Gjatë fjalës së tij me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, kryeministri Rama tha se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ka një sërë kriteresh për t’u plotësuar sa i përket sigurisë ushqimore. Rama tha se në rast mospërmbushjeje të kushteve, fermerëve u ndalohet edhe shitja në Shqipëri sepse bëjnë pjesë në tregun europian.
Ai tha se qeveria do të bëjë pjesën e saj me mbështetjen financiare, por fermerët s’mund të presin vetëm nga qeveria. Duke renditur disa prej linjave sesi ata mund të financohen, kryeministri tha se nevojitet të kenë një projekt, ndërsa bashkitë janë vetëm garantë për grupet e interesit që të përfitojnë fondet.
“Hapja me BE kërkon që sot të fillojmë përgatitjet për të kuptuar çfarë ndodh nesër. Në rast se nuk plotësohen kriteret ushqimore të BE, ndalohet shitja këtu sepse je pjesë e tregut të BE. Natyrisht që kjo vjen pas një periudhe 15-vjeçare sepse në rast se ne jemi brenda BE në 2030, në 2040 ndodh kjo, por 15 vjet kalojnë shumë shpejt, më pyesni mua. Mua më vjen mirë dhe nuk e diskutoj që nga këto dëgjesa çfarë kemi ne në dorë si qeveri në pikëpamje të buxhetit, mbështetjes, infrastrukturës së ujitjes, kullimit, mbrojtjes, ne do ta bëjmë duke i rritur financimet.
Për të bërë kapërcim dhe për t’u bërë më të suksesshëm në gjithë këtë territor dhe për ta pasur suksesin shumë më të shpërndarë, duhet që secili të informohet dhe të bëjë gati atë që duhet për të marrë më shumë financim. Më shumë financim nuk vjen nga buxheti, vjen nga linja e kredisë së Bankës së Greqisë, nga Banka e Zhvillimit, Agrokrediti, fondet e BE. Të gjitha këto duan projekt. Po s’e tregove dhe po s’the urdhëro, ky është projekti dhe kështu do të nxjerr fitim e do të paguaj, s’merr lekët. Bashkë me bashkitë, të gjithë grupet që kanë interes, të krijojnë ndërmarrjet e përpunimit ku bashkitë janë thjesht garantë të financimeve për të marrë këto fonde”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama me fermerët: Përthithni financimet, duhen projekte! Plotësoni kushtet e BE, bashkitë t’iu vijnë në ndihmë me aplikimet për kredi












