrin dhe kontributin e tij edhe më tej.

Ndërsa lideri historik i së djathtës, Sali Berisha, u detyrua të largohet nga roli i protagonistit të radhës së parë, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, ani pse rreket të shfaqet herë pas here të enjten e Kuvendit a në ndonjë takim me gazetarët si për të dëshmuar se ende është aty. Pra, nga të tre faktorët përcaktues të zhvillimeve politike e qeverisëse (Nano, Berisha, Meta), Ilir Meta, i vënë prej muajsh në qendër të goditjes, dikush duke e sulmuar, dikush duke spekuluar, dikush duke heshtur, është i vetmi që vazhdon të ndajë fituesin nga humbësi, qeverisjen nga opozita. Por, ndërsa Nano e Berisha u bënë faktorë, sepse drejtonin, i pari, të majtën dhe, i dyti, të djathtën, Ilir Meta u bë faktor prej ndikimit politik si individ me personalitet të spikatur ndër gjithë të tjerët, pa pasur pas forcën e një partie, sepse LSI­ja u krijua më 2004­ën, kur Ilir Meta ishte bërë ndërkaq ai që është në realitetin politik shqiptar”,
shkruan Rama/Tema

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool