Kryeministri Edi Rama nisi sot turin "Për punët e Shqipërisë" me kryebashkiakët, takimi me të cilët në Pallatin e Kongreseve sapo ka përfunduar

Report Tv mëson se gjatë fjalës së tij në mbledhjen me kryebashkiakët e majtë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, kryeministri ka kërkuar të ketë fokus tek ngritja e emergjencave civile në nivel vendor dhe gjithashtu të ketë më shumë angazhim për Paketën e Maleve për shkak të interesit të lartë.

“Jemi duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve, sidomos në zonat turistike. Kemi nevojë të bashkëpunojmë për pastrimin”, mësohet të ketë thënë kryeministri Rama.

Në largim kryeministri Rama u ndal të komunikonte për pak çaste me kryetarin e Bashkise së Divjakës, Josif Gorrea.

Ndërkohë Rrok Dodaj, kryetari demokrat i bashkisë së Pukës tha se nuk i është lejuar të marrë pjesë në mbledhje.

Ai ka konfirmuar për Report Tv se ka pasur ftesë për të marrë pjesë në takim përmes emailit, por nuk është lejuar të futet në ambientet e Pallatit të Kongreseve për shkak se nuk kishte emrin në listë. Në një sqarim të mëtejshëm, ai tha se është kontaktuar nga PS dhe i kanë shpjeguar se ftesa i është dërguar gabimisht nga sekretarja.

Disa prej kryetarëve demokratë pranuan se kanë marrë ftesë, ndërsa të tjerë thanë se nuk janë ftuar.

Miftar Dauti, kryetar i Bashkisë së Hasit dhe Albert Mëlyshi i Mirditës thanë se nuk kanë marrë ftesë.

Ftesën e konfirmoi edhe Hilë Curri i Fushë-Arrëzit.

PS ka konfirmuar se ftesa u është dërguar vetëm kryebashkiakëve socialistë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:43
Nuk u lejua në takimin e Ramës me kryebashkiakët, reagon Rrok Dodaj: Keqkuptim teknik! Njoftimi im ishte lapsus i organizatorëve

Kryetari demokrat i bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, ka sqaruar publikisht situatën pasi nuk u lejua në takimin e kryebashkiakëve socialistë me kryeministrin Rama duke e cilësuar si “keqkuptim teknik.”

Dodaj shkruan se njoftimi kundrejt tij kishte qenë një lapsus i organizatorëve sepse emri i tij nuk përfshihej në listën e ftesave. Ai thotë se organizatorët i kanë krijuar ndjesë dhe treguar gatishmëri që të hynte në takim, por ai është tërhequr.

“Për hir të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj një situatë të krijuar gjatë zhvillimit të një takimi të njoftuar për ditën e sotme me Kryeministrin.

Pas një njoftimi paraprak për pjesëmarrje, u paraqita pranë ambienteve ku do të mbahej takimi. Në hyrje u konstatua se emri im nuk figuronte në listën përfundimtare të pjesëmarrësve. Nga komunikimi i mëtejshëm rezultoi se bëhej fjalë për një lapsus nga ana e organizatorëve, pasi jo të gjithë kryetarët e bashkive kishin qenë të përfshirë në listën zyrtare të ftesave, ndër të cilët edhe unë.

Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe nga ana e organizatorëve pati një ndjesë për këtë pasaktësi dhe keqkuptim të krijuar si pasojë e njoftimeve të mëparshme. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëria për të më mundësuar hyrjen në takim, por në mirëkuptim të plotë të rrethanave dhe duke respektuar organizimin e përcaktuar, vendosa të tërhiqem.

E gjithë situata u zhvillua në një frymë korrekte dhe mirëkuptuese, duke mbetur në kuadrin e një keqkuptimi teknik, pa asnjë element tjetër përtej kësaj.

Faleminderit për mirëkuptimin”, përmbyll Dodaj.

P.J/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 31 Mars, 11:25

    A besoni se Drejtori i ri Policisë, Hita do luftojë krimin dhe korrupsionin?