Kryeministri Edi Rama iu ka premtuar shqiptarëve 300 Qendra Shëndetësore gjatë mandatit të dytë qeverisës. Duke publikuar një video nga qendra e rikonstruktuar në Kamëz, të cilën e inspektoi një ditë më parë, kryeministri shkruan në ‘facebook’ se qendrat shëndetësore dhe ambulanca do iu shërbejnë me respekt e dinjitet njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Sipas tij, prej dekadash nuk është vënë asnjë dorë e aftë dhe e kujdesshme në hartën e sistemit shëndetësor të vendit, ndërsa shton se 90 qendrat e para do të financohen nga buxheti i 2018.

“Shqipëria që duam në katër vitet që vijnë do të ketë 300 pasqyra të Rilindjes së Shëndetësisë si kjo, qendra shëndetësore e ambulanca që do t’u shërbejnë me respekt e dinjitet njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, kudo ku prej dekadash nuk është vënë asnjë dorë e aftë dhe e kujdesshme në hartën e sistemit shëndetësor të vendit. 90 të parat do të financohen nga Buxheti 2018”, shkruan Rama.

rama fb
(Postimi i kryeministrit Edi Rama)

d.c./shqiptarja.com