Rama: Mini-shengeni ballkanik do të shkojë më tej pas takimit në Ohër me 10 nëntor

TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka folur për krijimin e Mini-shengenit ballkanik në forumin “17 + 1” në nivel kryetarë bashkish.  Rama tha se ky bashkim ka për qëllim transferimin e dijeve dhe këmbimin e eksperiencave, ndërsa parashtroi se impakti i këtij bashkëpunimi do të ndihet edhe tek qytetarët.

Kreu i qeverisë tha se kjo lëvizje do të shkojë më tej me takimin në Ohër në 10 nëntor, ku do të mblidhen sërish liderët ballkanik.

"Ky është një takim me një rëndësi sepse është një forum që krijon një mundësi të rëndësishme për të gjithë administratorët e qyteteve të mëdha. Sokrati thoshte se forma më e lartë e mençurisë është ajo që vjen me planifikimin e qyteteve. Kjo është edhe sfida më e afërt në jetën e përditshme të njerëzve, ashtu sikundër në qeverisje ka një potencial të jashtëzakonshëm dije. Njerëzit e shohin bashkëpunimin me Kinën si një mundësi për financime por urat e bashkëpunimit me Kinën sjellin dije përmes të cilave këmbehen eksperienca dhe dijë që kthehen në përfitim për vendet dhe qytetet. Më vjen mirë që në këtë forum krijohet mundësi për t'u takuar me drejtuesit e vendeve që ecin në shina të ngjashme me tonat. Dua të nënvizoj rëndësinë e pranisë së kryebashkiakëve nga rajoni ynë që vijnë këtu si vende që përbëjnë formatin 17+1. Është një periudhë kohe në historinë e përbashkët. Përpara disa javësh ne bëmë takim me krerët e Maqedonisë dhe Serbisë bazuar në katër liritë e BE, lëvizjes së njerëzve, mallrave. Kjo lëvizje do të shkojë më tutje me takimin në Ohër me 10 nëntor, ku do të mblidhen liderët ballkanik. Të bëjmë të mundur përtej këmbimit të eksperiencave edhe transferimin e dijes me qëllim zgjerimin e dijes në të gjithë territorin. Impakti i këtij bashkëpunimi do të ndihet tek qytetarët. Nëse ka një pikë ku besoj se ne kemi të drejtë të ftojmë në konflikt miqtë tanë nga rajoni është pika e ushqimit më të mirë. Si ushqehen miqtë dhe të ftuarit në Shqipëri nuk ushqehen në asnjë vend. Sot është e mjaftueshme për të nxitur ju që përveçse t'i bëni yzmetin këtij forumi të përfitoni edhe nga eksperienca e mikpritjes shqiptare", u shpreh Rama.

Brenda viti 2021 pritet që të 'vijë në jetë Mini Shengeni' mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Ramës brenda këtij viti levizjet e lira mes këtyre vendeve të Ballkanit Perendimor nuk duhet të shihet më si një aspiratë por duhet të bëhet realitet. Më anë të kësaj dakordësie në Novi Sad mes tre vendeve do të krijohet mundësia që qytetarët të kalojnë kufijtë vetëm me kartë identiteti.

Fjala e plote e kryeministrit Edi Rama

Është e udhës që të falënderoj në mënyrë të posaçme miqtë kinezë, që u bënë shtysa e këtij takimi që pa asnjë dyshim është një takim me një rëndësi të posaçme, jo thjesht sepse kështu duhet thënë sa herë hapet një takim, por sepse ky është një forum që krijon një mundësi të rëndësishme për të gjithë administratorët e qyteteve të mëdha, e kryeqyteteve të familjes së vendeve të 17 + 1, për të shkëmbyer eksperiencat e tyre.

Sokrati thoshte se forma më lartë dhe më e admirueshme e mençurisë është ajo që vjen me planifikimin dhe zbukurimin e qyteteve dhe komuniteteve njerëzore dhe pa asnjë dyshim, qeverisja e qyteteve është dhe sfida më e afërt me jetën e përditshme të njerëzve. Ashtu sikundër, në historinë dhe të përditshmen e qeverisjes së qyteteve ka një potencial të jashtëzakonshëm dijeje.

Shumë shpesh njerëzit priren ta shikojnë Kinën dhe bashkëpunimin me Kinën si një mundësi për financime, por unë besoj shumë fort që në radhë të parë, urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije dhe përmes të cilave mund të këmbehen eksperienca dhe të transferohen dije, të cilat më pas kthehen edhe në përfitim për vendet, për qytetet, për komunitetet.

Më vjen shumë mirë, nga ana tjetër, që në këtë forum krijohet mundësia për t’u takuar me drejtuesit e kryeqyteteve të vendeve që vijnë dhe ecin në shinat e një eksperience shumë të ngjashme me tonat dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për t’u njohur nga afër me çdo eksperiencë dhe për të krijuar edhe në këtë drejtim mundësinë e ngritjes së urave të dijes. Besoj se çdo lidhje, çdo urë që ngrihet sot në funksion të shkëmbimit të eksperiencës dhe të rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore është një pikënisje për një rrugë të re më shumë në rrugën e të nesërmes.

Dua të nënvizoj rëndësinë e posaçme që ka prania në këtë takim e kryebashkiakëve nga rajoni ynë, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, që vijnë këtu si përfaqësues të vendeve që e përbëjnë formatin 17 +1. Është një periudhe kohe në historinë tonë të përbashkët, ku ka dalë më shumë se asnjëherë në pah, qoftë nevoja, por qoftë edhe potenciali i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Përpara disa javësh, ne bëmë një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Republikës së Serbisë dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në funksion hapjes e së një faqeje të re në historinë e rajonit, bazuar në katër liritë e Bashkimit Europian; lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Një nismë gjithëpërfshirëse, që do të shkojë më tutje me takimin e Ohrit në datën 10 nëntor, ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit dhe jo vetëm kaq, por edhe protagonistë të tjerë, partnerë ndërkombëtarë në procesin e transformimit të kësaj hapësire ku jetojnë nga një zonë konflikti në një hapësirë bashkëpunimi.

Një nga pikat e rëndësishme të prioritetit të këtij bashkëpunimi janë qytetet dhe historitë e suksesit të qyteteve. Ashtu sikundër, edhe zhvillimi i kapaciteteve ndërvepruese mes qyteteve për të bërë të mundur përtej këmbimit të eksperiencave dhe transferimit të dijes, edhe shfrytëzimin e burimeve të rritjes ekonomike me potencial zgjerimin në të gjithë territorin. Këtu kam parasysh turizmin. Është me rëndësi të veçantë që në aspektin e zhvillimit të mëtejshëm të turizmit, si një nga burimet më të rëndësishme dhe potencialet më të mëdha të rritjes ekonomike të vendeve tona, ne të ndërtojmë  ura të reja bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, ne shikojmë me shumë rëndësi krijimin e një hapësire lirie të plotë edhe për rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë vendin tonë. Nëse do të jemi në gjendje që turistëve kinezë, por edhe turistëve nga gjithë vendet e tjera t’u japim oferta më të larmishme, të krijuara bashkërisht, atëherë, me siguri do të përfitojmë të gjithë dhe impakti i këtij bashkëpunimi do të ndihet drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të gjithë qytetarëve.

Padashur t’ju marr më shumë kohë, uroj shumë që programi i ndërtuar nga organizatorët të jetë i harmonizuar mes qëndrimit në këtë sallë, rrethuar nga perdet që e bëjnë të detyrueshme dritën elektrike, edhe qëndrimi jashtë kësaj sjellje për të shijuar Tiranën, për të shijuar diellin, për të shijuar ushqimin. Nëse ka një pikë, ku besoj se ne kemi të drejtë që të ftojmë në një konflikt të gjithë miqtë tanë nga rajoni, është pikërisht pika e  ushqimit më të mirë. Jam i bindur që kemi të gjithë të drejtën të themi sesi ushqehen miqtë dhe të ftuarit që vijnë në Titanë dhe në Shqipëri nuk ushqehen asgjëkund.

Jam i bindur po ashtu, kjo fjali, deri përpara disa vitesh jo larg në kohë do të mund të bëhej shkak për hapjen e një luftë tjetër ballanike, ndërkohë që sot është e mjaftueshme, besoj, për të nxitur të gjithë ju që, përveçse t’i bëni hyzmetin këtij forumi, t’i bëni patjetër edhe hyzmetin kënaqësisë të së përfituarit të eksperiencës së mikpritjes shqiptare. Ashtu sikundër, edhe të gjithë kryetarët e bashkive, apo përfaqësuesit e tjerë të bashkive që janë këtu, të mund të përfitojnë dhe pastaj, me kënaqësi, ne do të prisnim që të hakmerreshin me, ne në rastin kur do t’i vizitonim, për të na treguar se në fakt kjo që thashë unë nuk është e vërtetë dhe se ata kanë ushqim më të mirë se i yni. Shumë faleminderit!

 ​

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë