Rama: Metës ju falën skandale dhe hile, çfarë do më shumë nga Shqipëria?! Akt brutal (VIDEO)

Rama: Metës ju falën skandale dhe hile, çfarë do më shumë nga Shqipëria?! Akt brutal (VIDEO)

Një akt brutal dhe i patolerueshëm i Ilir Metës, e ka quajtur kryeministri dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

"Fatkeqësisht dhe jo rastësisht, ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal, transgresiv, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës. E pyes shpesh veten, çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria?

Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere, sesa këtij njeriu, të cilin, pa mbushur ende 50 vjeç, e ka bërë si askënd tjetër në histori, edhe Kryeministër, edhe Kryetar Kuvendi, edhe President të republikës? Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet, hiletë, skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia të rilindë, i penduar, i burrëruar, i kthjelluar? Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten, çfarë mund të bëj që t’ia laj sado pak Shqipërisë, detin me borxhe që i ka; Që t’ia laj sado pak shqiptarëve, pa dallim, llumin me borxhe që u ka; Që t’ua laj sado pak socialistëve dhe zgjedhësve të mi, borxhet e të gjitha moteve dhe rasteve kur më kanë mbështetur në përpjekjet e mia, më kanë toleruar për zararet e mia?

Janë pyetje natyrisht retorike këto. Historia e shtetit shqiptar nuk e gjen një të dytë politikan me të cilin Shqipëria të ketë qenë kaq zemërgjerë. Si të tilla, këto pyetje retorike na çojnë edhe tek përgjigja, lidhur me pse-në e rrëshqitjes më të fundit të Ilir Metës. Sepse Ilir është mësuar keq, si s’ka më keq, ta tundojë Zotin e tij, ta përqeshë fatin e tij, ta shqelmojë të mirën e tij, duke u bërë me vend e pa vend protagonist i një skene ku Metës, asnjëherë nuk i mjafton roli që ka, vendi ku ndodhet, maja ku ngjitet.

Jo president të republikës, por mbret të të gjithë shqiptarëve po ta shpallnin shqiptarët, madje jo vetëm të Shqipërisë, por të gjitha trojeve dhe viseve shqiptare, prapëseprapë, Ilir Meta nuk do ndihej mirë, nuk do qëndronte drejtë, nuk do ndalej së tunduar fatin e vet, me pakënaqësitë e tij të pashërueshme, me pangopësinë e tij të pashpjegueshme, me pagjumësinë e tij të pangushëllueshme. Sot, ne jemi këtu, dëshmitarë të një tjetër zarari të madh dhe të kotë, të dëmshëm e të papranueshëm të Presidentit të republikës. Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bashkohej me zjarrvënësin dhe telashin e saj historik, Sali Berishën, në përpjekjen e dëshpëruar të këtij të fundit për të ridjegur dhe bërë lëmsh Shqipërinë! Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të merrte përsipër shkeljen më skandaloze të Kushtetutës përmes fshirjes së firmës së tij me vetë firmën e tij! Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bëhej një trillues qesharak shkaqesh të paqena, për të justifikuar një budallallëk që do të shënohet si rast unikal në historinë e republikave parlamentare të planetit tonë!

Ka vetëm një arsye që i shpjegon të gjitha me dy fjalë, Ilir Meta", tha Rama.

E gjitha në këtë rast përfshihet në këto dy fjalë, Ilir dhe Meta. Të kërkosh jashtë këtyre dy fjalëve shkaqet e kësaj marrëzie antikushtetuese është e tepërt, por, sidoqoftë, kjo punë që po bëjmë sot e kërkon që t’u shpjegohemi shqiptarëve, por edhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, se si e qysh erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike.

Plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes fushatës së zgjedhjeve, - tha Rama  - duke theksuar se dekreti i tij ka kapërcyer mbi Kushtetutën.

"Pse u përdor, keqpërdor apo vetëpërdor, pak rëndësi ka kjo, Presidenti i republikës, duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar përtej kufirit të imagjinatës si një plumb qorr, për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve dhe pse xhanëm, ne nuk e shfrytëzuam mundësinë që na dha kjo marrëzi antikushtetuese, për të ndaluar fushatën dhe pritur si gomari që të mbijë bari, ditën kur do t’i mbushej mendja partive të Saliut dhe të Ilirit për të pasur një datë të re zgjedhjesh", tha kryeministri.


Lajmi kryesor:

Mazhoranca kalon 94-shen që do i duhej për shkarkimin e Metës/ Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) - VIDEO


G.M.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë