Mazhoranca kalon 94-shen që do i duhej për shkarkimin e Metës/ Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) - VIDEO

Mazhoranca kalon testin politik. 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta janë të sigurta. Këtë të enjte, pas 5 orëve mocion debati në Kuvendin e Shqipërisë, 100 deputetë votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë. Në përfundim të votimit, 100 vota ishin pro rezolutës, 7 kundër, 2 abstenim, ndërsa një deputet nuk mori pjesë në votim.

Për 5 orë kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një mocion debati mbi një rezolutë të Partisë Socialiste pas dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.

Mazhoranca pati në dispozicion 170 minuta ndërsa opozita bashkë me deputetët e pavarur, 130 minuta. Të gjithë një zëri e vlerësuan antikushtetues dekretin e Presidentit, por u ndanë tek institucioni që duhet ta 'gjykojë' atë. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari tha se i takon Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë zhdekretimin e zgjedhjeve, ndërsa vendimin e Metës e sheh të lidhur me bashkëshorten e tij, kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.

Për 40 minuta, kryeministri Rama argumentoi nga foltorja e parlamentit se pse Ilir Meta kishte shkelur kushtetutën, duke u përdorur politikisht, kur anuloi dekretin e zgjedhjeve në 30 qershor. Rama akuzoi nga Metën se zgjedhjet i anuloi për llogari të opozitës dhe foli për një plan politik të orkestruar mes Metës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për të bllokuar rrugën integruese në BE, dhe për t'iu shmangur drejtësisë. Instrumente të këtij plani ata kanë zgjedhur Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën me protestat me molotov, siç u shpreh shefi i mazhorancës. Rama tha se edhe publikimi i përgjimeve të Bild në një moment kyç të vendit i cili ndodhet para zhvillimit të zgjedhjeve lokale dhe pritjes së përgjigjes nga BE për hapjen e negociatave, është pjesë e këtij skenari.Edhe pse shkarkimin nuk ja përmendi në asnjë rast, kryeministri tha se Ilir Meta nuk mjaftohet me atë pushtet që institucionet që drejton mbartin. Kreu i qeverisë Metës Shqipëria i ka falur shumë skandale - theksoi kryeministri, duke thënë se 'edhe mbret po ta bëjmë, Ilir Meta është i pangopur'. Rama tha se '97-të të dytë nuk ka asnjë arsye të ketë dhe me argumentin se për zhvillimin e zgjedhjeve nuk vendosin partitë, por Kushtetuta, Edi Rama këmbënguli se nuk ka asnjë tërheqje nga 30 qershori.

Socialistët i kanë mbledhur firmat e nevojshme për nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, por nuk i kanë depozituar ato zyrtarisht në Kuvend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:11
Rezoluta kundër dekretit merr 100 vota (edhe opozitën e re) /EMRAT e 7 deputetëve që votuan kundër

Mazhoranca kalon testin politik. 94 votat që nevojiten për të shkarkuar presidentin Ilir Meta janë të sigurta. Këtë të enjte, pas 5 orëve mocion debati në Kuvendin e Shqipërisë, 100 deputetë votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues, dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë.

Në përfundim të votimit, 100 vota ishin pro rezolutës, 7 kundër, 2 abstenim, ndërsa një deputet nuk mori pjesë në votim. Kundër votuan 4 nga deputetët e ardhur nga listat e PD-së dhe 3 nga të LSI-së, që tashmë kanë grupin parlamentar të pavarur. Fatjona Dhimtri, Lefter Maliqi, Artur Roshi dhe Besnik Toplini nga PD, dhe Elda Hoti, Klajdi Qama dhe Vasil Sterjovski, nga listat e LSI. 

Kujtim Gjuzi  dhe Enada Kapllani, që mori mandatin nga LSI, abstenuan.

Ndërkohë, nuk morën pjesë në votim edhe pse ishin të pranishëm më herët gjatë seancës, Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat. Ralf Gjoni, deputet i grupit parlamentar të pavarur, ish-këshilltar i Metës i cili e deklario publikisht se nuk do të votonte shkarkimin e presidentit Meta, edhe pse rezoluta është thjesht një qëndrim politik. Po ashtu, munguan Adriatik Alimadhi. Amra Borova, Tom Doshi. Edlira Hyseni, Erion Piciri, Suzana Topi dhe Fatmir Velaj.

Në mbyllje, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se seanca e radhës do të mbahet ditën e hënën në orën 10:00 ku do të diskutohen pikat e rendit të ditës parashikuar për seancën e sotme, që u zëvendësuan nga mocion debati prej 5 orësh për rezolutën e PS.

Mazhoranca ka 79 deputetë, si rrjedhim 21 deputetë nga opozita e re kanë votuar pro rezolutës këshilluese për Presidentin Ilir Meta. 

Procedura e shkarkimit të tij është një tjetër proces, që do të kërkojë kohë. Nga mbledhja e 35 firmave të deputetëve për të nisur procedurat e shkarkimit, në ngritjen e një komisioni hetimor, dhe më tej në votimin në Kuvend të raportit të Komisionit Hetimor, i cili kërkon 2/3 e votave në Kuvend, pra 94 vota. Deri atëherë do të duhen muaj. Vendimi i Kuvendit kalon më tej në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri atëherë me gjasë mund të jetë plotësuar me anëtarë, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që i bën propozimet Kuvendit, Presidentit dhe Gjykatës së Lartë, i ka gati listat e para.

KUNDËR

Fatjona Dhimtri – Grupi Demokrat

Elda Hoti – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Lefter Maliqi – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

Klajdi Qama – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Artur Roshi – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

Vasil Sterjovski – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e LSI

Besnik Toplini – Pa grup parlamentar, doli nga Listat e PD

ABSTENIM

Kujtim Gjuzi - Pa Grup Parlamentar, doli nga listat e PD

Enada Kapllani – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

MUNGUAN

Adriatik Alimadhi – Pa Grup Parlamentar

Amra Borova – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Tom Doshi – Pa Grup Parlamentar

Ralf Gjoni – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Rudina Hajdari – Grupi Demokrat

Edlira Hyseni – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Erion Piciri – Grupi Demokrat

Suzana Topi – Grupi i pavarur, doli nga Listat e LSI

Fatmir Velaj – Deputet i PS

Ora 15:11
Murrizi: Rama i dërgoi 7 letra Bashës, pse mos t'i çonte edhe Meta një Zgurit

Nënkryetari i Kuvendit Myslim Murrizi deklaroi se seanca e sotme dhe rezoluta e sotme në Kuvend është një fletë rrufe për presidentin Ilir Meta duke e quajtur dekretin e tij një 'letër' për Klement Zgurin.

"Në paragrafin e fundit të rezolutës thuhet se Kuvendi i bën thirrje presidentit të reflektojë. Kjo nuk është as më shumë dhe as më pak se një fletë rrufe . Kurrë s'ka pasur marrëveshje në të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ndarja e karrigeve të pushtetit është një hall i madh. Nuk e di pse është kaq sekëlldi. Rama i ka dërguar në këto tre javë 7 letra Bashës, edhe Meta kishte të drejtë t'i çonte një letër Klement Zgurit. Kur i është dash pë të ndarë pushtet dhe për të vjedh taksat jeni marrë vesh që nga 1991 ku bëtë qeverinë mikse me komunistë nga PS dhe PD. Bëtë pazar në 2007

Sa herë që shkojmë buzë Europës ka një pazar që shitet si marrëveshje për tër shpëtuar popullin. Presidenti deklaroi se këto ditë ka takuar edhe Ramën, edhe Bashën, edhe Berishën, Monikën s'ka nevojë ta thotë'. Unë e di që pazaret që kërkoni të rrisni në këtë situatë artficiale është një hall i përbashkët. Hera e parë në këtë parlament u votua në rezultatin 20 me zero kur çifti i ambasadorëve u puth në Llozhe. Nuk besoj se Meta e ka seriozisht këtë dekret. Ai ka thjesht rolin e arbitrit. Ata kanë 5 muaj rresht që thonë hajde se do e rrëzojmë sot, hajde se do e rrëzojmë nesër", tha Murrizi.

Ora 14:49
Majko më i tërhequr se PS për Metën: E vështirë të kontestoj dikë me të cilin jam rritur, por ka gabuar

Pak më i distancuar nga qëndrimet e kolegëve të tij të Partisë Socialiste, është treguar ministri Pandeli Majko lidhur me dekretin e presidentit Meta. Ai e ka cilësuar si një nga momentet më të vështira në karrierën e tij politike, pasi po kundërshton publikisht dikë me të cilin është rritur. Megjithatë, në një aspekt është krejtësisht dakord me socialistët e tjerë në parlament, që vendimi i Metës për të shtyrë datën e zgjedhjeve është antikushtetues. Pavarësisht kësaj, është kujdesur që të theksojë, se e cilëson si të gabuar në aspektin juridik, por jo politikisht.

"Moment i vështirë. Sot duhet të kontestoj në publik me dikë që jam rritur. Politikisht nuk e kundërshtoj dekretin e Metës, por juridikisht po. Nuk e ka të shkruar në Kushtetutë zhdekretimin e datës së zgjedhjeve. Dekreti i Metës, akt jo Kushtetutës, ka gabuar, ka krijuar një problem dhe nuk sjellë zgjidhjen e krizës, por thellimin e saj", u shpreh Majko.

Majko ka vënë theksin për ndryshime të Kushtetutës dhe kjo sipas tij, mund të bëhet edhe vetëm me dakordësinë e opozitës së re. Në këtë mënyrë, shprehet Majko, do t'i vinte fundi i krizës politike.

"Sot pak kush e di si mund të plotësohen kërkesat e opozitës, zgjedhjet e 30 qershorit janë detyrim, jo dëshirë e partive politike. Zgjedhjet pa opozitën nuk janë normale, pro është produkt i krizës politike. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së lartë  është çështje kohësh, PS duhet të negociojë krizën edhe me opozitën e re. Ky kuvend e ka të drejtën që të ndryshojë Kushtetutën, duhet të respektohen kërkesa e opozitës së re për ndryshime të Reformën zgjedhore. Ilir Meta është zgjedhur nga PS, ai është produkt i ynë", përfundoi Majko.  

Ora 14:33
Gjonaj: Caktimi i një tjetër date zgjedhjesh nga Meta, 2 herë antikushtetuese

1560430026_gjonaj.jpg

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar se dekreti i presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve është jashtë kompetencave të tij, ashtu sikurse ka theksuar se një tjetër dekret për një tjetër datë zgjedhjesh përtej 30 qershorit është antikushtetuese.

 Në fjalën e saj në Kuvend, Gjonaj është shprehur një vendim i tillë kërkon që të sjellë gjendje pasigurie dhe të trondisë Reformën në Drejtësi.

"Kodi zgjedhor përcakton rolet afatet të presidentit për zgjedhjet. Këto zgjedhje kurrsesi nuk mund të mbahen pasi u mbaron mandati i kryebashkiakëve. Ky dekret i pavlefshëm e fut vendit në një pasiguri totale. Tejkaloi kompetencat, çdo dekret që nxjerr presidenti për një datë të re do të jetë antikushtetues si dhe do të krijojë një gjendje pasiguri ligjore. Besimi që Reforma në Drejtësi kërkohet të tronditet me gjendjen e pasigurisë dhe me lajme për trazira. Zgjedhjet e 30 qershorit janë domosdoshmëri", u shpreh Gjonaj.  

Ora 13:16
Gjuzi: Meta të jap dorëheqjen sot! Rama të ulë në tryezë dialogu partitë, jo presidenti (VIDEO)

Deputeti Kujtim Gjuzi i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të mbledhë në tryezë partitë politike, sipas së cilit presidenti Meta ka dështuar në këtë aspekt. Gjuzi nga foltorja ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Meta sot, sepse për të, nesër do jetë shumë vonë.

"Sa iku kryeministri, ikën dhe socialistët. Fletë rrufe. Meta ke një shans, jepe dorëheqjen tani. Nesër është vonë. S'keni pasur personazhe që i keni dhuruar kaq shumë Ilir Metës. Nuk kthen përgjigje pse nuk u ngrit gjykata Kushtetuese, se ajo ia heq mandatin presidenti. Pse duhet të rrimë ne varë, si mund t'i bëjmë zgjedhjet kur në 21 bashki s'ka kandidat. Kryeministri t'i ftojë partitë politike në një tryezë", tha Gjuzi.

Ora 13:00
Më kanë kritikuar dhe mallkuar për paudhësitë e Metës/ Rama: Nëse do ktheheshim pas do e votoja sërish

Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi gjatë seancës plenare se votoi Ilir Metën si president për shkak se votat e PS në atë kohë nuk mjaftonin për të zgjedhur një emër tjetër. Por pavarësiht se tha se kanë marë shumë kritika lidhur me këtë vendim, kryeministri deklaroi se nëse do kthehej në kohë do bënte sërish të njëjtën gjë.

"Unë  e kam votuar Ilir Metën si presidenti i Republikës së Shqipërisë. Gjithkush në këtë sallë që ishte njësoj si dhe unë këtu, kur Ilir Meta u zgjidh president ka bërë të njëjtën gjë. Shumëkush më ka kritikuar në rrjetin social vazhdimisht më “zhdëpin” për zgjedhjen e tij, jo pak më kanë mallkuar dhe sa shfaqet Iliri me ndonjë nga paudhësitë e veta, më përvishen mua të gjithë. Nuk jam penduar. Po të ktheheshim mbrapa në kohë do bëja po të njëjtën gjë. Për shumë arsye që nuk është ky rasti që t’i rendis, por ky është rasti për t’i kujtuar të gjithëve se Ilir Meta u zgjodh president me votat e tij dhe votat tona mund ta pengonin zgjedhjen e tij, por nuk mjaftonit për të zgjedhur një president pa Ilir Metën. Këtë është mirë ta kujtojnë që të gjithë.

A e kam imagjinuar unë kur e zgjodhëm se Iliri do ta kthente humbjen e tij karakteristike dhe ciklike të vetëkontrollit, nga një fenomen sporadik, në një mjet sistematik për të çoroditur sistemin tonë kushtetues dhe për të udhëhequr një plan çoroditës të orkestruar bashkë me Saliun në dëm të Shqipërisë? Jo. Këtë jo, nuk e kisha imagjinuar.

Kjo ka kaluar përtej çdo imagjinare të arsyetueshme dhe prandaj nuk mund të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit me pëlqimin tonë. Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe Presidenti i kësaj Republike është garant i unitetit kombëtar, jo interpretuesi subjektiv i Kushtetutës në funksion të sulmeve kundër Republikës sonë parlamentare dhe të qëllimeve të mbrapshta politike të kujtdo qoftë. Lere pastaj që qëllimet e mbrapshta, janë edhe të tijat. Një president që argumenton një marrëzi antikueshtuese si anulimin e zgjedhjeve në mes të fushatës, sikur shef filxhan me data gjëmash dhe me rrugë gjarpëruese fjalish pa kuptim dhe që kur e pyesin përgjigjet “ma përsërisni se nuk dëgjoj mirë, këto kohët e fundit kam qenë i sëmurë” është sidoqoftë një njeri për  të ardhur keq.

Duke shprehur sinqerisht keqardhjen time për të si njeri, si mik, si kundërshtar dhe si aleat, si dikush që nuk ka bërë vetëm gjëra të këqija, por ka dhënë dhe kontribute pozitive në jetën e tij të gjatë politike, i uroj sot me gjithë zemër ta lexojë me qetësi dhe me kthjelltësi rezolutën e këtij Kuvendi, nëse ka ende probleme me dëgjimin dhe nuk do t’i kuptojë qartë fjalët që po thuhen sot nga ky Kuvend në adresë të tij", tha Rama

Ora 12:43
Rama: Meta plan të orkestruar me Saliun në dëm të Shqipërisë! Basha dhe Monika 'instrumentë' të tyre (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i dha arsye vendimit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet, duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve, 30 qershorin, dekretuar nga vetë ai.

Kreu i qeverisë e quajti një plan politik për të marrë peng jetën politike në vend, me synimin për të mos lejuar që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës në Kuvend, shefi i mazhorancës tha se pas këtij plani politik fshihet Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, dhe se Monika Kryemadhi e LSI-së, dhe kryedemokrati Lulzim Basha, janë vetëm instrument që shfrytëzohen prej tyre për të arritur qëllimin: minimin e rrugës së negociatave për BE.

"Pse vallë Ilir Meta e bëri këtë ndërhyrje të hatashme antikushtetuese dhe antilogjike? Nuk është thjesht një kërcënim për Republikën Parlamentare, është thjesht një kërcënim për logjikën njerëzore. Nuk është nën sulm vetëm Republika Parlamentare, është nën sulm logjika njerëzore. Mu në mes të procesit zgjedhor, kur fushata kishte nisur dhe e bëri tamam atë ditë kur qeveria e Shteteve të Bashkuara, kishte dënuar publikisht përmes një deklarate tejet të pazakontë dhunën, bojkotin e zgjedhjeve, kërcënimin për pengimin e tyre, duke treguar me gisht dy persona , Lulzim Bashën  dhe Monika Kryemadhin si përgjegjësit për gjithçka që do të ndodhte në protestën e 8 qershorit dhe më pas. Disa mendojnë se ai ndërhyri me lajmërimin publik të antidekretit  të tij për të shpëtuar fytyrën e revolucionit imagjinar të Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit, ku siç tregoi masa e tkurrur e protestuesve në bulevard, revolucioni po katandisej si kokoshi një thelë dhe prurjet e ujësjellësve të bashkive blu po shteronin.

Të tjerë mendojnë së Ilir Meta e zhbëri firmën e tij, si të ishte një mbetje kafeje e fshirë me gisht në fundin e filxhanit në kërkim të fatit për të projektuar të ardhmen e tij të afërt në krye të opozitës, duke turbulluar situatën në një pasdite me një goditje, më shumë se sa kishte arritur ta turbullonte Lulzim Basha me tërë gurët, kapsollat, fishekzjarrët, molotovat dhe notat e ngjirura të himnit kombëtar përgjatë tërë mbrëmjeve revolucionare të opozitës.

Mund të jenë të dyja të vërteta këto.

Madje mund të jetë e vërtetë edhe në këtë rast siç thotë Jacques Lacan që “i marrë nuk është vetëm fukarai që  kujton se është mbret, por dhe mbreti që kujton se është mbret”. E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie, befasuese është se veprimi i Ilir Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.  Kush kujton vërtetë se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e Klubit të Selanikut të Çajupit me pavijonin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit të  këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtetë se mund të më largojnë mua nga detyra me molotovët e Lulit dhe me mallkimet e Monikës e ka gabim. Këta dy të shkretët që i kanë hyrë detit në këmbë janë thjesht instrumente në duart e dy të parëve.

Këta besojnë se vërtetë mund të marrin pushtetin me kapsolla dhe magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujës dhe të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë  jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe për ta sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të qenë të motivuar dhe të palodhur në orvatjen e tyre qorre.

Ndërsa preja e kërkuar në këtë gjah politik nuk jam unë,  është Shqipëria, që duhet ndalur përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me Bashkimin Europian dhe të hapë sapo të kapërcejë pragun aty, dy kapituj  e parë të bisedimeve, të cilat për dreqin e mallkuar janë kapituj e drejtësisë. Duke hapur  kapitujt e drejtësisë, Shqipëria duhet t’i provojë Bashkimit Europian, se reforma në drejtësi nuk është vetëm në maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe të ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë, nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, por është një shtet i të drejtës, ku qoftë gjykatësit dhe prokurorët e kapur me presh në duar nga vettingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh, mund të këputen si prasë nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë të çliruar nga kthetrat e tyre.

Plani është i qartë, dhe duhet thënë se nuk është një plan budalla për mbijetesën politike, por jo vetëm për mbijetesën politike të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë, duke goditur pa asnjë  mëshirë, jo mua, jo ne, që jemi mbështetësit dhe garantuesit e palëkundur të  Reformës në Drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve, përfshirë dhe ata që u shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe se Luli dhe Mona do ndëshkojnë krimin, do shfarosin korrupsionin, do shpartallojnë padrejtësitë, ndaj të cilave thonë se janë ngritur nga një luftë pa kthim. Pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi në tabloidin e famshëm gjerman i përgjimeve që ishin aty të kyçura prej shumë kohësh pa u hetuar nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në prokurorinë e krimeve të rënda, ushqimi i duhur në kohën dhe në vendin e duhur për këdo në atë botë, që për arsyet e veta, jo të Saliut dhe Ilirit, nuk e do zgjerimin e Europës, nuk e do çeljen e negociatave me Shqipërinë, po edhe ushqim i bollshëm për çiftet e çiftit të papërgjegjshëm dhe qesharak “Luli- Mona” që ruajna zot kanë marrë përsipër shpëtimin e Kombit me doçkat e tyre të pastra dëborë.

Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk duan në fakt shtyrjen e  zgjedhjeve, por duan kaos në jetën institucionalë të vendit dhe synojnë shthurjen e shtetit.  Ata duan ta nxjerrin procesin demokratik nga shinat, siç nxorën nga parlamenti opozitën  e drejtuar nga dy kukullat e tyre. Ata kërkojnë me çdo kusht që ta bëjnë Shqipërinë një shesh për përsheshin e  tyre, era e të cilit josh njerëz të dëshpëruar, të pakënaqur, të mërzitur që janë në të drejtën e tyre absolute të duan largimin e qeverisë, janë në të drejtën e tyre legjitime të shpresojnë ikjen një orë e më parë timen, janë në të drejtën e tyre të ëndërrojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, nga të tjerë njerëz, nga parti të tjera.

Njëkohësisht ata, Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkojnë me çdo mënyrë nëpërmjet mashave të tyre ta bëjnë ndërkombëtarisht Shqipërinë të duket një vend ku po bëhet nami i zi nga populli i ngritur kundër një narkoshteti dhe të sigurojnë me gjithfarë shpifjesh dhe intrigash, krijimin e një mase kritike kundërshtarësh të çeljes së negociatave. Ata duan  që në vend që Shqipëria të mendojë dhe të luftojë për të kapur trenin e vitit 2025, kur dyert e Europës që ne duam  mund të çelen për anëtarë të rinj, të rri të sfilitet dhe të trembet, duke menduar makthin e vitit 1997.

Ja pse shumë i nderuar Kuvend i Shqipërisë e të dashur bashkëqytetar kudo që jeni, antidekreti i Ilir Metës është një arsye më shumë dhe jo më pak, një arsye shumë e fortë, për t’i bërë zgjedhjet në 30 qershor për t’i dalë përballë frontalisht këtyre katër aventurierëve që duan të ndalojnë shtetbërjen shumë të mundimshme të këtij vendi dhe ta katandisin këtë vend, njësoj si vetveten. Doni ta dini se si do të ishte Shqipëria e tyre, shikojini ata. Doni që Shqipëria t’iu ngjajë atyre të katërve, nuk besoj". u shpreh Rama.

Kryeministri tha se një tjetër arsye, është se Meta ka frikë nga reforma në drejtësi.

"Akti i Ilir Metës është prova më ulëritëse e lepurit që fle në barkun e frikës, jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe, në radhë të parë, nga drejtësia.

Ne jemi të dënuar ta marrim përsipër këtë kosto të krijuara prej tyre, për të mos lejuar që kostoja t’i kalojë Shqipërisë së kushedi sa viteve të ardhshme.

Zgjedhjet e 30 qershorit pa ata janë e keqja më e vogël për Shqipërinë, ndërsa shtyrja e këtyre zgjedhjeve, për shkak se ata nuk janë në zgjedhje, do të ishte një e keqe e madhe, me efekt të zgjatur mbi Shqipërinë. Pse? Sepse në emër të shmangies së një palë zgjedhjeve, në këtë problem të pashmangshëm, ne do ligjëronim faktin se kushedi për sa vite, zgjedhjet të mos ishin më e drejta e popullit për të gjykuar dhe detyrimi i partive për t’ju nënshtruar gjykimit të popullit, por e drejta e partive për të vendosur kur bëhen zgjedhjet dhe detyrimi i popullit për t’ju nënshtruar tekave të partive.

Kjo që po ndodh, në fakt nuk është as e pandodhur, as e papritur në historinë tonë të trazuar të zhvillimeve demokratike, madje, kjo është seria e dytë e filmit që ka filluar dy vite më parë. E mbajnë mend që të gjithë, kur të njëjtët njerëz, të udhëhequr nga i njëjti zjarrvënës dhe përçarës i këtyre 30 viteve demokraci, Sali Berisha dhe drejtuar nga i njëjti llafazan dembel, Lulzim Basha, ikën nga Parlamenti për të mos votuar vettingun dhe u mbyllën në një bunker plasmasi poshtë dritareve të zyrës sime, me të njëjtin avaz, “nuk hyjmë në zgjedhje”, “nuk dialogojmë pa ikur Kryeministri”, “nuk do lejojmë të bëhen zgjedhje” dhe me radhë të gjitha strofat e të njëjtës këngë, nga e njëjta pllakë gramafoni, La voce del Padrone.

E mbajnë mend të gjithë, besoj, se sa shumë i jam lutur Lulzim Bashës për dialog, mirëkuptim, marrëveshje dhe se si u bë në minutën më të fundit marrëveshja. Mori gjithçka kërkoi, me kusht që të dilnin nga bunkeri i plasmasit, të ktheheshin këtu, të votonin vettingun dhe të mos kontestonin rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos shanin më Shqipërinë në gjuhë të huaj", - tha Rama.

Ora 12:35
Rama: U desh të vinte Meta president që të vlerësonim Nishanin...Nuk e vuri kurrë firmën e tij në favor të partisë (VIDEO)

Me aktin që Presidenti Ilir Meta bëri duke shkelur haptazi kushtetutën, kryeministri Edi Rama vlerësoi ish-kreun e shtetit Bujar Nishani, i cili sipas tij, asnjëherë nuk cënoi kushtetutën për t'i shërbyer opozitës.

"Dy vite më parë kur arritëm marrëveshjeje me Lulzim Bashën dhe ramë dakord për shtyrjen me vetëm një javë të zgjedhjeve, paraardhësi i Ilir Metës, Bujar Nishani, na e kërkoi me shkrim dhe me firma, në një shkresë dakortësinë për atë shtyrje një javë brenda afatit kushtetues, e cila u krye vetëm pasi shkoi letra e bashkë firmosur te presidenti. E vërteta duhet thënë edhe kur mund të mos na vijë për mbarë.

Bujar Nishani nuk interpretonte Kushtetutën sipas dëshirave apo nevojave të partisë, të cilës sado që i shkonte hera-herës pas avazit me deklarata dhe prononcime krejt të anshme dhe deri dhe skandaloze, asnjëherë nuk ia vuri Kushtetutën  dhe firmën e tij në dispozicion të axhendës politike të asaj partie

U desh të bëhej president Ilir Meta që vetë Bujar Nishani, presidentin më partiak dhe më  mediokër që ka patur ky vend, ta kujtojnë sot për mirë, në raport me bazën kushtetuese dhe ligjore të dekreteve të tij. U desh të bëhej president Ilir Meta, që libri historisë botërore të demokracisë të pasurohej me nocionin befasues të “Zhdekretimit” dhe ai i historisë botërore të shtetit të përfshinte në faqet e veta aktin e shfirmosjes.

Unë firmos, unë shfirmos. U desh të bëhej president Ilir Meta që jo vetëm fjalët t’i marrë era, por dhe firmat të ikin sipas erës. U desh të bëhej president Ilir Meta që historia e filozofisë botërore të përballej me një zbulim filozofik befasues për njerëzimin, atë të konsensusit mes palëve të arritur nga një njeri i vetëm mbi bazën e këmbënguljes të palëve për të mos rënë dakord. Të gjithë filozofët grekë jam i sigurt janë rrotulluar në varret e tyre, kur u ka ardhur fjalë për këtë kategori të re të konsensusit", - tha Rama.

Ora 12:31
Rama: Nuk japim dot larmishmëri në zgjedhje (jo për fajin tonë)! Harta elektorale 100 % e purpurt

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Parlament, se nuk është faj i mazhorancës që në zgjedhjet e 30 qershorit në shumicën e bashkive garon e vetme. Sipas tij, e gjitha është një situatë që ata nuk e zgjodhën, por është përgjegjësi totale e opozitës, që nga momenti që doli nga parlamenti dhe bojkotoi zgjedhjet.

"Duke shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, me këtë dhimbje koke që ka shkaktuar realisht arratisja e opozitës kryesore nga Parlamenti dhe nga vetë zgjedhjet, ne sigurisht që nuk garantojmë dot larminë e plotë pluraliste të produktit të zgjedhjeve. Me shumë gjasa, produkti i këtyre zgjedhjeve do të jetë një hartë elektorale thuajse 100% e purpurt, në rast se nuk do ketë ndonjë surprizë tek apo tuk, por kjo nuk do të ndodhë sepse jemi ne që nuk duam të garantojmë larminë e plotë pluraliste të zgjedhjeve, as sepse nuk na pëlqen ne që të ketë garë në çdo bashki dhe as sepse ne po kurorëzojmë ndonjë plan totalitarist asgjësimi të pluralizmit. Nuk është plani ynë ky, kurrsesi!

Ky është plani i tyre dhe ne nuk kemi në dorë asgjë tjetër, përveçse ta pranojmë realitetin siç është, duke mos rënë në asnjë mënyrë në kurthin e dritëshkurtësisë fatale të sugjestionimit nga meraku se qëndrimi në proces na bën bashkëfajtor me ta, për shkak të produktit një ngjyrësh të këtyre zgjedhjeve pa konkurrentë. Jo, aspak", u shpreh kryeministri.

Ora 12:25
Rama: Ku janë shenjat e kryengritjes popullore? Kur i hapi depot e armëve NATO?! (VIDEO)

Ku janë shenjat e kryengritjes popullore si '97? Në cilat depo do hapë dyert NATO për të armatosur shqiptarët kundër njëri-tjetrin? Rama ngriti këto pyetje për të thënë se nuk ka asnjë rrezik për cënimin e zgjedhjeve më 30 qershor, siç presidenti Ilir Meta ngriti pretendime duke anuluar zgjedhjet. Ironizoi edhe protestat e opozitës, duke i quajtur ato tubime militantekste të "bashkive blu".

"Le t’i biem dhe një herë shkurt, siç i kemi rënë 30 vjet, duke hapur përsëri një shteg jashtë rrugës kushtetuese dhe të ligjit, për të ulur tensionin e lartë, pajtuar gjaqet e nxehura dhe shpëtuar Shqipërinë nga konflikti civil, nga vrasjet e njerëzve të pafajshëm, nga një ’97-të tjetër dhe me radhë. ’97-të tjetër? Po pse? Çfarë ka ndodhur ndonjë gjë e ngjashme me ’97-ën, që tani duhet t’i frikemi, madje kthehemi mbrapsht dhe të ikim me vrap në të kaluarën, që të na përsëritet një ’97-të tjetër?

Cilat skema piramidale po bien dhe kursimet e kujt? E gjakut dhe djersës së kujt po digjen, që të digjet Shqipëria si në ’97? Në cilat qytete po shfaqen shenjat e kryengritjes popullore për ndonjë hall aq të madh sa ai i ’97-ës dhe në cilat depo armatimesh, NATO do hapë dyert për të armatosur shqiptaret kundër njëri – tjetrit?

E i kujt është xhanëm, tamam halli që nxjerr prej muajsh në protesta popullin imagjinar të bashkive blu dhe të ndërmarrjeve të tyre të pastrimit, gjelbërimit, të ujësjellësve, bashkë me grupe të rinjsh me maska, që gjuajnë me molotov dhe me kapsolla dhe me fatkeqë që vijnë të ngarkuar dhe urinojnë në derën e Kryeministrisë? Edhe këto janë pyetje retorike natyrisht, por përpara se të vijmë tek halli i madh dhe i vërtetë që ka zallamahisur opozitën e dalë në rrugë, në orvatjen më të dëshpëruar të historisë së ngatërruar të këtyre 30 viteve, për të zallamahisur krejt Shqipërinë, dua të bëj sa më të qartë, pse ne nuk ka asgjë që na tund nga 30 qershori", u shpreh kryeministri.

Ora 12:15
Rama: Meta lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat (VIDEO)

Kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se dekreti i presidentit për të anuluar zgjedhjet nuk dëmton as atë dhe as qeverinë socialiste por të ardhmen e vendit. Ai tha se mbështetja popullore për të është e palëkundur.

"Meqë bëhet një përpjekje e madhe, tribunë më tribunë, kanal më kanal, portal më portal, për të mi faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtarët kryesorë e për ta devijuar krejt logjikën e kësaj që po ndodh, duke e trajtuar si pasojë të kokëfortësisë, autoritarizmit, çmendurisë, madje deri edhe të një qëllimi të fshehtë, djallëzor, për të provokuar një konflikt civil në Shqipëri dhe po e filloj me një pyetje për të gjithë ata që duan të logjikojnë mbi këtë situatë, sa të qartë, aq edhe konfuze, sa të lidhur me interesat e një grushti njerëzish, aq dhe të pandashme nga interesi kombëtar dhe publik, sa të kuptueshme, aq edhe absurde: Çfarë interesi vetjak, ngushtësisht personal, politik, kam unë që të jem kaq i patundur dhe i patundshëm nga bindja se kjo nuk është koha për asnjë kompromis, por është koha për fushatë dhe për zgjedhje në 30 qershor.

Këto zgjedhje janë vendore. Partia Socialiste, në rang vendor qeveris pothuajse 75% të territorit të vendit dhe drejton thuajse të gjitha bashkitë kryesore. Shumica jonë parlamentare është solide dhe mbështetja e saj për mua, për qeverinë, është e palëkundur dhe e palëkundshme.

Qeveria ka 1001 probleme dhe çështje për të adresuar. Ekonomia goditet nga ky tension i lartë artificial. Turizmi dëmtohet, edhe besimi i investitorëve. Qetësimi i situatës, duke shfrytëzuar qoftë edhe skandalin e zhdekretimit të zgjedhjeve, duket si gjëja më e lehtë. Atëherë, për çfarë më duhet mua personalisht, meqë shumëkush preferon të më drejtohet personalisht, një dhimbje jo e vogël koke, si ecja në këto kushte jo normale, drejt, përpara në rrugën e 30 qershorit, kur nuk kam asnjë lloj interesi të ngushtë, pragmatist, të kthehem në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur zgjedhjet të shtyhen qoftë dhe në pafundësi.

Madje-madje, po të isha ngushtësisht i interesuar, për mua personalisht, për rehatinë dhe për karrigen time, por dhe për qeverinë tonë, unë duhej të isha i pari që të hidhesha përpjetë nga gëzimi që Presidenti i Republikës lëshoi një re kaq të madhe nga pantallonat mbi datën e zgjedhjeve. E quaja një shpërthim gjenialiteti politik dhe laja dhe lanim duart me procesin zgjedhor, duke thënë bravo zoti President, absolutisht dakord dhe punë e madhe se ne nisëm fushatën me firmën tuaj, çfirma juaj na e hoqi dhimbjen e kokës, prandaj e lëmë këtë punë, këtu jemi, i bëjmë zgjedhjet kur të bien të tërë dakord. Ose edhe e kundërta. Ia lija fajin Ilirit për ndërprerjen brutale të fushatës, duke i thënë jazëk të qoftë zoti President, ngrija duart lart përpara shqiptarëve, u zhduk data e zgjedhjeve nga horizonti dhe dilja si një burrë i urtë, i pafajshëm, në një lojë marrëzie politike.

Kështu me thënë të drejtën, për ta çuar deri në fund tani absurdin, sikur të isha siç dal tek filxhani i fallxhores, apo tek katrani i plakut dixhital, shpëtoja dhe unë, bashkë me Partinë Socialiste nga zgjedhje të tjera të mëtejshme, sepse me këtë budallallëk, të kthyer në precedent, na jepet mundësia të thonim nesër, nuk duam zgjedhje vendore, se ashtu e kemi një punë, madje as zgjedhje të përgjithshme nuk duam sepse kemi informacione të sigurta nga disa burime që nuk i themi dot për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë.

Kështu që, përderisa zgjedhjet nuk u bëkan po nuk deshi një palë, nuk bëhen kurrë. Mirëpo, shtetet demokratike kanë kushtetuta dhe ligje, nuk funksionojnë përveçse me parimin e barazisë së të gjithëve para ligjit. Prandaj dhe këto lloj aventurash mendore nuk mund të kthehen në veprime politike dhe t’i imponohen një populli të tërë për hesap të njërit apo të tjetrit. Sot hidhet përjetë një grup, nesër hidhet përjetë një tjetër dhe kështu alla shqiptarçe, ky viti i mbrapshtë kadarejan kthehej pa asnjë pengesë në një dekadë të mbrapshtë bastesh politike, duke e bërë Shqipërinë, skenën ku e ardhmja luhej si tek Kumarxhiu i Dostojevskit", tha Rama.

Ora 12:09
Rama: Metës ju falën skandale dhe hile, çfarë do më shumë nga Shqipëria?! Akt brutal (VIDEO)

Një akt brutal dhe i patolerueshëm i Ilir Metës, e ka quajtur kryeministri dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

"Fatkeqësisht dhe jo rastësisht, ky Kuvend sot është i detyruar të merret me një akt brutal, transgresiv, të papërgjegjshëm dhe të patolerueshëm të Ilir Metës. E pyes shpesh veten, çfarë kërkon më shumë Ilir Meta nga Shqipëria?

Kujt i ka bërë Shqipëria më shumë ndere, sesa këtij njeriu, të cilin, pa mbushur ende 50 vjeç, e ka bërë si askënd tjetër në histori, edhe Kryeministër, edhe Kryetar Kuvendi, edhe President të republikës? Kujt më shumë se Ilir Metës i janë falur përçarjet, hiletë, skandalet dhe i është dhënë kaq e kaq herë mundësia të rilindë, i penduar, i burrëruar, i kthjelluar? Kujt përpara Ilir Metës i takon të pyesë veten, çfarë mund të bëj që t’ia laj sado pak Shqipërisë, detin me borxhe që i ka; Që t’ia laj sado pak shqiptarëve, pa dallim, llumin me borxhe që u ka; Që t’ua laj sado pak socialistëve dhe zgjedhësve të mi, borxhet e të gjitha moteve dhe rasteve kur më kanë mbështetur në përpjekjet e mia, më kanë toleruar për zararet e mia?

Janë pyetje natyrisht retorike këto. Historia e shtetit shqiptar nuk e gjen një të dytë politikan me të cilin Shqipëria të ketë qenë kaq zemërgjerë. Si të tilla, këto pyetje retorike na çojnë edhe tek përgjigja, lidhur me pse-në e rrëshqitjes më të fundit të Ilir Metës. Sepse Ilir është mësuar keq, si s’ka më keq, ta tundojë Zotin e tij, ta përqeshë fatin e tij, ta shqelmojë të mirën e tij, duke u bërë me vend e pa vend protagonist i një skene ku Metës, asnjëherë nuk i mjafton roli që ka, vendi ku ndodhet, maja ku ngjitet.

Jo president të republikës, por mbret të të gjithë shqiptarëve po ta shpallnin shqiptarët, madje jo vetëm të Shqipërisë, por të gjitha trojeve dhe viseve shqiptare, prapëseprapë, Ilir Meta nuk do ndihej mirë, nuk do qëndronte drejtë, nuk do ndalej së tunduar fatin e vet, me pakënaqësitë e tij të pashërueshme, me pangopësinë e tij të pashpjegueshme, me pagjumësinë e tij të pangushëllueshme. Sot, ne jemi këtu, dëshmitarë të një tjetër zarari të madh dhe të kotë, të dëmshëm e të papranueshëm të Presidentit të republikës. Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bashkohej me zjarrvënësin dhe telashin e saj historik, Sali Berishën, në përpjekjen e dëshpëruar të këtij të fundit për të ridjegur dhe bërë lëmsh Shqipërinë! Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të merrte përsipër shkeljen më skandaloze të Kushtetutës përmes fshirjes së firmës së tij me vetë firmën e tij! Për cilën arsye në botë, Presidenti i Shqipërisë duhet të bëhej një trillues qesharak shkaqesh të paqena, për të justifikuar një budallallëk që do të shënohet si rast unikal në historinë e republikave parlamentare të planetit tonë!

Ka vetëm një arsye që i shpjegon të gjitha me dy fjalë, Ilir Meta", tha Rama.

E gjitha në këtë rast përfshihet në këto dy fjalë, Ilir dhe Meta. Të kërkosh jashtë këtyre dy fjalëve shkaqet e kësaj marrëzie antikushtetuese është e tepërt, por, sidoqoftë, kjo punë që po bëjmë sot e kërkon që t’u shpjegohemi shqiptarëve, por edhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, se si e qysh erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike.

Plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes fushatës së zgjedhjeve, - tha Rama  - duke theksuar se dekreti i tij ka kapërcyer mbi Kushtetutën.

"Pse u përdor, keqpërdor apo vetëpërdor, pak rëndësi ka kjo, Presidenti i republikës, duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar përtej kufirit të imagjinatës si një plumb qorr, për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve dhe pse xhanëm, ne nuk e shfrytëzuam mundësinë që na dha kjo marrëzi antikushtetuese, për të ndaluar fushatën dhe pritur si gomari që të mbijë bari, ditën kur do t’i mbushej mendja partive të Saliut dhe të Ilirit për të pasur një datë të re zgjedhjesh", tha kryeministri.

Ora 11:53
Manja: Vendimet nuk merren me kushtetutë në dorë dhe shqiponjë në gjoks! Argumentet e presidentit, politike

1560419929_manja.jpg

Deputeti i PS Ulsi Manja tha sot nga seanca e Kuvendit se veprimi i presidentit Ilir Meta nuk është kushtetues dhe nuk ka asnjë fuqi mbi datën e zgjedhjeve.

"Shumë fjalë dhe qëndrime me kushtetutë në dorë dhe shqiponjë në gjoks po mbahen mbi çështjet e zgjedhjeve. Por presidenti ka një detyrë juridike ndaj procesit zgjedhor. Në përmbajtjen e presidentit vlojnë argumentet politike dhe jo juridike. Rolet e tij nuk pajtohen me arsyetimet që ai sjell. Dekreti vendos për një çështje kushtetuese. Zbatimi i tij merr natyrë administrative. Të gjithë organet shtetërore dhe institucionet e zbatojnë kushtetutën pasi e kanë detyrim. Organet e mandatuara për zhvillimin e zgjedhjeve janë të detyruara që të zbatojnë detyrimet e tyre brenda kushtetutës. Presidenti ka të drejtë vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve. Kompetenca e tij në këtë të drejtë përfundon me një akt individual. Një akt juridik nuk të revokohet, vetëm në rast se mund të zgjidhin pasojat. Por argumentet që presidenti solli për të anuluar zgjedhjet nuk qëndrojnë. Thonë se presidenti ka në dorë datën e zgjedhjeve por nuk thonë se zhdekretimi nuk sjell asgjë. Kemi të bëjmë me një akt të paqenë. Zgjedhjet janë në 30 qershor dhe çdo shmangie e tyre është shmangie e kushtetutës", tha Manja.

Ora 11:52
Deklarata e fortë e Gjonit: Në 30 qershor atentate ndaj politikanëve! Të mblidhet Këshilli Kombëtar (VIDEO)

Deklarata e fortë e Ralf Gjonit nga foltoja e Kuvendit. Ai ka bërë thirrje që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pasi sipas tij ka informacione se ditën e zgjedhjeve do ketë atentate. "Flitet që ditën e zgjedhjeve të ketë atentate. Janë ngritur celula me snajeperë për atentate kundër politikanëve. Duhet të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare", tha Gjoni.

Ora 11:48
Gjoni: Iku Meta, mori fund LSI-ja! Bishë e politikës, jo president mbi palët VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni ka kritikuar ashpër presidentin Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, sipas së cilit nuk ka asnjë të drejtë ligjore të bëjë një gjë të tillë. Nga foltorja, Gjoni e ka cilësuar si ditë të zezë votimin e Metës, sipas së cilit në këtë datë mori fund LSI-ja. 

"Dita kur Ilir Meta u vendos president, ditë e zezë! Largimi i Metës nga LSI-ja fund i kësaj partie. Nuk e kam besuar kurrë se zgjedhja e Metës është për të mirën e Shqiptarëve, por doni ta hiqnit nga politika dhe ta çonit në atë "azil pleqsh". Meta president mbi palët? Ilir Meta bishë politike, makineri politike. Meta president mbi palët? Presidenti nuk vlen asgjë në këtë vend, jo Meta, por presidenti. Princ Leka më dinjitoz se presidenti. Ishte më i urtë Nishani. Ç'takstirat kanë shqiptarët që të merren me tekat tuaja", tha Gjoni.

Ora 11:47
Spiropali reciton poezi në parlament: Meta ideon përplasjet civile me mikun e tij Berishën

1560418021_spiropali.jpg

Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali tha nga Presidenti ka shkelur rëndë parimet kushtetuese, duke zhdekretuar datën e zgjedhjeve.

Në 30 qershor do përballen me murin e lartë të ligjit ku do thyejnë hundët. Presidenti duhet të jetë i panashëm dhe mishërues i vullnetit të popullit. Ilir Meta shkeli parimin e unitetit kombëtar. Me vendimin e tij, Ilir Meta dëshmoi se mund të nxjerrësh Presidentin nga kulla e LSI-së, por nuk mund të shkulësh LSI-në nga zyrat më të larta të shtetit. Shkeli parimin e sovranitetit të popullit. Presidenti u zgjati mandatin tej kushtetues. Ai tenton ta justifikojë aktin e tij duke thënë se synon të shmangë përplasjen civile. Cilën përplasje civile? Atë që e ideon në shtepi dhe parti? Atë që e ideon me mikun e tij Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Ajo solli si poezi në këngë të Shqipërisë së mesme përpara të pranishmëve në Kuvend.

“Krisi pushka e gjëmoi moti
Kujton austriaku se u bë qiameti,
Nuk është kiamet po është murtanë,
Vjen Kavaja me gjithë Tiranë
Gajret çuna dhe ju faltë Zoti,
se Princ Vidin se zë moti.
Se Princ Vidin se zë moti,
kemi lejnun o prej baroti
Mal mbi mal këndon bilbili
Trim mbi trima Haxhi Qamili
Haxhi baba me vegjëli, qiti vidin me 12 mij”,
përfundoi Spiropali.

Ora 11:29
Fino për Metën: Gabimin që bëmë kur e zgjodhëm, s’mund ta thellojmë duke e shkarkuar

1560417230_bashkimfino.jpg

Deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino teksa e konsideroi antikushtetues vendimin e presidentit Ilir Meta, tha se shkarkimi i tij nuk është zgjidhje.

"Presidenti ka kërcënuar shqiptarët duke lajmëruar nga podiumi i presidencës se nëse PD dhe LSI nëse nuk hyjnë në zgjedhje do të ketë luftë, si e kërcënon kështu popullin tënd? Ky është atentati më i madh që i është bërë sovranit e popullit. Si ish kryeministër në një moment shumë të vështirë dhe deputet për një kohë të gjatë unë e di që pluralizmi është instrumenti i sovranitetit që ushtrohet nga zgjedhjet. Shumë militantë do të donin që presidenti të shkarkohej sot, dhe i mirëkuptoj, janë po ata që na panë me inat kur e votuam, por them se gabimin që kemi bërë nuk e thellojmë duke e shkarkuar, le ta lëmë atë ta thellojë deri në fund", tha Fino.

Ora 11:15
Braçe thumbon Metën: Nuk mund të kërkosh kushtetutën në rafet ku mbahen uiski dhe para të pista

1560416773_brace.jpg

Zv. kryeministri Erion Braçe deklaroi se presidenti solli disa argumente që nuk i mban kushtetuta e vendit tonë duke cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur. Ai thumboi kreun e shtetit duke thënë se nuk mund të kërkohet kushtetuta në raftet që deri dje ose ishin bosh ose mbaheshin pije dhe para të pista.

"Në këtë vend, ka pak ditë që është bërë e modës të kërkosh në rafte e dollape, në ato që deri dje, ose ishin bosh, ose mbaheshin verë, shampanjë, pije alkoolike, uiski, xhin, e madje edhe para të pista të kërkosh Kushtetutën. Ta mbash në dorë Kushtetutën, të komentosh Kushtetutën, të bësh poza me Kushtetutën, t’i bësh këto me pasion e forcë, të dukesh si i ndershëm në atë që bën, por vetëm një gjë nuk e bën: Të lexosh Kushtetutën. Sikur kaq të kishte lexuar do kishte më shumë përgjegjshmëri në njoftimet e lëshura publikisht

Shqipëria është republikë parlamentare. Sovraniteti i përket popullit. Çdo shtetas mbi 18 vjeç ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kryetarët e bashkive zgjidhen çdo katër vjet. Organi i komunës apo bashkisë është kryetari i cili zgjidhet nga populli. Neni 9 thotë se partitë politike krijohen lirisht. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Sikur kaq të kishte lexuar do ishte më i përgjegjësi në njoftimet që bën se nuk janë as vendime. Precedenti i krijuar nga presidenti nuk duhet legjitimuar. Në vitin 2013 PS hyri në zgjedhje pasi e vranë dhe pasi e vodhën, pa pasur askënd në KQZ. Ne nuk jemi këta, nuk duam pushtet pa zgjedhje. 30 qershori nuk ndalet, kjo duhet të marrë fund", tha Braçe.

Ora 11:11
Deputeti i Bindjes Demokratike: Me dashurinë që pretendon për shqiptarët, presidenti të ndalojë bashkëshorten

1557310374_andipermeti.jpg

Deputeti në radhët e BD, Andi Përmeti deklaroi se presidenti po shkel ligjin mbi një akt të cilin e argumenton se po e bën për të mirën e shqiptarëve. Ai hodhi akuza mbi të dhe krerët e PS dhe PD se shumë shpejt do bëhen bashkë kundër reformës në drejtësi.

"Me dashurinë që thua se po vepron për shqiptarët duhet të shkoje në shtëpi dhe t'i thoje bashkëshortes që mos ta çojë vendin në konflikt civil. ne shqiptarët e kemi kujtesën e shkurtër. Rama thoshte se Meta është hajdut dhe Meta e quante fundërrimë. Para dy vitesh u bënë bashkë. Ndërsa me Bashën hidhnin akuza se kanë mashtruar shqiptarët dhe pas dy muajsh lidhën koalicion. mos u çudisni kur të bëhen të tre bashkë kundër SPAK-ut dhe reformës në drejtësi", tha Përmeti.

Ora 10:59
Hajdari tregon se kur do të mbahen zgjedhjet: Ja këtu do jemi

1560416458_hajdari.jpeg

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari është shprehur e bindur se zgjedhjet vendore do të bëhen muajin tjetër, pra në korrik.  Ajo ka ngritur dyshimet se palët do të arrijnë një marrëveshje politike, por ka theksuar se kjo marrëveshje nuk do të jetë për të mirën e shqiptarëve, por pushtetin e tyre.

"Muaji tjetër do kemi zgjedhje. Ja këtu do jemi. Por lind pyetja,a ia vlejti barra qiranë? Pse bëhet kjo, që këta të tre të ulen bashkë me njëri-tjetrin dhe të bëjnë një konsensus tjetër që do të zgjasë pushtetin. Kaq mund t'ju them  të dashur shqiptar, është koha që kur të vijë koha e votimit të mos i votojmë më këta njerëz", tha Hajdari. 

Ora 10:54
Nimet Musai: Veprimi i presidentit, i nxituar dhe i vonuar

1560416097_nimetmusai.jpg

Kreu i grupit parlamentar i deputetëve të pavarur (të ardhur nga listat e LSI), Nimet Musai deklaroi se argumentet që solli sot presidenti duhet t'i kishte sjellë që në nëntor duke e quajtur dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve të nxituar dhe të vonuar.

"Nëse ka diçka për karrigen presidenciale është si do të veprojmë ne që populli ta zgjedhë vetë presidentin. Partitë janë pasuri publike që nuk po administrohen demokratikisht. Për një opozitë demokracia e brendshme është ilaçi më i mirë. Sot temë dite është presidenti për të cilën ai as nuk voton. A meriton vërtetë 5 orë ky diskutim. Unë them se argumentet e presidentit duhet të ishin bërë që në nëntor. Presidenti veproi me nxitim apo edhe me vonesë", tha Musai.

Ora 10:53
Deputetja e PS: Presidenti nuk qëndroi mbi palët, u bashkua me opozitën

1560415819_bushka.jpg

Deputetja e PS , Klotilda Ferhati shprehu gatishmërinë e saj se do të votojë draft rezolutën kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet.

"Zgjedhjet janë e drejta e qytetarëve për të zgjedhur. Sipas kushtetutës presidenti ka të drejtë vetëm të caktojë të drejtën e zgjedhjve. Të mohosh këtë të drejtë është një shkelje e rëndë. Presidenti ka prekur edhe parimin e kushtetutës ku thuhet se është përfaqësues i unitetit kombëtar duke u bashkuar me vullnetin e partive opozitare. Presidenti duhet të qëndrojë mbi palët dhe duhet të jetë neutral në vendimarrjes e tij duke cenuar rëndë parimet e kushtetutës. Së bashku ja kemi dalë të jemi një parlament funksional duke ecur përpara me reformat", tha Ferhati.

Ora 10:45
'KQZ nuk ka të drejtë të miratojë dekretin'/ Maliqi- Ballës: Mos ke ndërmend ta fusësh në burg (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re, Lefter Maliqi replikoi me kreu e grupit parlamentar Taulant Balla lidhur me argumentet që ai solli mbi kompetencat e KQZ mbi dekretin e presidentit Ilir Meta.

"Balla kërkon me këtë parodi të marrë edhe presidentin, se së shpejti do të rrëzoni edhe kryetarin e KQZ, mos do e fusni në burg atë, këto janë turpe, skandale. Unë po pres të vijë Rama dhe do kem punë dhe procedurë edhe me të", tha Maliqi.

Ora 10:43
Hajdari: S'kisha dëgjuar që presidenti të zhdekretonte dekretin e tij! Kështu bëhet kjo punë?

1560415516_rudinahajdari.jpg

Në fjalën e saj nga foltorja e parlamentit, kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari është ndalur të komentojnë zhdekretin e presidentitn, Meta, sipas së cilës nuk e kishte parë kurrë që një gjë e tillë të ndodhte. Sipas saj, argumentet e presidentit, më konkretisht te deklarata e tij se kishte informacione që protesta e opozitës do të agravonte, nuk qëndrojnë.

"S'e kam dëgjuar që presidenti të zhdekretoj dekretin e tij. E kam dëgjuar këto aktet patriotike, nuk mund të më thotë presidenti që jam më patriotik se ty, prandaj e bën këtë akt. Duhet të kuptoj thelbin. Nëse e komentojmë në mënyrë juridike. Presidentit mund t'i thonë që kriminaliteti është rritur, atëherë presidenti mund të rikthejë dënimin me vdekje. Mund ta thotë kështu. Kshu behët kjo punë, u shpreh Hajdari.

Ora 10:39
Anulimi i 30 qershorit/ Hajdari: 3 pyetjet që duhet t'i përgjigjet urgjent Meta (VIDEO)

Kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari e ka cilësuar si të pa vlefshëm juridikisht projekt-rezolutën e PS, teksa i ka bërë tre pyetje presidentit Meta.

"Pse mendon se Meta se shtyrja e zgjedhjeve e zgjidh krizën? Kur njëra palë thotë nuk ka negociata me Ramën kryeministër, si zgjidhet kriza? Nëse gruaja juaj është palë e opozitës dhe kjo palë është bërë pjesë e këtij konflikti, atëherë nuk është ky konflik i pastër personal",  tha Hajdari.  tha Hajdari.

Ora 10:35
Hajdari: Rezoluta e PS pa vlerë juridike, presidentin e shkarkon vetëm Kushtetuesja

1560414901_rudinahajdari.jpg

Deputetja demokrate, Rudina Hajdari e ka cilësuar si të pavlefshëm juridikisht projekt-rezolutën e PS, teksa ka theksuar se presidentin e shkarkon vetëm Kushtetuesja.

“Sot kemi një rezolutë që s’ka vlerë juridike, që ngre shantazhin ndaj presidentit. Vendimin mbi aktin e presidentit e merr vetëm gjykata Kushtetuese. Mocioni vjen me 1-4 e Kuvendit me 35 deputet që i depozitohet Kuvendit, i cili ka për detyrë që të hapë një Komision Hetimor. Më pas, pas Komisionit ka për detyrë që të dëgjojë presidentit dhe më pas të përpilojë një raport që mund të diskutohet në Parlament dhe t’i depozitohet Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e saj, thelbi i debatit", tha Hajdari. 

Ora 10:28
Balla: Dekreti për anulimin e 30 qershorit cenon të drejtën e qytetarëve! Nëse KQZ e zbaton shkel kodin zgjedhor

1560413406_balla.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se dekreti i presidentit Ilir Meta për të anuluar 30 qershorin cenon të drejtën për të zgjedhur.

"Presidenti ka cenuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur. E drejta e zgjedhjes është individuale dhe jo kolektive. Edhe dorëheqjet e deputetëve duhet të ishin individuale dhe jo kolektive. Më tej në arsyetimin e tij presidenti thotë se mospjesëmarrja e partive opozitare në zgjedhje është cenim i të drejtës së tyre, por nga ana tjetër kjo e drejtë shkelet ku ato ndalohen të marrin pjesë në zgjedhje. PD dhe LSI kanë bërë presion për të mos u regjistruar në zgjedhje. presidenti e di këtë akt dhe kodi e thotë se pengimi për të marrë pjesë në zgjedhje dënohet me ligj.

Me mbarimin e mandateve vendi nuk ka më as këshilltarë dhe as kryetar bashkie. Akti i presidentit është i pavlefshëm. Ai ngarkon me ekzekutimin e tij KQZ, e cila nëse e zbaton atë shkel rëndë kodin zgjedhor. Ky është një diskutim që duhet të jetë pjesë e debatit në këtë seancë", tha Balla.

Ora 10:18
Balla në Kuvend: Dekretimi është hapi i parë dhe i fundit i presidentit lidhur me zgjedhjet (VIDEO)

Kreu  i grupit parlamentar, Taulant Balla, deklaroi se kompetencat e presidentit të Republikës për zgjedhjet dhe caktimin e datës së tyre janë të kufizuara. Ai deklaroi se dekretimi është hapi i parë dhe i fundit i presidentit lidhur me zgjedhjet.

"Dekreti i datës 10 qershor është antikushtetues, zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor. Në rasport me zgjedhjet presidenti ka vetëm një kompetencë atë të caktimit të datës së tyre.  Kuvendi është shfuqizuar nga kjo e drejtë që nga viti 2008. Në Shqipëri qeveria e zgjedhjeve është KQZ-ja. Caktimi i datës së zgjedhjeve është detyrim i ti dhe jo e drejtë. Periudha zgjedhore është e përcaktuar me ligj. Brenda periudhës zgjedhore presidenti mund të zgjedhë dy data ndërmjet saj. Procedura kushtetuese parasheh konsultën me kryetarët e grupeve parlamentare. nëse ato nuk shfaqin konsesus respektohet vendimi i presidentit i cili ka detyrën të gjejë gjuhën mes palëve. Unë kam propozuar datën 9 ndërsa presidenti këmbënguli se ka vetëm dy data atë 23 dhe 30 qershor. presidenti më bindi që duhet të zgjidhej mes tyre. Data e zgjedhjeve nuk lidhet me interesat politike por me atë të zgjedhësve shqiptarë. Sqarimi i kompetencës ka rëndësi për të kuptuar sa i kufizuar është presidenti në këtë aspekt. Ai ka kompetencën për dekretimin e zgjedhjeve e cila është një akt me efekt të menjëhershëm. Dekretimi është hapi i parë dhe i fundit i presidentit lidhur me zgjedhjet.

Deri në datën 10 qershor janë konsumuar të gjitha procedurat për regjistrimin e subjeketeve zgjedhore, ngritjen e administratës së zgjedhjeve, është ndarë koha televizive, janë printuar fletët e votimit. Për të gjitha këto hapa e gjithë kjo kosto nuk mund të zhbëhet me zhdekretim. Presidenti sjell në vëmendje", tha Balla.

Ora 10:06
LSI me 18 deputetë në Kuvend, betohet Ramazan Gjuzi

Është betuar sot në Kuvend deputetit më i ri në radhët e LSI, Ramazan Gjuzi. Gjuzi ishte kandidati i fundit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Bashkë me Gjuzin shkon në 18 numri i deputetëve të LSI në Kuvend.

Ora 09:28
Sot seancë plenare/ Kuvendi rrethohet nga policët dhe telat me gjemba (FOTO)

Ndonëse nuk ka një lajmërim për protestë nga opozita, mësohet se policia ka marrë paraprakisht masat duke shtuar forcat e sigurisë. Siç njofton gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku, rreth 250 forca policie janë angazhuar para Parlamentit. Gjithashtu perimetri i jashtëm i saj është rrethuar nga gardhi metalik dhe teli me gjemba, një masë kjo e marrë edhe më herët nga ana e uniformave blu në seancat e kaluara.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • usa be: 14/06/2019 19:53

    degjoni komentet e usa dhe be .peshku i madh e ha te voglin.o shqipetareee mos u merzisni lexoni ata qe bejne komanden e gjith botes ska nevoje te mereni me keta tanet.shqiperia do behet dhe PIKE!!!

    Përgjigju
  • Tereza: 13/06/2019 18:32

    Tani nuk po kuptoj,u shkarkua Meta apo jo?A do e shkarkonte sot parlamenti apo do drekoj neser mr Ramen? Ah mor i mjeri popull,nuk arrini ta kuptoni se dhe Rama luan si do,ato han e pin bashk e ju si kope lopesh i shkoni nga pas.Ku humbi shkarkimi i Metes?Hapi i radhes i Rames do jet marveshja per shtyerje te dates per interesat e tyre dhe ju vazhdoni ti shkoni nga pas.Nuk ka si shkarkon Lilon se para nje jave drekonin bashk.Mjer populli qe u beson e shkon si bagetia pas Rames e Lulit

    Përgjigju
  • Pavllo Loqja: 13/06/2019 17:12

    Meta eshte midis dy zjarresh, nga njera ane Karpushini qe i kerkon rublat qe i ka dhene per permbushjen e detyres qe i ka dhene nga ana tjeter Saliu Luli dhe Monika per te krijuar nje 97 apo me e vogla nje 21 janar

    Përgjigju
  • Meta: 13/06/2019 15:29

    Nuk jane te rastesishme ardh je e Rames ne krye te PS, e as nuk eshte e ratsuishme e as aksidentale, largimi I Berishes dhe ardhje e PS me Ramen ne Qverisje dhe ne krye te qeverise,Fitoria e dyte ish te mbi 51%.Tash ne cilen do forme e menyre te organizohet zgfj edhjet PS do merr mbi 55% besim nga Sovrani,Sespe Sovrani nga pervoja dhe e kaluar,zgjdh kush mund ti shrbeje me ndergjegje e pergjegjsi.

    Përgjigju
  • Suela: 13/06/2019 14:57

    Nese Rama shtyn zgjedhjet qofte dhe nje dite per marveshje me PD ashtu sic thot Hajdari,ateher dhe Rama duhet shkarkuar.Vetem nje date zgjedhje ka,30 qershor,asnje dit me pas.PD nuk merr pjese sepse ashtu deshiron dhe nuk duhet lejuar me te bej ligjet Berisha por kushtetuta.Nese ka sinjale per dhune,ushtria te marr ne mbrojtje rendin kushtetues.Nese Rama ben pazare me PD nuk do ta votoj me kurr Ramen.Qe sot po duket terheqja,se nuk duan te shkarkojne Lilon e Mones.Nese ben marrveshje me Lulin ta dish qe do jesh humbes Edo

    Përgjigju
    • CaBone: 13/06/2019 17:51

      Shum e sakt. Pajtohem 100% me shkrimin tuaj.

  • Cami nga Cameria: 13/06/2019 14:21

    Kur u be dhe kjo camja jone hapu dhe te futem, Mamica me dybek,hej zot i madh.poshte komunistet si rraca e kesaj.

    Përgjigju
  • Bla bla bla bla bla bla bla: 13/06/2019 14:18

    Hahahahahahaha telenovela me shqiptaret vazhdon hahahahahahaha.Her pas here duhet pak rremuje per te percare shqiptaret ne tifoz partish dhe grabitja vazhdon

    Përgjigju
  • shqiptar: 13/06/2019 12:42

    po te ishte nje njeri normal nuk do i falej gje pse metes duhet ti falet apo ne shqiperi ata qe grabisin popullin respektohen

    Përgjigju
  • USA: 13/06/2019 12:31

    Duroni "Burra dhe gra"shteti te vetezgjedhur se nuk eshte ndonje skandal I papritur.Per juve nje me shume nuk ben buje te madhe.Populli eshte i vetedijshem qe edhe ky do kaloje sikurse Gerdeci,21 Janari,Tahiri,Frroku,Dako e shume e shume krime e skandale te pafund.

    Përgjigju
  • nivel: 13/06/2019 11:33

    maliqi sic ka emrin ka dhe sjelljen.o politikane kur do flisni ndonjehere ne baze te kushtetutes !!!!iken nje sali vjen nje sali tjeter.o rrotaa nuk eshte parlamenti kafene qe flisni me ate gjuhe prej rrugesh aty brenda ku gatuhen fatet e nje populli!!!turp atyre qe ju sjellin aty me votat e tyre.nivel zero =votues me nivel zero!!duam dhe evrope pastaj.lefter lefteri ne emer te popullit i share ai qe te voton ty

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Konispol, sherr mes disa të rinjve, dy të plagosur me sende të forta

Konispol, sherr mes disa të rinjve, dy të plagosur me sende të forta