Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, prezantoi kandidatin e "Aleancës për Shqipërinë Europiane" në Kolonjë, Arben Malo.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama akuzoi kandidatin e djathtë Viktor Duro, si një nga përgjegjësit e shkatërrimit të madh që i është bërë pasurisë së kësaj zone dhe të këtij qarku, që janë pyjet e mrekullueshme të Kolonjës.
"Në këtë bashki nuk ka garë, sepse s'mund të ketë garë midis kandidatit të mbështetur nga ne dhe një "pyjengrënësi" që ka sjellë këtu SHQUP-i. Unë kam besim se jo vetëm socialistët, të angazhuar në të dy partitë tona, por të gjithë kolonjarët duhet ta refuzojnë këtë lloj propozimi. Edhe demokratët e Kolonjës duhet të votojnë Arben Malon, për të bërë punë për Kolonjën", tha ai.
Gjatë prezantimit të kandidatit të propozuar nga LSI, Arben Malo, Rama theksoi se duhet të jetë shumë e qartë se Arben Malo nuk është kandidat i LSI-së, por është kandidat i PS-së dhe i LSI-së.
"Sa ç'është propozimi i LSI-së, aq është edhe mbështetja 100 për qind e Partisë Socialiste, sepse PS dhe LSI janë dy parti, por janë një forcë e vetme, janë forca që udhëheq Shqipërinë në drejtimin e duhur dhe që ka barrën e një transformimi të madh, i cili ka filluar në këto 18 muaj", vijoi Rama.
Kryeministri u shpreh se "ky është një transformim të cilin qytetarët e kanë ndjerë dhe kanë mundësinë ta prekin". "Qeveria në Tiranë i ka kthyer sytë edhe nga Erseka, edhe nga Kolonja dhe ashtu siç kemi bërë në këto 18 muaj, duke financuar fillimin e një rilindje urbane, edhe këtu do të vazhdojmë për ta çuar frymën dhe erën e rilindjes në çdo cep të bashkisë së Kolonjës", tha ai.
Kryeministri u ndal edhe te rruga që lidh për më pak se gjysëm ore Kolonjën me Korçën, që sipas tij, "ka qenë një tallje e madhe e qeverisë së shkuar, me shirit, me gërshërë dhe me daulle, për t'ju marrë mendjen, për t'ju marrë votën dhe pastaj për t'ju lënë siç ju lanë gjithë ato vite, pa asnjë investim, pa asnjë vëmendje".
Ka një ndryshim të madh mes nesh dhe koalicionit të djathtë, tha më tej Rama . "Ata duan vetëm luftë, sherr, konflikt, sharje, shpifje, baltë, rrëmujë, rrumpallë. Kurse ne duam që në këto zgjedhje, populli t'i japë mbështetje kandidatëve që ne kemi zgjedhur, në mënyrë që së bashku me ta, ne, investimin tuaj me votë ta kthejmë në punë, punë dhe vetëm punë", shtoi ai.
SHQUP-i thotë se ka një ofertë të re, vijoi Rama, ndërsa shtoi se ajo nuk është gjë tjetër veç avazit të vjetër, që të kthehemi përsëri tek taksa e sheshtë, të kthehemi përsëri tek anarkia me energjinë elektrike, të kthehemi përsëri matanë 23 Qershorit të 2013-s. Ndërkohë që vendimi sovran i popullit më 23 Qershor është "mjaft me atë avaz të vjetër, është koha për të ecur më shpejt drejt rilindjes".
Sipas Kryeministrit, "këto 18 muaj kanë treguar se ne do të ecim më shpejt drejt rilindjes". "Sigurisht që nuk jemi në destinacion akoma. Është një rrugë e gjatë, është një rrugë e vështirë, është një rrugë që kërkon mund e këmbëngulje, është një rrugë që kërkon solidaritet të madh, për të kuptuar që gjithë ato plagë që ne i gjetëm të hapura në trupin e Shqipërisë duan kohën e tyre për t'u kuruar. Por këto 18 muaj kanë dhënë provën e pakundërshtueshme se në çdo sektor ka filluar kurimi i plagëve dhe ne jemi në drejtimin e duhur", tha ai.
Ne e dimë shumë mirë që reformat janë të dhimbshme, tha Rama, por një gjë është e sigurt, që reformat japin rezultat, që masat që i shoqërojnë bëjnë sukses. "Nuk është qëllimi në vetvete reforma e energjisë, por është një reformë që na jep mundësinë që të mbyllim një gropë të madhe borxhesh, ku rrezikonim që të zhyteshim të gjithë, bashkë me këtë vend. Kështu mund të themi për të gjitha reformat", tha Rama.
Ai siguroi se "vota për Arben Malon është një investim që qytetarët do të bëjnë në 5 minuta, për të siguruar që në katër vitet e ardhshme, transformimi i saponisur të jetë shtrirë në të gjithë bashkinë e Kolonjës. /atsh/