Rama: Mandati i dytë mbyllet me notë pozitive! U përballëm me tërmetin dhe pandeminë, dy sfida që do lënë gjurmë në historinë e qeverisjes 30-vjeçare

Kryeministri Edi Rama tha se mandati i dytë mbyllet me një notë pozitive, ku qeveria ia doli të kalonte të dy sfidat atë të tërmetit dhe pandemisë. Ai ka pasur edhe një apel të fortë për qytetarët që të vaksinohen pasi sgmangin fatalitetin nga COVID-19 dhe se të gjitha vaksinat janë efektive.

"Mbyllet me një notë pozitive, besoj unë, puna e një mandati tejet të vështirë, kur tërmeti më parë dhe pandemia më pas diktuan me një forcë të pashembullt ndryshimin e prioriteteve tona qeverisëse. Jam sinqerisht krenar që ia dolëm me përkushtim, profesionalizëm e durim të madh, pjesës më të vështirë të këtyre dy sfidave ekstreme, që shfaqen ne rrugën e një qeverie një herë në 100 vjet. Ende nuk ka mbaruar as pandemia, nuk ka përfunduar krejt as rindërtimi, por qoftë me pandeminë dhe qoftë me pasojat e tërmetit kemi marrë tanimë një avantazh të konsiderueshëm. E përtej çdo konsiderate të aktualitetit, lëvdatave apo kritikave në drejtimin tonë, sesi i kemi menaxhuar këto dy kriza krejt të jashtëzakonshme, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie në historinë aspak të lehtë qeverisëse të këtyre 30 viteve. Garantimi i vaksinimit masiv dhe një fushatë e gjatë profesionale, cilësore e vaksinimit ka bërë që edhe goditja e asaj që po merr trajtën e valës së tretë përmes variantit Delta të Coronavirusit të jetë përgjithësisht e moderuar. Fatkeqësisht kemi ende fatalitete edhe sot që flasim, disa jetë janë në rrezik serioz në pavijonin e terapisë intensive të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por ato janë edhe një mësim domethënës, fare konkret për të gjithë, për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar ndër rreth 80 persona të shtruar në spital nuk shfaqin shenja rëndimi të gjendjes që imponojnë intubimin, duke rrezikuar seriozisht edhe vetë jetën pastaj. Për skeptikët e vaksinës Sinovac, që kërkojnë medoemos vaksinë Pfizer, mbase vlen edhe e dhëna që në grupin e të vaksinuarve të shtruar në spital ndahen pothuajse gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac. Prandaj shfrytëzoj rastin t’iu bëj apel atyre që ende nuk e kanë bërë vaksinën, të mos humbasin kohë dhe as të mos rrinë në pritje duke rrezikuar infektimin, pa patur imunitetin e garantuar nga vaksina, me mendimin e gabuar se Pfizer bën e Sinovac nuk bën, por të përfitojë një orë e më parë nga mundësia e vaksinimit për të gjithë. Vaksina nuk i mbron të gjithë nga infektimi, por ama është e qartë si drita e diellit se ajo përqindje krejt e vogël të vaksinuarish që preken prej virusit të egër ka imunitetin e nevojshëm për ta kaluar sëmundjen pa kërcënim fatal të jetës. Vaksinohuni, vaksinohuni, vaksinohuni. Teoritë e konspiracionit botëror dhe frika nga vaksina e lënë organizmin e njeriut të paarmatosur si duhet përballë këtij virusi vdekjeprurës, të cilin mesa duket do ta kemi ende nëpër këmbë edhe këtë dimër. Numrat po rriten dhe nëse sot jemi sidoqoftë goxha më të mbrojtur se shumë të tjerë në rajon apo gjetkë, kjo ka vetëm një arsye; numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Vaksinën duhet ta bëjnë me patjetër edhe ata që e kanë kaluar COVID-in, sepse të gjithë studimet dhe këshillat e shkencës thonë se nuk ka një imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi vrastar.", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Takimi i fundit për mandatin e dytë, Rama: Javën e ardhshme prezantoj qeverinë e re! Ky mandat u mbyll me nota pozitive! Turizmi dhe Arsimi, dy dikasteret me kritika


I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën

Vuçiç: Sa të jem unë president, nuk do ta njoh kurrë Kosovën