“Raportet tona me PBDNJ flet historia e afërt dhe më e largët, tradita e një miqësie fqinjësie të mirë dhe një marrëdhënie të mirë të mbështetur në respektin reciprok. Jam shumë i kënaqur që me mikun e kolegun tim Vangjel Dule, kreu i PBDNJ kemi dakordësuar që të hyjmë së bashku në koalicionin aleanca për Shqipërinë Europiane”- tha Rama.
DULE: BASHKE PER ROTACIONIN E NEVOJSHEM
”Jemi sot në konkludim të bisedimeve për bashkëpunim me Partinë Socialiste. Bashkëpunimi ynë nuk është një bashkëpunim që ka filluar rishtazi, është një bashkëpunim prej vitesh dhe kjo na bën më të sigurt. E njohim mirë njëri tjetrin si forca politike, njohim mirë pikat që na bashkojnë, sikurse edhe vështirësitë që mund të kemi pasur në të shkuarën. Pas 4 vitesh opozite me vizion, me objektiva të qarta, është momenti më kulmor që për vendin, shoqërinë dhe qytetarët të realizohet rotacioni i shumëdëshiruar. Një rotacion jo për hir të rotacionit, jo si qëllim në vetvete, por për t’i hapur vendit perspektivën e integrimit në familjen europiane. Ky bashkëpunim besojmë se do të ketë kontributin e vet sado të vogël edhe nga ana jonë, në arritjen e këtij objektivi madhor"- tha Dule, kryetari i PBDNJ-. së, parti e cila përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, pas takimit me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, njoftoi bashkeunimin mes tyre për hyrjen së bashku ne zgjedhjet e 23 qershorit në koalicionin e quajtur Aleanca për Shqipërinë Europiane . Në konferencën për shtyp, pas bisedimeve me dyer të mbyllura që zgjatën rreth 45 minuta në selinë e PS, krerët e partive përkatëse nuk dhanë detaje mbi kushtet e vendosura ndaj njëri tjetrit por shprehën kënaqësinë e bashkëpunimit.
Vendimi i këtij bashkëpunimi vjen një dite pasi anëtari i propozuar nga PBDNJ në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Jani Jani dha dorëheqjen, pasi mbajti të ngrira funksionet e tij në këtë institucion për disa ditë.
Pasdite Rama do të udhëtojë drejt Shkodrës ku do të firmoset marrëveshja për koalicion parazgjedhor me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Marrëveshja do të firmoset sot pasdite nga kreu i PS-së Edi Rama dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një ceremoni të veçantë në qytetin e Shkodrës.
Nesër është afati i fundit për dorëzimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Koalicioneve Zgjedhore. është 23 prilli (nesër) dhe PD e PS kanë thënë se do ta respektojnë këtë afat.
PS ka zhvilluar dje negociata dhe me PSD e Skënder Gjinushit dhe PDS-në e Paskal Milos të cilat pritet të zyrtarizohen po sot.
Burime nga PS bëjnë të ditur se kanë vazhduar deri mbrëmë vonë negociatat intensive mes PS e Aleancës Kuq e Zi të Kreshnik Spahiu rreth një bashkëpunimi të mundshëm i cili sot pritet të marrë përgjigje përfundimtare.
(sg/shqiptarja.com)