TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel do të zhvillojë sot një takim me Komisionerin për Zgjerim në KE, Stefan Fyle. Në takim Rama do të diskutojë për situatën politike, keqqeverisjen e Berishës dhe do bëjë thirrje për të mbështetur Shqipërinë në BE. Ai gjithashtu do dorëzojë dosjen e tërë shkeljeve dhe abuzimeve të kësaj qeverie të drejtuar nga Berisha, sipas PS-së.

Gjithashtu Rama do ta informojë për realizimin e të gjitha kushteve nga opozita në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat. Së fundmi votimi pro heqjes së imuniteti, që u zhvillua dje në parlament. Kreu i PS-së do të informojë dhe tërë shkeljet e Berishës, rritjen e krimit e të korrupsionit si dhe sjelljen aspak demokratike të kryeministrit me opozitën.

Kryetari I PS-së ndodhet prej tre ditësh në Bruksel dhe gjatë kësaj vizite zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me zyrtarë të lartë të BE-së. Dje u takua me Zv.Presidentin e Parlamentit Evropian Martinez, i cili mori pjesë dhe në hapjen e ekspozitës hartografike për 100-vjetorin e pavarësisë", shkruan Rama. Dy ditë më parë ka marrë jetë dhe ekspozita e paralajmëruar me 50 harta të vjetra të trojeve shqiptare ndër shekuj, një prezantim ndryshe i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në kryeqendrën evropiane.
(sg/shqiptarja.com)