Rama me tone të ashpra BE-së: Negociatat janë çështje 'jetë a vdekje', të hapen në qershor

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një çështjeje ‘jetë a vdekje’ hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në një intervistë për ‘Euronews’, kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se negociatat duhet të hapen në muajin qershor.

Sipas tij, kjo nuk i kushton asgjë Evropës dhe nuk do të shpenzojnë asnjë cent për Shqipërinë. Më tej, kryeministri Rama sqaron se çelja e negociatave do të thotë se shqiptarët po shikojnë drejt së ardhmes dhe kanë lënë pas të shkuarën.

Nuk na duhet një datë për të inkurajuar popullin. Ne duhet të hapim negociatat në Qershor. Kjo është e gjitha. Dhe nuk na duhet asgjë tjetër. Vetëm të hapen negociatat dhe për Evropën kjo nuk kushton asgjë, nuk do të shpenzojnë asnjë cent për ne. Për ne, kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë

Intervista:
Euronews: Serbia dhe Mali i Zi, që konsiderohen si vendet me më përparësi për integrimin, mund t’i bashkohen BE-së në vitin 2025. Kjo është një datë treguese. Kur mendoni se Shqipëria do të ndjekë hapat e këtyre vendeve?

Edi Rama: Sot po, Serbia dhe Mali i Zi janë në procesin e negociatave dhe janë përpara nesh në këtë proces. Por viti 2025 është një horizont ku të gjithë ne mund të arrijmë nëse punojmë shumë dhe bëjnë punën tonë.

Euronews: Ju duhet një datë për të inkurajuar popullin që të ndjekë të gjitha reformat e nevojshme?

Edi Rama: Nuk na duhet një datë për të inkurajuar popullin. Ne duhet të hapim negociatat në Qershor. Kjo është e gjitha. Dhe nuk na duhet asgjë tjetër. Vetëm të hapen negociatat dhe për Evropën kjo nuk kushton asgjë, nuk do të shpenzojnë asnjë cent për ne. Për ne, kjo është çështje jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave do të thotë se ne po shikojmë drejt së ardhmes dhe kemi lënë pas të shkuarën.

Euronews: Ka disa sfida të tjera që BE po i kushton rëndësi. Z.Juncker thotë se ka ende krim të organizuar dhe nuk dëshiron që kjo situatë të importohet në BE.

Edi Rama: Para së gjithash, nuk prisnim që Presidenti Juncker apo dikush tjetër të na tregonte se kemi ende një luftë të madhe për të bërë me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Thelbi është ky. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë për hapjen e negociatave. Dhe makineria e Komisionit, që është një makineri e fuqishme me shumë ekspertë që merren me fakte dhe jo me lajme të rreme, na ka dhënë një rekomandim pozitiv pa kushte. Por që t’i ndash shtetet në vende me krim dhe vende pa krim, është më shumë se kaq. Nëse ekziston një krim i organizuar Europian, është një krim i organizuar i ndërlidhur dhe ne duhet ta luftojmë bashkë.

Euronews: Duke folur për sfidat e brendshme, dua të flas për një çështje shumë të ndjeshme për BE-në, që është liria e medias. Dhe së fundmi ka pasur një raport nga Reporterët pa Kufij, që thotë se 80% e gazetarëve ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe të ekspozuar nga fyerjet – thonë ata – nga Edi Rama që i ka quajtur ata kazanë dhe armiq. Ky është mendimi që keni për gazetarët e vendit tuaj?

Edi Rama: Kur them kazanë, në shqip është njësoj si të thuash lajme të rreme (fake neës), sepse nuk përkthehet mirë kjo fjalë në shqip. Nuk e kam fyer kurrë një gazetar personalisht. Unë sigurisht shpreh mendimin tim për mediat kazanë dhe kemi shumë media kazanë sot nëpër botë. Nëse ata kanë të drejtën e tyre për të shprehur mendimet, kjo nuk do të thotë që unë nuk kam të drejtë të shpreh mendimet e mia.

Euronews: Por i njëjti raport thotë gjithashtu se standardet manipulohen në interes të qeverisë.

Edi Rama: Kjo është një tjetër absurditet. Por nuk dua të flas…Është gjithmonë e dyshimtë kur dëgjon një Kryeministër, një President apo një politikan të thotë se media po gënjen. Por media po gënjen shumë kohët e fundit. Ky është një problem. Dhe unë e respektoj shumë solidaritetin mes mediave dhe Reporterëve pa Kufij apo këdo tjetër. Ata bëjnë punën e tyre, unë bëj timen.

Euronews: E dimë se në Ballkan ka shumë shqiptarë dhe në shtete të tjera. Ju e perceptoni veten si lider të shqiptarëve, të popullit shqiptar apo jo?

Edi Rama: Në Kushtetutë, ne kemi për detyrim të mbrojmë shqiptarët kudo ku ndodhen jashtë vendit, por në të njëjtën kohë mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë se sa sot. Në Kosovë, tani kanë shtetin e tyre. Në Maqedoni, janë pjesë e një revolucioni të vërtetë për ndryshimin e qasjes ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj popullit shqiptar. Në Jug të Serbisë, shpresoj që kushtet e tyre do të përmirësohen duke u bazuar në faktin se serbët në Kosovës trajtohen goxha mirë.

Euronews: Kohët e fundit keni hedhur idenë për një udhëheqës të përbashkët me Kosovën. Kjo shkaktoi shumë reagime.

Edi Rama: Më vjen keq për këto reagime, por qëllimi nuk ishte që të bëhej deklaratë tronditëse. Ishte më shumë një imagjinatë, në një situatë të veçantë në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. 20 vjet më parë, nëse dikush do të kishte folur për pavarësinë e Kosovës, do të kishte tronditur botën. Sot ja ku jemi dhe çfarë do të ndodhë 20 vitet e ardhshme? Dhe para se të thoja përse të mos kemi një President për dy vendet, kisha thënë se dialogu me Serbinë do të kishte përfunduar me sukses, shqiptarët dhe serbët do të ishin anëtarë të Bashkimit Europian. Kështu që, kishte shumë parakushte për të shkuar deri në pikën e një Presidenti të përbashkët për të dy vendet.

Euronews: Pendoheni për këtë deklaratë?

Edi Rama: Jo.

Euronews: E përjashtoni projektin e bashkimit të shqiptarëve në të ardhmen, ndoshta?

Edi Rama: Jo. Gjithmonë e them se ëndrra ime është që të bashkohemi nën çatinë e Bashkimit Europian dhe nuk kam ëndërruar kurrë për një Shqipëri të Madhe sepse unë kam një ëndërr më të madhe, një Evropë të Madhe me shqiptarët brenda saj.

Euronews: Ekziston një mendim se, projekti i zgjerimit të BE u riaktivizua sepse në rajon kishte shumë prezencë të Rusisë, shumë prezencë të Turqisë dhe shumë prezencë të Kinës. Mendoni se këto shtete mund të përdorin rajonin e Ballkanit për të destabilizuar BE-në?

Edi Rama: Po, është një hapësirë boshe që dikush duhet ta mbushë. Dhe ky boshllëk i përket Europës dhe Bashkimit Europian. Kështu që, Bashkimi Europian duhet të marrë përgjegjësitë për këtë hapësirë strategjike. Sepse nëse është një hapësirë boshe, sigurisht që do të ketë të tjerë që do të përpiqen për ta mbushur.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Albani: 16/05/2018 22:09

    Rama sikur do ti kishte kryer detyrat e shtepise;ato jane shumeta sigurisht s do te kishte nevoje te shkone dete me dere per te bere lutje ne hapjen e negociatave.Rama kerkone me ngulm e gadi shantazhon BE n se mos po kalon anen e Lindjes.S do te hapen negociatat per antarsim deri sa qindra shqipetare kerkojne akoma azil ne shtetet e BE s dhe krimi e korrupcioni e kane kapluar Shqiperine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar