Rama në Korçë/ I pari park Japonez në Shqipëri, shpjegohet projekti

Rama në Korçë/ I pari park Japonez në Shqipëri, shpjegohet projekti

Ditën e sotme Kryeministri Rama ishte në qytetin e Korçës, aty ku ka realizuar disa ngalesa.

Ndalesa e parë ishte në parkun e Korçës, aty ku po ndërtohet Parku japonez.

Parku japonez në qytetin e Korçës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është një prej projekteve të suksesshme të Bashkisë së qytetit për hapësirat e gjelbra, i cili shtrihet në vendin ku dikur ishte shtrati i lumit të Korçës dhe njëkohësisht vendgrumbullimi i inerteve.

Sot, falë një donacioni të qeverisë japoneze është transformuar në një park me funksion çlodhës dhe argëtues për banorët, rrëzë kodrave të qytetit.

Kryetari i Bashkisë Korçe, Sotiraq  Filo, duke shpjeguar projektin, tha se shumë elementë përbërës të parkut, siç është p.sh., kopshti urban, janë modele që prezantohen për herë të parë në Shqipëri dhe që duhet të përhapen edhe në qytete të tjera.

“Ky është projekti i fundit i Bashkisë për hapësirat e gjelbra. Është kopshti japonez dhe kopshtet komunitare. Kjo hapësirë që deri dje ka qenë ish-shtrati i lumit të Korçës shërbente si vend për të hedhur intertet. Tani është transformuar rrënjësisht. Nga ana e arkitektit janë vendosur elementë të parqeve japoneze. Është i pari park japonez në Shqipëri. Është një hapësirë, e cila lidh disa institucione, Muzeun e Artit Mesjetar, një prej godinave të universitetit, Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Prokurorinë. Gjithë këto institucione tani kanë këtë hapësirë të sistemuar. Kopshti urban është një model që prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Janë parcela, hapësira që ne mendojmë t’ia ndajmë një grupi banorësh që mund të vijnë këtu që të punojnë tokën, të kultivojnë perime, por edhe të shoqërizohen në një lloj mënyre. Janë modele që mund të përhapen edhe në qytete të tjera. Godina e universitet është bashkuar me parkun me qëllim që ky park të shfrytëzohet, jo vetëm nga banorët, por edhe nga studentët”, - u shpreh Filo.

Ndalesa e dytë e Ramës ishte në Sallën e Arteve në Bibliotekën e Re të Korçës.

 Salla e re e Artit, pjesë e Bibliotekës së re të Korçës hapi dyert me ekspozitën në pikturë të nxënësve të shkollës së mesme “Raqi Qirinxhi”, një nga më të vjetrat në qytet, vijim i Liceut francez dhe e mirënjohur për aktivitet artistike të saj.

Kryeministri Edi Rama vizitoi ekspozitën, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo dhe deputeti Niko Peleshi.

Drejtoresha e shkollës tha se në këto vitet e fundit shkolla ka pësuar transformime të rëndësishme.

Ndërsa deputeti Peleshi u shpreh se, “kjo shkollë është një histori suksesi në këto vite. Ka traditë, por në këto tre vite ka një hov të madh. Ka shumë komunitet, ka shumë përfshirje. Është vërtetë shkollë komunitare.”

Nga ana tjetër, mësuesi i pikturës shpjegoi se me talent dhe me shumë punë, nxënësit e kësaj shkolle ia kanë dalë të spikasin kudo. “Janë 24 punime dhe janë rreth 18 piktore dhe 2 piktorë. Mendoj që kemi realizuar një ekspozitë me një nivel që tejkalon një gjimnaz të përgjithshëm. Kemi realizuar gjithashtu shumë piktura murale në shkollën tonë, rreth 18 të tilla,” u shpreh ai.

Ndalesa e fundit e kryeministrit ishte në rrugën Maliq-Drithas, aty ku po bëhen një sërë punimesh.

Gjatë vizitës në Korçë, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe në rrugën Maliq-Drithas, ku vijojnë punimet për të ndërtuar një infrastrukturë me standarde bashkëkohore. “Që nga Maliqi, pjesa nëntokësore është mbyllur e gjitha. Kemi filluar pjesën e mureve dekorativë nga Maliqi dhe besoj brenda dy muajsh këtu çdo gjë do të ndryshojë krejtësisht. Kemi një ndërhyrje dhe në Drithas dhe në Maliq në pjesën kryesore të pallateve, kemi në të dy krahët ndriçim, pemë, rrugë biçikletash,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu.   

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare