Edi Rama u angazhua për ndërtimin e Korridorit të Gjelbër, si një aks kryesor rrugor nga veriu në jug, nga Hani i Hotit në Kapshticë, një korridor i unifikuar, që do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve. Ndërsa një tjetër aks rrugor i rëndësishëm që do të marrë jetë në qeverisjen socialiste do të jetë ai i pagëzuar me emrin Korridori i Kaltër dhe që do të bashkojë të gjitha zonat bregdetare turistike, duke kaluar përgjatë vijës bregdetare.
Artan Lame në fjalën e tij ka bërë një paralelizëm midis Vlorës së vitit 1690 dhe Vlorës së sotme, duke u bazuar në një përshkrim të asaj kohe të shkuar nga Emilio Alberghetti, një delegat venedikas. Në atë kohë qyteti kishte “dy vendpeshkime”, ndërsa sot Vlora nuk ka asnjë port qoftë edhe primitiv për peshkimin. Kishte “kriporet e famshme”, të cilat kanë qenë pronë publike që në kohë të Romës, të Bizantit, të Turqisë, të Zogut, të diktaturës, e deri në vitin 2008, kur Saliu ja dha me koncesion për 33 vjet një sejmenit të vet. Kishte “Minierat e ziftit të zi”, ato të serës në Selenicë, që po ashtu janë dhënë me koncesion. E ndërkohë që zifti ynë shkon jashtë rrugët tona shtrohen në pjesën më të madhe nga zift që vjen nga Bosnja. Lame po ashtu përmendi edhe prodhimet bujqësore e blegtorale që vazhdojnë të prodhohen në fshatrat e Vlorës, por që nuk kanë mundësinë të dalin në treg. Pikërisht, për të gjitha këto arsye sipas Lames qeverisja socialiste do të ndërhyjë energjikisht për ta ndryshuar situatën.
Ilir Beqja është ndalur më gjatë në rilindjen e sektorit të peshkimit. Sipas tij “aktualisht prodhimi i peshkut është sa 75% e prodhimit të viteve ’80, ndërsa shqiptarët konsumojmë vetëm 2.8 kg prodhim deti për banor në vit, disa herë më pak se banorët e vendeve që nuk kanë det në Europë. Beqja ka renditur disa nga masat kryesore që do të marrë qeverisja socialiste pas 23 qershorit, ndër të cilat janë rimëkëmbja e industrisë së peshkimit, përfshirë edhe kultivimin e peshkut; heqja e të gjitha taksave që duhen paguar që në doganë, qoftë për teknologji, qoftë për rasat, qoftë për ushqim; ringritja e flotës së peshkimit etj”.
Ndërsa kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika duke marrë fjalën në këtë konferencë ka theksuar se “në tetë vjetët e fundit qeveria nuk ka bërë asgjë për infrastrukturën dhe turizmin në Vlorë”. Sipas tij “ndërkohë që kryeministri bën llogaritë me laps për numrin e turistëve që vijnë çdo vit në këtë zonë bregdetare, operatorët turistikë janë në hall sepse nuk po arrijnë të shlyejnë dot kreditë me të cilat kanë realizuar investimet e tyre”. E pikërisht, për Gjikën është vetëm falë dëshirës dhe vullnetit të sipërmarrësve privatë, gjithçka që është ngritur deri tani në turizmin e Vlorës, pasi mbështetja dhe stimuli i qeverisë ka munguar plotësisht.
Duke marrë fjalën në takim kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është ndalur fillimisht në angazhimet kryesore të qeverisjes socialiste të pas 23 qershorit për investimet e drejtpërdrejta në Vlorë, ndër të cilat ai ka renditur ndërtimin e bulevardit të ri për këmbësorët buzë detit. “Do bëjmë gjithçka për ta rikonceptuar të gjithë bregdetin që lidhet me qytetin dhe për t’i dhënë qytetit një bulevard të ri këmbësor ashtu sikundër për të bërë dhe një investim për vetë bregun, në mënyrë që gjithë ky zhvillim që ka ndodhur në anë të detit me ndërtimet të ekuilibrohet në një zhvillim të një hapësire publike”, ka thënë Rama, që më pas është ndalur në ndërtimin e Rrugës së Lumit të Vlorës, ose e quajtur ndryshe rruga e Labërisë, për të cilën ka thënë: “Kjo është një rrugë e cila bën një lidhje të të gjithë komunave dhe lehtëson jetën e dhjetëra mijëra qytetarëve”.
Duke folur për strategjinë e qeverisjes së PS lidhur me infrastrukturën kryesocialisti është shprehur: “Tre janë shtyllat kryesore të programit tonë për infrastrukturën. E para një masterplan kombëtar. E dyta përcaktimi i qartë se ne nuk do të ndërtojmë më asnjë kilometër rrugë pa standarde euopiane. E treta fokusimi te siguria rrugore. Në fund të mandatit tonë ne duam që rrjeti kombëtar bazë të mos ketë më asnjë gropë, asnjë brazdë, asnjë kodër me zhavorr, asnjë kanal dhe asgjë që e pengon të jetë një rrjet normal me standarde europiane”.
Në fjalën e tij kreu i PS ka prezantuar edhe ndërhyrjet konkrete që parashikon programi për një Rilindje Shqiptare në infrastrukturë. “Ne duam të ndërtojmë dy korridore: Një korridor që e kemi quajtur të Gjelbër, që është korridor nga veriu në jug dhe që pak a shumë lidh Hanin e Hotit me Kakavijën poshtë, ku sot është aksi kombëtar që kalon nëpër 22 standarde të ndryshme. Këto 22 copa duhen lidhur si një e vetme dhe me standardin europian. Nga ana tjetër ne duam të ndërtojmë rishtaz një Korridor të Kaltër veri-jug. Nëse Korridori i Gjelbër është aksi që shkon nga Hani i Hotit në Kakavijë, Korridori i Kaltër është i domosdoshëm për të krijuar akses përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe për t’i dhënë një hov të jashtëzakonshëm jo vetëm turizmit, por edhe asaj lëvizjeje të madhe që Shqipëria e ka pasur në histori dhe duhet ta ketë përsëri duke qenë plotësisht e lidhur me pjesën tjetër të rajonit”, është shprehur kryesocialisti Rama.
Redaksia Online