Shqipëria bashkë më Hollandën po përgatisin një propozim të tyrin se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian. Kështu bën të ditur kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar disa pamje gjatë takimit në Hagë, me kryeministrin e Holandës Mark Rutte, ku thotë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë.

‘Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.’- tha kreu i qeverisë.

Popozimi shqiptaro-hollandez mori jetë gjatë vizitës së Ramës në Hagë, ku kryeministri Mark Rutte, sipas kreut të qeverisë, i kërkoi të hidhnin në letër një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian.

‘Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-hollandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Europian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkarisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian.  Ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët.’- shprehet Rama.

Kryeministri Rama premton se do të punojnë se bashku me kryeministrin Rutte, për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm.

‘Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë.’- tha Rama.

Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë tre ditore në Holandë, për të biseduar rreth çështjes së integrimit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp kryeministri holandez, Mark Rutte shprehu mbështetjen për Shqipërinë ne procesin e integrimit në BE.