Rama në Kosovë: Të ngremë
një Dhomë Tregtie Kombëtare

Rama në Kosovë: Të ngremë<br />një Dhomë Tregtie Kombëtare
PEJE - “Unë nuk jam kryeministër që pres shiritat, duke bërë sikur i bëjmë punët vetë, ndërsa duhet krijuar një Dhomë e përbashkët e Tregtisë Kombëtare”. Deklarata është bërë nga kryeministri Edi Rama duke folur në takimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Takimi është zhvilluar në qytetin e Pejës në Kosovë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar dje turin e takimeve në Kosovë, duke u ndalë fillimisht në Gjakovë. Rama zhvilloi një takim me kryetaren e kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën diskutoi për projektin e Alpeve si pjesë e ofertës turistike.
 
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri Rama ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ka zhvilluar disa vizita edhe në biznese të ndryshme të Gjakovës dhe Pejës, ku ka kërkuar një bashkëpunim më të madh mes firmave shqiptare dhe atyre të Kosovës me qëllim zhvillimin e ekonomisë.
 
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në tryezën e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku të pranishëm janë përfaqësues të biznesit mes dy vendeve.

ORA 17:45 TË KRIJOJMË NJË DHOMË TREGTIE KOMBËTARE
“Unë nuk jam kryeministër që pres shiritat, duke bërë sikur i bëjmë punët vetë, ndërsa duhet krijuar një Dhomë e përbashkët e Tregtisë Kombëtare”. Deklarata është bërë nga kryeministri Edi Rama në tryezën e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Duke folur në këtë takim, kryeministri tha se, ky është një takim i jashtëzakonshëm. Sipas tij, një nga premtimet e qeverisë ishte që në 360 ditët e para një biznes i Kosovës të investonte në Shqipëri dhe sipas tij, kjo gjë do të ndodhë. “Një nga synimet që duhet të realizohet me patjetër në 360 ditët e para të qeverisjes është investimi nga Kosova”, tha kryeministri.
 
“Unë nuk pres shirita asnjë herë, se mendoj se nga njëra anë është e tepërt të presësh shirita sikur i bën punët vetë, dhe nga ana tjetër të shkon puna ters duke prerë shumë shirita”, tha Rama gjatë fjalës së tij. Sipas tij, diskutimi ishte shumë i frytshëm për shkëmbimin e mendimeve.
“Besoj se 20 vjet është e mjaftueshme për të mbledhur gjithë mendimet dhe t'i kthejmë ne projekte”, tha ai.
 
Duhet krijuar një Dhomë e Tregtisë Kombëtare. Kemi Dhoma të ndryshme, gjermane, amerikane por një dhomë që të bashkojë në të njëjtën çati sipërmarrjen shqiptare nga çdo pjesë dhe të jetë një pikë referimi për çdo pikë, do të ishte një instrument që këto takime të mos ishin të radha por të rregullta dhe ne të prisnim në Shqipëri disa përfaqësues të sipërmarrjes edhe përfaqësuesit e kësaj Dhome Tregtare”, ka theksuar Rama gjatë fjalës së tij.

DO TË HEQIM TATIMIN E DYFISHTË
Një prej angazhimeve më të rëndësishme që tashmë është ndërmarrë nga qeveria shqiptare në një prej mbledhjeve të Këshillit të Ministrave është heqja e tatimit të dyfishtë. Javën e ardhshme, ministri i Financave, Shkëlqim Cani do të jetë në Kosovë për nënshkrimin e marrëveshje së heqjes së tatimit të dyfishtë.
 
“Kemi marrë angazhimin të heqim tatimin e dyfishtë. Qeveria jonë javën e kaluar e vendosi heqjen tatimin e dyfishtë dhe javën që vjen ministri i Financave do të nënshkruaj me homolgun Besim Beqaj marrëveshjen”, tha kryeministri.
 
 DO TË ELIMINOHET TVSH-ja PËR LIBRAT, GAZETAT
Kryeministri Rama njoftoi gjithashtu heqjen e TVSH-së mbi librat dhe jo vetëm. “Të eliminojmë TVSH-në për librat, gazetat, revistat. Ne besojmë se shkëmbimi pa pengesa e çdo gjë të shkruar shqip është e një rëndësie të madhe e të dyja anëve të kufirit", u shpreh Rama.
 
JAVËN QË VJEN HIQET TVSH-ja PËR TUBAT E ÇELIKUT
Javën e ardhshme, njoftoi kryeministri “do të futet skema e përjashtimit të TVSH-së për tubat e çelikut.”
Sipas Ramës, kjo është një kërkesë që sipërmarrës të Kosovës e kanë bërë kohë përpara por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga qeveria e kaluar.
 
HEQJA E BARRIERAVE DOGANORE PËR PRODHIMET SHQIPTARE DHE KOSOVARE
Rama e vuri theksin edhe në heqjen e barrierave doganore për prodhimet e të dy vendeve. Rama tha se doganat duhet të bëhen të ‘padukshëm’ mes dy vendeve.
 
“Duam që me çdo kusht ta bëjmë kufirin të padukshëm për kompanitë. Bizneset e Shqipërisë dhe ato të Kosovës, të jetojnë në të njëjtën hapësirë. Kush prodhon në Shqipëri të mund të prodhoj edhe në Kosovë dhe e kundërta. Të mos duket kufiri për këto prodhime të përbashkëta.”

DO GARANTOJMË SIGURINË ENERGJETIKE
Sektori i energjisë është një tjetër projekt i përbashkët tha Rama. Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe kjo duhet të jetë edhe në dispozicion të Kosovës për të garantuar sigurinë energjetike. 
 
“Nuk mund të humbim kohë sepse jemi të detyruar të ecim shumë shpejt për të garantuar sigurinë energjetike. Shqipëria ka burime ujore. Kjo pasuri është edhe e juaja dhe e Kosovës. Kjo pasuri duhet të jetë në dispozicionin e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Rama.
 
“Ne kemi shumë mundësi të kemi një projekt të përbashkët, të kemi edhe autoritet të përbashkët kur vjen puna për të importuar energjinë. Këtë e kemi vendosur në agjendën tonë për t’u realizuar”, vijoi Rama.
 
OFERTA TURISTIKE E PËRBASHKËT
Turizimi ishte një tjetër pikë ku u ndal Rama. Ai tha se dy vendet tona duhet të ofrojnë një paketë turistike të përbashkët.
 
“Është absolutisht me një bindje shumë të thellë. Oferta turistike e përbashkët është shumë e fortë”, u shpreh Rama.
 
ORA 16:12 BIZNESI MES DY VENDEVE TE BASHKEPUNOJË
Gjatë orëve të pasdites, kryeministri Rama  gjatë vizitës në Pejë të Kosovës, është ndalur në një kompani biznesi ku është shprehur se duhet krijuar ‘kombëtarja në biznes”.

Në takimin me pronarin e kompanisë “Devolli shpk”, Shkëlqim Devolli, Rama është shprehur se “Shpresoj të rikthehen në Shqipëri me eksperiencë dhe fuqi të shtuar. Rritje ekonomike të shqiptarëve në dy anët e kufirit. Për kombëtaren e futbollit nuk na lë UEFA. Kombëtaren e biznesit po nuk e bëmë e kemi ne fajin", ka thënë Rama.

ORA 15:31, RAMA NË PEJË, TË EKSPORTOJMË PRODUKTE SHQIPTARE NË BE
Edi Rama është ndalur në mesditë në një qendër grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Pejë.

Në këtë qendër gjenden prodhime bujqësore të importuara nga Shqipëria.
 
Duke folur në këtë qendër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se, “sfida të dalim jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Sfida jonë, të eksportojmë produktet shqiptare në BE”.
 
Kryeministri shoqërohet nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

ORA 14:40 RAMA NE GJAKOVE, RISI ZONA E LIRE EKONOMIKE
Kryeministri Edi Rama është takuar sot në Gjakovë me Kryetaren e Bashkisë Mimoza Kusari Lila. Në fjalën e tij kryeministri Rama është shprehur se tashmë Gjakova është një zonë e lirë ekonomike.
 
“Një nga risitë është se Gjakova është një zonë e lirë ekonomike. Me Kryetaren e Bashkisë diskutuam për projektin e alpeve si pjesë e ofertës së njehsuar turistike." është shprehur Edi Rama 
 
Mësohet se gjatë bisedës është diskutua gjithashtu edhe regjimi i taksimit. Ky takim është në vijimësinë e vizitës që Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot në Kosovë.

KRYEMINISTRI EDI RAMA SOT NË KOSOVË 

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë në Kosovë, ku do të takohet me sipërmarrës të ndryshëm në qytetin e Pejës.
 
Burimet zyrtare nga selia e qeverisë së Shqipërisë, kanë bërë të ditur se, kryeministri sot do të zhvillojë edhe një tryezë të rrumbullakët me biznesin në Kosovë.
 
Kryeministria bëri të ditur se, “të shtunën pasdite, 22 mars, kryeministri Rama do të vizitojë qytetin e Pejës në Kosovë. Fillimisht, Kryeministri do të ndalet për të vizituar dy sipërmarrje”.
 
“Më pas, ai do të  marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Kosovë”, thuhet në njoftimin e selisë së qeverisë së Shqipërisë.
 
Redaksia online
(ac/esh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin