Në mbyllje të javës, kryeministri Edi Rama foli për disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të ditëve që lamë pas, të lidhura me rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Kryeministri i cilësoi zhvillimet si pjesë e një procesi të pandalshëm reformash dhe transformimesh që po e afrojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë me objektivin historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke forcuar njëkohësisht institucionet demokratike, sundimin e ligjit, transparencën dhe mirëqeverisjen.

Rama tha se dje, më 9 maj në ditën e Europës, Shqipëria e gjeti veten më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Edhe njëherë, kreu i qeverisë rrëzoi pretendimet se negociatat mes Unionit dhe Tiranës zyrtare janë bllokuar, duke theksuar se diçka e tillë jo vetëm nuk është e vërtetë, por "për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion".

"Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani  Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor",- tha Rama.

Javën që po lëmë pas, Tirana mirëpriti sesionin hapës, preludin e Kongresit Botëror të Ligjit, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shtetit të së drejtës që vjen në Shqipëri.

Kreu i qeverisë se përzgjedhja e Shqipërisë për zhvillimin e këtij eventi elitar të jurisprodencës botërore nuk është rastësi, por lidhet me përkushtimin e mazhorancës për të garantuar paprekshmërinë e sistemit të drejtësisë.

"Kështu që është edhe një herë tjetër një arsye për të qenë jo thjesht krenarë për reformën në drejtësi, por të vendosur për ta çuar atë përpara duke i qëndruar besnik atij hapi dhe atij vendimi historik që kemi marrë për të ndarë politikën nga drejtësia, për të ndarë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ nga pushteti i drejtësisë dhe për t'ia dorëzuar shpatën e drejtësisë zonjës së drejtësisë, e cila ka nevojë në Shqipëri të mbështetet, të ndihmohet, të mirëkuptohet në një proces ku, jo vetëm shpata, por edhe sytë e mbyllur dhe peshorja për të qenë e barabartë dhe e drejtë me të gjithë janë pjesë e kësaj përpjekje të madhe dhe të përbashkët",- tha Rama.