Rama me policët:Ndërhyja juaj
në Lazarat, kontribut për statusin 

Rama me policët:Ndërhyja juaj<br />në Lazarat, kontribut për statusin 
TIRANE- Ndërhyrja e policisë në Lazarat dha kontribuat për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Këtë e ka shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar në Pallatin e Brigadave me efektivët që morën pjesë në operacionin e Lazaratit, duke i shtrënguar dorën një për një në shenjë falenderimi. Në vlersëim të operacionit në lazarat, i cili po vijon të zhvillohet, kreu i qeverisë ka shtrënguar dorën me efektivët me punonjësit e Policisë së Shtetit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat RENEA, Policinë Rrugore, dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion.

Rama-policëve: Ajo çfarë bëtë në Lazarat e jashtëzakonshme, kontribuuat për statusin

Kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë nga punonjësit e policisë gjatë aksionit që po vijon të zhvillohet në Lazarat, ndërsa tha se kjo ishte një tjetër ngjarje që dha kontribut në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
 
“Ajo që ju bëtë në Lazarat nuk është e pazakonshme, është e jashtëzakonshme. Një pjesë e kolegëve tuaj po vijojnë aksionin në Lazarat, në atë vend drogë që mbuloi me turp Shqipërinë. Do doja t’u shtrëngoja dorën sot për kontributin e dhënë, ashtu si dhe ju sot, pasi ju ia ngritët kokën lart Shqipërisë, dhe kontribuat drejtpërdrejt edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Treguat se me çfarë përkushtimi të përbashkët e kemi ne të vullnetin për të ecur përpara e për të ndërtuar të ardhmen”, tha kryeministri Rama.
 
Kryeministri u ndal edhe tek festimet e bëra nga qeveria e kaluar në raste të tilla, por theksoi se kjo traditë tashmë ka marrë fund, pasi sipas tij “kjo nuk është fitore e qeveritarëve, por e qytetarëve”.

“Ne sot duhet të ishim në një koncert 1 milionë dollarësh për vendimin e marrë në mëngjes nga ministrat e BE. Flamujt e NATO-s, BE-së, Shqipërisë dhe partisë tani duhet të ishin duke u valëvitur në sheshin Nënë Tereza, nën ritmin e këngëve të Çiljetës. Ndërsa unë duhet ë ndodhesha i rrethuar nga 120 roje në pritje për të nisur fjalimin e radhës, dhe për fitoren mbi opozitën.

Por edhe ajo traditë fodullëku mu në mes të Evropës sot merr zyrtarisht fund, kjo nuk është dita e qeverisi, është dita e Shqipërisë. Kjo nuk është dita e qeveritarëve, por e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi pa përjashtim, është edhe dita e punonjësve të policisë. Është dita e atyre që dalin në mëngjes, përqafojnë nënën, gruan, fëmijët, dhe nuk e dinë nëse do kthehen, por janë në krye të detyrës, për të vendosur zbatimin e ligjit. Dua të vlerësoj qershinë në tortën e kësaj feste të sotme, superaksionin e Lazaratit. Respekte! Respekte! Respekte!”, vijoi Rama.

Duke u ndalur tek puna e punonjësve të policisë, kryeministri i siguroi ata se qeveria do të punojë për të përmirësuar kushtet e punës së tyre.

“Unë e di se sa e vështirë ka qenë dhe mbetet puna juaj, detyra juaj, lufta juaj. Duhet të dini se për sa kohë do jemi në detyrë unë dhe ministri i Brendshëm ju nuk do jeni kurrë vetëm, nuk do të jeni të tradhtuar. Do bëjmë që kushtet tuaja të punës të jenë më të mira, dhe lufta juaj të jetë me fitore”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se duhet të vijojë puna për ta renditur Policinë shqiptare mes policive më të mira të Europës.
 
“Lazarati tregoi se ne mundemi, por nuk tregoi se ne kemi arritur aty ku duhet të arrijmë. Ambicia ime është e qartë, që brenda këtyre 4 viteve ne nuk duhet të krahasohemi as me të kaluarën as me të tashmen, por me më të mirët e rajonit. Në 10 vitet e ardhshme ne duhet ta renditim Policinë e Shtetit shqiptar, mes policive më të mira për Europës. Kjo nuk është utopi. Është tjetër gjë që ndërtosh një polici që kryen një operacion në Lazarat, dhe të ndërtosh një polici që vepron çdo ditë në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Statusi i kandidatit nuk është diploma që ne na jep rezultatin për fundin e detyrave tona, është thjesht certifikata që na garanton të vijojmë të bëjmë detyrat tona. Duke folur për policinë e Shtetit është detyra jonë që të zhdukim korrupsionin nga brenda strukturave të Policisë së Shtetit”, tha Rama.

Në fillim të aktivitetit të organizuar për këtë rast, janë shfaqur në monitor disa nga momentet më të rëndësishme gjatë ndërhyrjes së policisë në Lazarat.

Në fjalën e saj, Zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea vlerësoi edhe pjesëmarrjen e punonjëseve femra të policisë në këtë aksion, ndërsa theksoi se do vijohet me projektet e zhvillimit në Lazarat.
 
“Projektet e zhvillimit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të vijojnë pas aksionit të policisë në Lazarat, për ta kthyer vendin në normalitet”, tha Elona Gjebrea.

Tahiri: Kemi vullnetin për të bërë shtet, për të vendosur sundimin e ligjit
Për ministrin Tahiri ndërhyrja në Lazarat ka të bëjë me ndryshimin e vullnetit për të bërë shtet, sipas tij tani banorët e Lazaratit ndihen më të çliruar nga trafikantët. Tahiri u shpreh se ndihet krenar për policinë duke hapur një faqe të re në historinë e shtetit. Fjala e ministrit Tahiri në takimin me policët

“BE sot njohu përpjekjet dhe arritjet tona në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Këto janë momente të rëndësishme për vendin, kanë rimëkëmbur dinjitetin që i takon Policisë së Shtetit shqiptar. U shemb një bunker kriminal në Lazarat që mbante peng një fshat të tërë, dhe dëmtonte imazhin e gjithë vendin. Ishte ngritur nën hundën e shtetit perandoria e Lazaratit. Më kanë pyetur si ndodhi që kjo të ishte në zemër të vendit, dhe askush të mos ndërhynte për gjithë këto vite. Por tani ka ndryshar vullneti. Dhe ne kemi vullnetin për të bërë shtet, për të vendosur sundimin e ligjit. Ne rilindëm dhe e ngritëm në këmbë policinë e Shtetit. Unë vizitova Lazaratin dhe takova njerëz që ndiheshin të çliruar nga trafikantët e drogës. Do të hapim një kapitull të ri zhvillimi për këta banorë, për Lazaratin dhe për gjithë vendin. Në shumë raste më parë shefat ishin ura lidhëse me krimin, ndërsa sot është e qartë se policia e shtetit nuk tradhtohet dhe nuk lihet në baltë nga askush. Sfida të mëdha kemi ende përpara në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut dhe korrupsionit. Ne kemi sfidën e madhe të çojmë përpara luftën e shpallur kundër kriminalitetit, edhe me ata që janë lart, duhet të përballemi edhe me ata që bëjnë padrejtësi. Do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, dhe të vendosim përgjegjësit para ligjit. Unë jam krenar për Policinë e Shtetit, e veçanërisht për punën që e bëtë në Lazarat. Keni hapur një faqe të re në historinë e shtetit. Bravo të Gjithëve.”

Didi: Operacioni i Lazaratit, i veçantë
Kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi vlerësoi punën e punonjësve të policisë gjatë aksionit në Lazarat, ndërsa shpreh mbështetje edhe për efektivët që po vijojnë operacionin aty. Fjala e Artan Didit në takimin me punonjësit e Policisë
 
“Ky operacion ishte i veçantë. Ndonëse u përballët me breshëri plumbash, ju nuk u tërhoqët. U qëlloi të bënit nga 8 orë rrugë, e sërish të kapnit pozicione më të përparuara, dhe nuk thatë u lodhëm. Bashkëpunimi ishte i palodhshëm. Ky operacion nuk ka emra të përveçëm, por ka vetëm emrin e punonjësve të policisë së vijës së parë. Kush nuk i ka provuar nuk mund të kuptojë çastet e një operacioni ku vihet në rrezik jeta. Në këtë rast të gjithë ishin në një mendje, të vërsuleshin në këtë operacion, pa marrë parasysh rrezikun”.

Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç