Një ndërhyrje të re shtetërore paralajmëroi kryeministri Edi Rama në tregun e karburanteve në mënyrë që luhatjet në bursë, sikurse ka ndodhur gjatë ditëve të fundit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, të mos kenë ndikim të dukshëm në çmimet brenda vendit.

“Do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane”, tha Rama.

Derisa të realizohet  kjo, tregu do të monitorohet nga Task-Forca e ngritur nga Ministria e Financave, që veç karburanteve do monitorojë me kujdes edhe çmimet e ushqimeve.

“Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve”, vijoi Rama.

Veç pasojave të luftës në rritjen e çmimeve, Rama foli edhe për imunitetin e Ballukut, që me votimin në parlament të enjten, e quan çështje të mbyllur.  Zërat që thonë se mbrojtja që iu bë përmes 82 votave të socialistëve, do të dëmtojë integrimin, i quajti dokrra hini.

“Arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë. Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin, këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak. Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini”, theksoi kryeministri.

Ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Tik Tok, Rama tha se ishte i panevojshëm në kushtet kur aplikacioni u ri-hap, me një sërë filtrash.

“Ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s'ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë”, tha Rama.

Në fund, Rama garantoi se për Portin e ri tregtar dhe ushtarak në Porto-Romano, qeveria është gati të kalojë në një plan të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin tha se është vënë në dispozicion edhe i gjithë buxheti i nevojshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:23
Porto Romano/ Rama: Gati me një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv, kemi gati buxhetin e nevojshëm

Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektin për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Rama tha se pavarësisht vështirësive që ka hapur projekti për tu finalizuar në momentet e fundit, ai do të vijojë dhe se së shpejti do të jetë gati plani i ri që do të garantojë zbatimin.

Ai e ka cilësuar si një iniciativë strategjike rajonale dhe europiane, ndërsa theksoi se projekti nuk është thjesht infrastrukturor, por ka për qëllim riorganizimin e rrjetit portual të vendit, transformimin urban të Durrësit dhe forcimin e kapaciteteve logjistike dhe gjeopolitike të Shqipërisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe NATO-s.

“Kam një shënim të veçantë për sa i përket një çështje që ka marrë vëmendje mediatike dhe që, si të gjitha çështjet e tjera të kësaj bote, kur marrin vëmendje mediatike në kohën që jetojmë mbulohen nga një mjegull e madhe marrëzish, fantazish, budallallëqesh, ligësish dhe me një fjalë të vetme, dezinformimi. E kam fjalën për çështjen e portit të ri tregtar dhe ushtarak të Porto Romanos.

Tani, ne jemi, jo në të drejtën, por në detyrën tonë të riorganizojmë rrjetin portual të vendit, të ndryshojmë funksionin urban të zonës Durrësit; të shpëtojmë qytetin e dytë më të madh të vendit dhe qytetin e parë turistik të Shqipërisë në vijën bregdetare nga gangrena mu në mes të organizmit të vet urban, që është porti i vjetër; të rrisim kapacitetet tona përpunuese logjistike dhe gjeopolitike, duke u përputhur me standardet e Bashkimit Europian dhe të NATO-s përmes ndërtimit të një nyje të re strategjike për, jo thjesht Shqipërinë, po për rajonin dhe për funksionimin e Korridorit 8 dhe në ndërkohë, të gjitha këto sfumohen nga lumi i marrëzive që shqiptarët janë të detyruar të përballin përditë, në çdo orë, në çdo minutë, sa herë që kanë kontakt me 700 tenxheret politike dhe mediatike.

Ideja e transferimit të portit tregtar në Porto Romano dhe e transformimit të portit aktual të Durrësit për funksionin e ri të një motorri të fuqishëm të industrisë së re të turizmit është absolutisht zgjidhja më logjike e pamundur në kohëra të mëparshme për shkak të Shqipërisë që ishte dhe plotësisht e domosdoshme për Shqipërinë tjetër që ne po ndërtojmë dita-ditës.

Porti i ri në Porto Romano nuk është thjesht një projekt infrastrukturor. E përsëris, është një projekt strategjik rajonal dhe europian i lidhur me funksionimin vital të Korridorit 8 dhe me nyje të tjera logjistike, ku përfshihen edhe portet e thata të Prishtinës dhe të Shkupit.

Siç e theksova në ditët e shkuara, në këtë proces nuk ka patur sikundër hidhen përpjetë ciklat e avujve të tenxhereve mediatike, asnjë shqetësim të shprehur nga aleatët tanë, as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Bashkimi Evropian, përkundrazi projekti i hartuar nga kompania më e madhe në botë, me reputacion të padiskutueshëm, Royal Haskoning është në tryezën e NATO-s.

Ka kaluar të gjithë filtrat teknik dhe tani pret të hyjë bashkë me grupin e disa projekteve të tjera të mëdha, në filtrin politik pikërisht sepse është një projekt me një vlerë të konsiderueshme gjeopolitike, por natyrisht, e kam thënë dhe e përsëris këtë port të ri jo të gjithë e duan, jo të gjithë e mirëpresin. Faktorë brenda dhe jashtë, duke filluar nga faktorët e nëndheshëm të atyre që lidhen me trafiqet deri tek faktorë politikë dhe faktorë të tretë jashtë kufijve të Shqipërisë, s’kanë se si ta mirëpresin pasi në rastin më të mire, kjo është një fuqi e re që hyn në konkurrencën tregtare, detare të Mesdheut dhe në rastin më të ndjeshëm, ky është një faktor që merr pjesë nga, le të themi sofra, ku shpërndahet përfitimi i gjithë aktivitetit detar, tregtar në këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.

Një port i ri i këtyre përmasave, me këtë ambicie, e çon Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe e kthen në një vend që zotëron edhe një nyje strategjike të transportit në mes të Europës, si pikë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.

Më e qartë se kaq unë nuk e di si mund të jetë. Dhe në fund dua të them që, pavarësisht vështirësive që ka hasur projekti, pavarësisht të dy proceseve të papërfunduara në sekondën e fundit, pavarësisht tërheqjes së kompanisë që ishte shumë pranë lidhjes së kontratës dhe pritej vetëm të paraqiste ofertën financiare, por që u shpreh se në kushtet e krizës dhe të rritjes së çmimeve nuk e shikonte të mundur të jepte një ofertë financiare, ne jemi gati të kalojmë në një plan tjetër të shpejtë dhe agresiv për të garantuar fillimin e ndërtimit të portit për të cilin kemi vënë dispozicion edhe të gjithë buxhetin e nevojshëm”, tha ai.

Ora 10:11
Rritja e çmimit të naftës, Rama: Kompani shtetërore për stabilizimin e tregut, mbështetje me garanci sovrane

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit në tregun e karburanteve, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve. Në podcastin “Flasim” ai bëri të ditur se qeveria është drejt finalizimit të krijimit të një strukture shtetërore me rol stabilizues në tregun e naftës, e cila do të ndikojë në transparencën e çmimeve, do të garantojë furnizimin në treg duke pasur në mbështetje garanci sovrane. Duke folur për Task-Forcën e ngritur për kontrollin e tregut të hidrokarbureve, Rama tha se do të studiohet edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve.

“Rritja është e pashmangshme në të gjitha tregjet botërore dhe po ndodh në të gjithë botën pikërisht si pasojë e këputjes së zinxhirit të vlerës që qarkullon në shkëmbimet tregtare në një pikë strategjike siç është ngushtica e Hormuzit.

Gjithsesi nga ana tjetër, ne nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate dhe siç e kam deklaruar në fakt kohë më parë, jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane.

Pra, besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur edhe një tjetër ambicie dhe zotim të marrë menjëherë me nisjen e mandatit të katërt, që nafta që tregtohet në Shqipëri, të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kjo është plotësisht e mundur. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave, duke vënë në veprim administratën tatimore dhe doganore, nga njëra anë, me qëllim rritjen e kontrollit në tregun e hidrokarbureve dhe parandalimin e çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve dhe nga ana tjetër për të studiuar me shpejtësi edhe një ndikim mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimit të ushqimeve.

Ky grup propocional do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu dhe në pakicë, ndërsa çmimet do jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse.

Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Përkon me këtë situatë, por është një nismë e ndërmarrë kohë përpara krijimit të kësaj situate. Parashikon një krijim rezervash që shtrihet nga një në tre muaj, të naftës, por e thashë dhe më parë, ambicia jonë shkon përtej kësaj dhe besoj se në pak muaj, qytetarët do të mund të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve”, tha Rama.

Ora 09:59
PS nuk lejoi arrestimin e Ballukut/ Rama: Çështje e mbyllur, prokurori e gjykatësi s’mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në Kuvend

Kryeministri Edi Rama e cilësoi të mbyllur çështjen e kërkesës së SPAK për marrjen e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Më 12 mars Kuvendi e rrëzoi këtë kërkesë me 82 vota kundër dhe 47 të tjera pro.

Fjala e Edi Ramës

Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur.

Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës, të të gjitha vendeve të Këshillit të Euopës, jo të Bashkimit Europian, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur, pra të gjykuar dhe të dënuar.

58% e popullatës që ne e kemi sot në sistemin e burgjeve të Republikës së Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë.

Natyrisht, nuk flas për të gjithë, sepse me siguri mes tyre ka edhe nga ata, liria e cilëve duhet kufizuar paraprakisht, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, kanë kryer një vepër të rëndë penale, janë shoqërisht të rrezikshëm, etj, por në tërësinë e vet, përderisa Këshilli i Europës ka vënë alarmin për këtë çështje, ne nuk kemi se si jemi të shurdhët dhe ndërkohë që nuk kemi mekanizma për të frenuar një tërësi veprimesh të kësaj natyre, që janë vërtetë të rënda dhe justifikohen siç thotë raporti i Këshillit të Europës me fjalë të përgjithshme, në këtë rast me duart tona ne nuk mund t’i bashkoheshim kësaj kuturisjeje.

Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan.

Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim.

Pra, në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka  akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim.

Dhe Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: Mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet. Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte aty, kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, duke harruar se faktikisht nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur, përveç faktit që deputetja ishte thjesht një deputete dhe që nuk ka më asnjë kapacitet të ndikojë në asgjë për sa i përket hetimeve. Kështu që, e përsëris, arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë.

Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që na qenkej kaq afër, kini parasysh, janë po ata të cilët deri në këtë moment predikonin ditë,natë se integrimi dhe anëtarësimi ishin shumë larg. Se integrimi dhe anëtarësimi ishte “një ëndërr që unë e shisja për shqiptarët por që s'e besoja as vetë”, se “ne kurrë nuk do anëtarësoheshim në Bashkimin Europian” dhe papritur në të gjitha tenxheret u ngritën përpjetë kapakët sepse ëndrra u prish në çastin e fundit.  Këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak.

Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të cilët kanë një opinion të ndryshëm, të cilët kanë komplet një tjetër qasje ndaj imunitetit në vendet e tyre se në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq.  Të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Ora 09:28
Vendimi për TikTok, Rama: Gjyqtarët duhet të përballen me kritika konstruktive, të trajtuarit si 'lule mos më prek' s’ndihmon në përmirësimin e drejtësisë

Një vendim të panevojshëm e quajti kryeministri Edi Rama vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e TikTok, duke thënë se nuk kishte më konflikt pasi ky rrjet është hapur pas dakordësisë për vendosjen e filtrave. Kryeministri Rama tha se ishin 95% e prindërve dhe mësuesve që kërkonin që ky rrjet social të bllokohej deri në vendosjen e filtrave, që sipas tij tashmë janë arritur pas diskutimeve me kompaninë kineze.

Shefi i qeverisë thotë se edhe trupa e gjykatësve dh eprokurorëve duhet të përballet me kritikën opinionin e kritikës konstruktive për të përmirësuar punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si lule mos prek edhe pasi kanë përfunduar proceset nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.

“Këtë javë, Gjykata Kushtetuese mori dhe vendimin për çështjen e TikTok-ut, në ndërkohë që në fakt nuk kishte më çështje pasi si rezultat i bllokimit të TikTok-ut disa kohë më parë për arsyet që janë bërë publike dhe sipas kërkesës së 95% të prindërve dhe të mësuesve, ne hymë në një dialog konstruktiv me kompaninë dhe kompania mori përsipër dhe filloi implementimin e një sërë masash të reja në ofrimin e këtij shërbimi për audiencën shqiptare. Megjithatë Gjykata ka vazhduar në inercinë e vet dhe në fund ka dalë në konkluzionin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv.

Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t'u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.

Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s'ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.

Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet. Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.

Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje.

Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut”, tha Rama.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tel: 15/03/2026 17:18

    Thuaj nje fjale per masakren shteterore te Gerdecit.Na u mburr edhe nje here per kete reformen ne drejtesi qe bere.

    Përgjigju
  • dori: 15/03/2026 13:11

    O Edi mos e rruj fare këti populli futja sa të duash se dele janë... A ke parë të ngrihen ndonjë herë pse jemi kampion për çmime të larta.... Jo çohen vetëm kur duan të mbrojnë kriminelin Sali non grata prandaj futja.

    Përgjigju
  • rezi: 15/03/2026 11:38

    Për një gjë do të mbaheshin mënd KE VENDOSUR ÇMIMIN MË TË LARTË TË KARBURANTIT NË RAJON....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 14 Mars, 23:51

    18 vite nga Gërdeci, a besoni se do ndëshkohen përgjegjësit e vërtetë?