Rama në Beograd, mediat serbe
"68 vite pas Hoxhës, historike!"

Rama në Beograd, mediat serbe<br />
BEOGRAD - Në pritje të vizitës së Ramës në Beograd, televizioni shtetëror i Serbisë i ka kushtuar një dokumentar të shkurtër duke vënë përballë 2 vizitat e krerëve të shtetit shqiptar në Serbi, kthyer në ngjarje historike. Vizita e parë që hyri edhe në histori ishte ajo e Enver Hoxhës përpara 68 vitesh, i cili qëndroi në Beograd nëntë ditë, nga 23 qershori-2 korrik të vitit 1946. “Ky ishte edhe fillimi i një periudhe të shkurtër i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Pak ditë më vonë në Tiranë nënshkruhet një traktat miqësie dhe i ndihmës së ndërsjellë, e cila përfshinte ndihmë ushtarake nëse njëri prej vendeve sulmohej”.

Kështu nis dokumentari i shkurtër ku përshkruhen edhe marrëdhëniet midis dy vendeve në vite.

Por, nuk do të zgjaste shumë edhe marrëdhënia e mirë. Krejt papritur, në një vendim të marrë vetëm brenda 48 orëve kreu i shtetit shqiptar asokohe, Enver Hoxha vendosi përnjëherë të anulojë të gjitha marrëveshjet ekonomike me Jugosllavinë për të shkëputur totalisht çdo vijë që i lidhte 2 vendet, marrëdhënie të cilat nuk u përmirësuan as vite më vonë.

Edhe politika e Shqipërisë ndaj Kosovës, ka qenë një nga arsyet kryesore të përkeqësimit të marrëdhënieve. Kjo do të arrinte kulmin me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në 2008, çka çoi edhe në ndezjen e tensioneve.

Një vizitë që zbuti tonet shume vite me pas ishte ajo e ministrit të jashtëm shqiptar ne vitin 2010, Ilir Metws në Serbi, ndërsa një vit më vonë Serbia vendosi të heqë vizat për Shqipërinë. Futja e një linje fluturimi së fundmi Beograd-Tiranë është përmendur si një tjetër hap pozitiv që ka përmirësuar marrëdhëniet, por jo në nivelin e dëshiruar.

Mediat serbe për vizitën e Ramës në Beograd
Vizita dy ditore e kryeministrit Edi Rama ka qenë kryefjala e mediave Serbe të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj vizite.

“Tanjug” shkruan se kryeministri shqiptar, viziton sot Beogradin pas shtatë dekadash, që kur ish-diktatori komunist Enver Hoxha, preku tokën serbe për herë të fundit më 1946.

Në të njëjtën linjë është edhe “B 92” duke e cilësuar këtë si një vizitë historike, që ndodh pas 68 vitesh. Sipas “B 92”, vizita do të kishte qenë më pak e tensionuar po të mos ishte për trazirat që shoqëruan ndeshjen e 14 tetor Serbi-Shqipëri.

Ndërsa “Kurir”,  thekson se kryeministrit shqiptar nuk do t’i dorëzohet çelësi i Beogradit. Ndër të tjera “Kurir” nënvizon edhe forcat e shumta të sigurisë që do të shoqërojnë kryeministrin shqiptar, si gjatë vizitës dy ditore, ashtu edhe gjatë qëndrimit të tij në hotelin “Hyatt”.

Televizioni Kombëtar i Serbisë, teksa nënvzion se vizita e Ramës vjen pas 68 vitesh të asaj të diktatorit Hoxha, bën një përmbledhje të ngjarjeve historike të marrëdhënies mes dy vendeve që pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, duke i kushtuar edhe një dokumentar.

Sakaq, një tjetër media serbe, “Blic” përqëndrohet në vizitën e Ramës ditën e nesërme në Luginën e Preshevës, ku siç theksohet do të takohet me komunitetin shqiptar në Shtëpinë e Kulturës. Po ashtu “Blic” nënvizon edhe vendosjen e banerave në Preshevë, për të mirëpritur kryeministrin shqiptar.

Ndërsa gazeta “Danas” vëmendjen kryesore e ka tek mos takimi i Ramës dhe Presidentit Tomisllav Nikoliç, e cila sipas axhendës zyrtare nuk është parashikuar ndonjë takim mes tyre.

“Danas” nënvizon gjithashtu edhe se në ndryshim nga axhenda e vizitës që ishte parashikuar më 22 tetor, por e shtyrë për shkak të incidenteve të ndeshjes Serbi-Shqipëri, Rama nuk do të mbajë tubim në Preshevë, por vetëm një fjalim të shkurtër me komunitetin shqiptar në Shtëpinë e Kulturës. 

Kështu vëmendja e Beogradit është e gjitha mbi vizitën e Kryeministrit Edi Rama, e cila vjen pas 68 vitesh, dhe në një kohë kur nga faktori ndërkombëtar por edhe nga vetë qeveria shqiptare është shprehur vullneti për një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Memaliaj, motra e Shyqyri Kalemit për Report Tv: Kemi dërguar emrin e autorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kemi besim tek drejtësia

Atentati në Memaliaj, motra e Shyqyri Kalemit për Report Tv: Kemi dërguar emrin e autorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kemi besim tek drejtësia