“Këtë vit kemi një rritje reale të pagës për afër 40 mijë punonjës të arsimit e sportit, si dhe mundësi reale të indeksimit. Falë taksimit të ndershëm në këtë 7 mars të parë mësuesit përfitojnë nga 20-29 mijë lekë”, tha Rama. Kreu i qeverisë garantoi mësuesit se marrëveshja e arritur mes Qeverisë shqiptare dhe FMN nuk do të ketë asnjë ndikim në pagat e tyre. “Dy muajt e parë janë shumë pozitive pasi kemi kaluar të gjitha parashikimet në dialogun me FMN e s’do ketë një bllokim të rrogave tuaja. S’do reshtim asnjë vit pa pasur në qendër të vëmendjes mësuesit e pa rritur fuqinë ekonomike të familjeve tuaja, nëpërmjet mbështetjes financiare për mësuesit”, tha Rama.
Sipas tij, nga 2015 do çojnë arsimin e edukimit fizik në një stad më të lartë. “Do ketë një tjetër mënyrë për seleksionimin e mësuesve të edukimit fizik”, tha Rama. I pyetur për cilësinë e mësuesve, Kryeministri tha se do ketë një vlerësim të ndryshëm për mësuesit që kanë rezultate të larta, për të cilët “do ketë bonuse në pagë”. “Do të normalizojmë procesin e rekrutimit dhe të vlerësimit të mësuesve e shkollave, pasi si mësuesit dhe shkollat do kenë vlerësimin për performancën e tyre në mënyrë që dhe prindërit ta dinë se ku po e çojnë fëmijën, jo vetëm nga emri. Do normalizojmë maturën shtetërore dhe ka nisur procesi i reformës”, tha Rama.
Ai kishte shqetësim prurjet e reja në sistemin arsimor, ku kërkoi kujdes të veçantë. “Në lidhje me eksperiencën dhe prurjet e reja duhet të jemi shumë të vëmendshëm për cilësinë, pasi është e dyshimtë për shkak të masterave diplomave jo në nivelin e kërkuar. Të mos lejojmë që burimet njerëzore të cënohen nga lëvizje të paarsyeshme. Të kemi vlerësime specifike për mësuesit që kanë rezultate më të larta, të ketë dhe një bonus specifik”, tha Rama. Në këtë kuadër, ai tha se prioritet në mësimdhënie, do kenë mësuesit me eksperiencën më të gjatë në këtë sistem.
Për sigurinë në shkolla, Rama tha se policia është duke u kthyer në krye të detyrës, por duhet të bashkëpunojmë të gjithë. Ndërkohë shkolla do jetë sipas tij e depolitizuar. Ndërsa ka nënvizuar që shkolla do kthehet në një mjedis komunitar, ai tha se arsimi profesional do jetë ai që do sjellë zhvillim të vendit, duke premtuar mbështetje financiare për nxënësit që studiojnë degët e lëna pas dore. Ai tha se “universitetet shtetërore e private aktualisht janë një piramidë, ku ka dhe inflacion masterash e doktoraturash e diploma si letra pa vlerë.
Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)