TIRANË, 10 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur rolin e OSBE-së në Shqipëri, ndërsa ish-kryeministri Berisha ka braktisur sallën.
Në një pritje të zhvilluar nga OSBE, kryeministri Edi Rama u shpreh se "OSBE në gjithë këto vite ka bërë një punë të shkëlqyer në Shqipëri dhe se është për t'u vlerësuar roli i OSBE në zgjedhjet e 23 qershorit që, sipas ti,j ishin zgjedhje të lira".
Po ashtu, Kryeministri Rama në vijim të fjalës së tij, u shpreh se "Paqja dhe siguria janë gjithmonë në pikëpyetje dhe të lidhura pazgjidhshmërisht me të drejtat e njeriut. Sot duhet të vlerësojmë lart ndihmesën e OSBE në kalvarin e gjatë që na u desh të kalonim deri në çlirimin e zgjedhjeve. Sot kemi mundësinë të vlerësojmë gatishmërinë e OSBE edhe në ndihmën ndaj Kosovës, edhe sa i takon të drejtave të pakicave".
"Duhet të bëjmë në Ballkan ato që janë të nevojshme. OSBE na përcjell ekspertizë, këshilla dhe mbështetje në këtë rrugë dhe proces. OSBE ka pasur qysh në krye të herës një barrë jo të lehtë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut", pohoi ai.
Në pritjen e OSBE-së ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës shqiptare, të cilët kanë dëgjuar fjalën përshëndetëse të kryeministrit Rama. Por ajo që bëri përshtypje, ishte largimi i ish-kryeministrit Berisha, qe braktisi sallën sapo kryeministri Rama mori fjalën, ndërsa përfaqësues e tjerë të opozitës shqiptare kanë dëgjuar deri në fund fjalën përshëndetëse të kryeministrit Rama.
"Nuk e kisha pritur kurrë që opozita të rrinte dhe të dëgjonte fjalën time dhe falënderoj opozitën që dëgjoi fjalën time këtu në praninë e OSBE-së", u shpreh kryeministri Rama.
Pak minuta me vonë nga takimi, ish-kryeministri Berisha shkruan ne Facebok duke u shprehur se "Sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut braktisa në shenjë proteste pritjen e OSBE-së për shkak të Edi Rames! Këtë vit, si çdo vit tjetër, prania e OSBE-së në Tiranë organizoi një pritje për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Duke falenderuar pranine e OSBE për ftesën dhe pritjen, ju njoftoj se u largova, pasi në këtë pritje fjala iu dha Edi Rames për të folur për këtë ditë. Ne largimin tim e sipër i thashe zëvendës/ambasadorit të OSBE- së se po largohesha pasi nuk mund të degjoj të flasë në këte ditë, duke argumentuar sipas tij në vijim te komentit, se kryeministri Rama është dhunues i të drejtave". /a.ke/