Në prezantimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në atë që quhet Akademia Ushtarake, gjeneral major Jeronim Bazo, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka deklaruar në mënyrë indirekte se Shqipëria ka detyrime ndaj SHBA.
Por në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ditën e djeshme kryeministri ka qënë i detyruar që të japë shpjegime, pas gjithë debateve të shpërthyera në media dhe në rrjetet sociale, ku deputetë të ndryshëm janë shprehur kundër vendimit për asgjësimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, me argumentin se vendi ynë nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të kryer një operacion të tillë.
Dhe bashkë me këta zëra ka qënë dhe ai i Ilir Metës, aleati më i afërt i Ramës në qeveri, njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Mësohet se kreu i qeverisë Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ka dhënë shpjegime në lidhje me debatet që kanë shpërthyer për armët kimike që mendohet të vijnë në Shqipëri.
Ai mësohet të ketë thënë se këtë shpjegim e ndjente si detyrë për ta dhënë për shkak të keqintepretimeve që janë bërë, për një vendim të mundshëm të marrë nga ana e qeverisë shqiptare që këto armë do të asgjësohen në Shqipëri. Rama mësohet të ketë thënë se “është biseduar me SHBA dhe aleatët tanë në NATO për mundësinë e asgjësimit të një pjese të armëve kimike siriane në Shqipëri.
Por gjithçka është në fazën e diskutimit dhe aspak në atë të vendimit, pasi vendimi përpara se të merret do të diskutohet me deputetët e PS dhe aleatët. Por të gjitha lajmet për një vendim të tillë janë keqinterpretime, kemi diskutuar me aleatët tanë si vende partnere në NATO, si një vend që ka detyrimin për të dhënë kontribut në kuadër të kësaj Aleance me kapacitetet që ka”. Duke nënvizuar se çdo vendim, që “kalon nga Kuvendi” do të diskutohet dhe vendoset me deputetët e PS dhe të opozitës. Njëherësh kryeministri nuk e ka shtruar çështjen për diskutim, pasi sipas tij, “sot nuk e kemi mbledhjen për të diskutuar në lidhje me armët kimike, pasi nuk jemi përpara situatës për të marrë vendim, por kam ardhur vetëm t’ju informoj mbi atë që është disktuar deri më tani”. Duke ndërprerë në këtë mënyrë dhe deputetin Kokëdhima që kishte kërkuar fjalën, për të pyetur apo për të diskutuar.
INFORMIMI I GRUPIT PS
“Sot nuk e kemi mbledhjen për të diskutuar në lidhje me armët kimike, pasi nuk jemi përpara situatës për të marrë vendim, por kam ardhur vetëm t’ju informoj mbi atë që është disktuar deri më tani”. Duke ndërprerë në këtë mënyrë dhe deputetin Kokëdhima që kërkoi fjalën.
Shkrimi u publikua sot (12.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)