TIRANË-Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe kryebashkiakun e Lezhës Viktor Tushaj, inspektuan sot projektin për "Rikonstruksionin e objektit 4 -katësh në bashkëpronësi, në bulevardin "Gjergj Fishta".
Sipas  Ministrisë së Zhvillimit Urban, ky është projekti i parë pilot i zbatuar në këtë qytet në fushën e "Eficiençës së Energjisë".
Godina 4 -katëshe në bulevardin "Gjergj Fishta" është rikonstruktuar tërësisht, si pjesë e projektit të financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, me vlerë 14 milionë lekë.
Është bërë termoizolimi i fasadës dhe tarracës, ndërrimi i dritareve duke përdorur material termoizolues PVC , si dhe është parashikuar mbyllja e hapësirave të kafazit të shkallëve, me dritare plastike.
Nga ky projekt kanë përfituar 24 familje , të cilat do të konsumojnë tani 50% më pak energji elektrike dhe gaz, falë ndërhyrjeve në godinë.
Përveç anës teknike me përfitime ekonomike si dhe përmirësimin e jetës për banorët që jetojnë në këtë godinë, rivitalizimi i fasadës sjell dhe një pamje më cilësore të qytetit, duke qenë se projekti pilot është përzgjedhur të zbatohet në një nga rrugët kryesore, në qendër të qytetit./ATSH/