TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot takime në disa biznese të vogla të zonës së Paskuqanit në Tiranë. Kryesocialisti u shpreh se do t’i rikthejë dinjitetin bizneseve dhe qytetarëve përmes një taksimi të ndershëm, dhe jo siç ndodh sipas tij, që “kryeministri paguan më pak taksa se sa çdo punonjës i thjeshtë në godinën e Këshillit të Ministrave.”

Rama premtoi se “Partia Socialiste me Programin e saj për një Rilindje Shqiptare është e vendosur të luftojë korrupsionin, por po ashtu do financojë më shumë për arsimin, shëndetësinë, duke i dhënë një ndihmë konkrete edhe gjallërimit të sipërmarrjes së vogël duke hequr menjëherë, me ardhjen në qeverisje, taksën e biznesit të vogël.”

“Kjo punë nuk vazhdon dot kështu. Është një rrënim i vazhdueshëm 3 minuta nga Tirana, megjithëse edhe në Tiranë gjendja nuk është më e mirë kur vjen puna tek biznesi. Biznes i thënçin se ky është vetëpunësim. Taksën e biznesit të vogël ne do ta heqim dhe absolutisht jam i bindur që në qoftë se do ulim maksimalisht dhe taksën e korrupsionit që e katandisi Shqipërinë me Nigerinë dhe me Etiopinë, turp i madh, simbole të korrupsionit botëror, do gjejmë mundësi edhe të financojmë më shumë për arsimin e fëmijëve, të financojmë më shumë për shëndetësinë, të financojmë më shumë patjetër për ekonominë”, - u shpreh Rama.

Ndërkaq, tregtarët në bashkëbisedim me kryesocialistin treguan listat e tejzgjatura me borxhet e krijuara nga banorët e zonës.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)