Rama: Lufta ndaj diskriminimit
të PAK, një nga objektivat tona

Rama: Lufta ndaj diskriminimit<br />të PAK, një nga objektivat tona
Të gjithë banorët e qendrave të Përkujdesit Social në këto ditë festash iu janë gëzuar sot disa momenteve ndryshe nga përditshmëria e tyre. Me moton “Festat kërkojnë dashuri”, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, ka organizuar sot 28 festa në 28 qendrat rezidenciale të Përkujdesit Social në të gjithë vendin.

Qëllim i organizimit të kësaj dite ishte sigurimi i një mjedisi festiv dhe kujdesi për njerëzit në nevojë, që aktualisht jetojnë në 28 institucionet publike, si dhe sensibilizimi i gjithë shoqërisë për të kontribuar përmes veprimeve vullnetare për mirëqenien e njerëzve në nevojë dhe për të treguar solidaritet jo vetëm gjatë festimeve, por gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim, 28 figura të shquara në sferën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, ambasadorë, vizituan sot një nga 28 institucionet, ku shpërndanë dhurata dhe festuan me njerëzit që banojnë në këto institucione. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, zgjodhën që në kuadër të kësaj dite të festonin së bashku me fëmijët e Qendrës së Zhvillimit në Durrës. Fillimisht, ata vizituan ambientet e kësaj qendre, ku ndoqën nga afër punimet e ndryshme artistike dhe jo vetëm, që banorë të kësaj qendre kishin përgatitur. Më pas ata u bënë pjesë e festës së tyre.


Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, kryeministri Edi Rama ka falënderuar fillimisht ata që bëjnë të mundur që këto qendra të funksionojnë çdo ditë, ndërsa vlerësoi se mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtim të luftës kundër diskriminimit të këtyre shtresave, si dhe në integrimin e plotë të tyre në shoqëri.

“Janë dy gjëra të rëndësishme për t’u nënvizuar, që janë njëkohësisht dhe dy objektiva të qeverisë sonë. E para lidhet me luftën kundër diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe private. Fatkeqësisht, ne jemi një shoqëri jo plotësisht e hapur ndaj personave me aftësi të kufizuara. Së dyti, jemi në një situatë dramatike të trashëguar vit pas viti, pasi kemi 64 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuara që nuk e frekuentojnë arsimin e detyrueshëm. Kjo vjen për shkak të paragjykimeve, por edhe mungesës së infrastrukturës dhe një mbështetjeje institucionale”, - tha Rama në fjalën e tij.  

Ndërsa ministri i MSR-së, Blendi Klosi theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve, përveçse të krijojë një ambient sa më të ngrohtë për të gjithë banorët e këtyre qendrave, ka të bëjë me sensibilizimin e të gjithë shoqërisë dhe gjithë aktorëve të fushës për të qenë më solidarë dhe për të kontribuar që jeta e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe e pranuar nga të tjerët.

“Ne menduam që në këtë ditë, në të 28 qendrat tona rezidenciale, aty ku njerëzit kanë nevojë, ne të bëjmë një festë. Kjo festë shkon për këta fëmijë në nevojë, shkon për njerëzit e moshuar të cilët jetojnë nën kujdesin e shtetit, shkon për njerëzit me aftësi të kufizuara. Natyrisht, ne kërkojmë që kjo ditë të shërbejë si pikëmbështetje për gjithë vitin. Ne jemi këtu së bashku për të dhënë më shumë dashuri dhe për të bërë sa mundemi me këta njerëz, të cilët mund të integrohen në shoqëri për t’u bërë pjesë e denjë e saj”, - tha Klosi.

Më tej ai shtoi se gjithashtu, MMSR kërkon që këtë festë ta kthejë në një traditë për çdo fundviti, ku njerëzit në nevojë të kenë mundësi që ashtu si edhe e gjithë shoqëria të ndjejnë atmosferën festive. “Pra, së bashku me mbështetës të ndryshëm, ne kërkojmë të krijojmë një traditë që të përsëritet çdo vit”, - shtoi Klosi. Ai falënderoi gjithashtu të gjithë ata biznese që e mbështetën këtë nismë, si dhe personalitetet e jetës politike, kulturore dhe artistike që iu bashkëngjitën këtyre festimeve.

 rama klosi

rama klosi

klosi ne dr me pak

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)