Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se ndërtimet pa leje mbajnë peng plazhin e Durrësit. Duke komentuar aksionin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombetar në Durrës për prishjen e ndërtimeve pa leje, kreu i qeverise, Rama, tha se operacioni vijon në vijën e rërës.

"Operacioni i pastrimit vijon ne vijen e reres, ku ndertimet pa leje e shtresat e pisllekut mbajne peng plazhin e Durrësit", shkruan kryeministri Rama në rrjetin social "Twitter".

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar njoftoi një ditë më parë se ka nisur zbatimin e planit operacional të ndërhyrjes në bregdet. Ndalesa e parë është zona nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, në Durrës, aty ku ndërhyrjet e nisura ditën e enjte parashikohet të zgjasin të paktën 10 ditë. Inspektorët e INUK kanë bërë konstatimet në terren dhe kanë njoftuar sipas ligjit qytetarët dhe pronarët e objekteve të kundraligjshme. Në aksin kryesor do prishen 150 struktura të ndryshme, përfshi dhe objekte një, dy dhe trekatëshe. Ndërhyrjet e nisura në Durrës do të shtrihen në të gjitha zonat bregdetare. 

ATSH