Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Rama iu përgjigj komenteve mbi gjendjen e shëndetësisë, duke thënë se sot janë standarde mjaft të larta. Ai tha se këtë sektor e mori në gjendje katastrofale, ndërsa sot shqiptarët nuk kanë nevojë të ikin për mjekim jashtë.

Duke iu përgjigjur komentit, Rama tha se nuk e kupton si mund të jenë kot 53 spitale të reja, nga të cilat 10 nuk ekzistonin dhe 43 u shembën përtokë dhe u ribënë komplet nga e para me standardet më të larta europiane.

"Çfarë të them, si të them? Spitale ke bërë, por janë kot. Nuk e kuptoj si mund të jenë kot. 53 spitale të reja, 10 që nuk ekzistonin. 43 që u shembën përtokë dhe u ribënë nga e para me standardet më të larta europiane. E morëm detyrën në një Shqipëri me spitale që ishin ndërtuar në vitet 60-70′ dhe ishin vetëm arnuar në vitet 90-00′, një tmerr. Me shtretër lufte akoma, me batanije nga ato ushtarake, banjo me ujë rrjedhje në korridor gjithandej, ilaçe harroje, infeksionet post operatore më të larta në Europë. Autoambulanca, ndizeshin me të shtyra.

Nuk po flas qendrat shëndetësore, mesjetë e thellë, katastrofë. Sot kemi 400 qendra shëndetësore të bërë nga e para, që iu shërben 1.6 milionë qytetarëve. Kemi mjekë të mirëpaguar, 140 përqind më shumë se deri dje, infermierët, me 112 përqind më shumë se sa deri dje. Paguajmë 120 milionë euro për rimbursimin e barnave. Dy spitale ultra modernë do të ndërtojmë në mandatin e katërt, në bashkëpunim me Emiratet Bashkuara dhe me strukturën më të mirë spitalore të Italisë. Nuk do të çojmë askënd jashtë për asnjë operacion të komplikuar, të vijnë këtu të kurohen edhe shqiptarët që janë jashtë. Më e mira është përpara. Shqipëria 2030 do të jetë anëtarë krenare e BE”, u shpreh Rama.