Rama në Serbi, Lladrovci: Dinjitoz,
keqardhje e Aleksandër Vuçiç

Rama në Serbi, Lladrovci: Dinjitoz,<br />keqardhje e Aleksandër Vuçiç
Ambasada e Kosovës në Shqipëri e ka cilësuar vizitën e kryeministrit Edi Ramës në Serbi të  suksesshme dhe si e tillë i ka përmbushur qëllimet e pritura dhe se ishte në lartësinë e pritshmërive të faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar.
 
Në një deklaratë të kësaj ambasade theksohet se përgëzon veçanërisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur.
 
Konstatimi i kryeministrit të Shqipërisë, theksohet në deklaratën e ambasadës së Kosovës, është një mesazh i duhur dhe me frymë evropiane. Gjithashtu vlerësohen edhe kërkesat e kryeministrit Rama për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
 

Deklarata e ambasadës së Kosovës në Tiranë


Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë ndoqi me interesim të jashtëzakonshëm vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama në Serbi. Qeveria e Kosovës përherë i ka dhënë një mbështetje të plotë vizitës së kryeministrit Rama në Serbi dhe ka mirëpritur gjithashtu takiminme bashkëkombësit tanë të Luginës së Preshevës.

Nisur nga kjo, Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë vlerëson se vizita e kryeministrit Ramës në Serbi ishte dinjitoze, e suksesshme dhe si e tillë i ka përmbushur qëllimet e pritura dhe se ishte në lartësinë e pritshmërive të faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar. Paraqitja e kryeministrit Rama dëshmon gjithashtu përkushtimin e Shqipërisë për marrëdhënie të mira fqinjësore e rajonale dhe përkushtimin permanent për kursin evropian.

Ambasada e Kosovës e vlerëson si të rëndësishëm këtë takim dypalësh, cili do të hap një kapitull të ri në përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Serbisë dhe i kontribuon krijimit të një klime të mirë bashkëpunimi për mbarë rajonin e Ballkanit. Ne besojmë që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajë dhe sinqeritet, pasi dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë.

Ambasada e Republikës së Kosovës përgëzon veçanërisht kryeministrin shqiptar Edi Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur. Konstatimi i kryeministrit të Shqipërisë se “Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe evropian” dhe “se pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës evropiane të rajonit dhe e ka kthyer në veprim strategjik, bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti”, është një mesazh i duhur dhe me frymë evropiane.

Ambasada e Republikës së Kosovës po ashtu shpreh mirënjohje për kryeministrin Rama lidhur me vlerësimin e tij për dialogun Kosovë-Serbi, si mishërimin kuptimplotë të një epoke të re paqeje dhe vetëdijeje evropiane në rajonin tonë. Në këtë kontekst, mbështet fillimi i një tradite të mirë të vizitave të liderëve të shtetit shqiptar në Luginën e Preshevës, që vjen si detyrim vëllazëror, politik, shtetëror dhe kushtetues i shtetit shqiptar. Po kështu, vlerësojmë si moment të duhur kërkesën e kryeministrit Edi Rama për nevojën e trajtimit të çështjes së Luginës së Preshevës sipas standardeve evropiane dhe të nevojës që edhe shqiptarët në këtë rajon të jenë evropian të barabartë.

Ne besojmë se kjo vizitë e rëndësishme e kryeministrit shqiptar në Serbi dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve bilaterale duhet të përfaqësojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Kjo vizitë mund të shërbejë si një moment për ndryshimin pozitiv dhe të hap një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira dhe si moment i duhur për vazhdimin e dialogut rajonal në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e agjendës së samitit të Berlinit.

Në tënjëjtën kohë, Ambasada e Kosovës shpreh keqardhje me sjelljen e kryeministrit serb Vuçiq dhe për qëndrimin nacionalist e armiqësor se “Kosova janë pjesë e Republikës së Serbisë”. Ky qëndrim i tillë tregon se politika e Beograd ndaj Kosovës nuk është shkëputur akoma nga e kaluara nacionaliste, përkundër nënshkrimit të Marrëveshjes së 19 prillit 2013 për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në këtë kuadër, edhe Republika e Kosovës gjithashtu është e përkushtuar për të luajtur një rol aktiv rajonal, për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë,respektimin, sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe mbetet e përkushtuar për të normalizuar në tërësi marrëdhëniet ndërshtetërore me Serbinë, duke u angazhuar për një politikë që synon krijimin e një rajoni të sigurt, të qëndrueshëm dhe të integruar në strukturat euro-atlantike.


 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

 

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës