Prodhimet bio dhe zhvillimi i agroturizmit po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në vitet e fundit. Kreu i qeverisë Edi Rama, ishte i pranishëm sot në një sipërmarrje familjare në Lezhë, konkretisht në familje e Alfred Markut, një prej mjeshtrave të restoranteve të spikatur i cili është pronar i ‘Rapsodisë’ në Krajnë të Lezhës.

Sipas Ramës falë mbështetjes së AZHBR-së, ai ka krijuar një sipërmarrje shembullore prodhimesh artizanale 100% bio, e cila ka kontraktuar 300 blegtorë, duke e dyfishuar në vetëm 1 vit kapacitetin e përpunimit nga 2 në 4 ton qumësht.

Kjo sipërmarrje është një miks blegtorësh të vjetër dhe të rinjsh të kthyer nga emigracioni, ku pasioni për punë e fitimet e rritura, dëshmojnë se ky vend është i bekuar për ata që duan të punojnë pa u lodhur.

‘Nuk bëhet kjo me lëmosha, por me bashkim, organizim dhe investime cilësore. Të shpërndash me dy lekësha edhe prodhuesit dilnin në rrugë duke shitur qumësht. Tani nuk ka më nga ato, kush bashkohet fiton. Është sistem organizimi dhe bashkimi. Sot punon për vete. Po nuk u bashkove në shitje nuk fiton. Të duhet një agroturizëm. Sistemi nuk mund të financojë ato që janë vetëm.’- tha Rama.

Hapi tjetër tha kryeministri Rama, është ngritja e një agroturizmi në këtë zonë ku turistë vendas e të huaj mund të shijojnë prodhimet 100% bio të baxhos, ndërsa një kërkesë e Alfredit, është edhe shtimi i Shqipërisë guidën “Michelin”, kërkesë të cilën Kryeministri e mbështet, por shprehet se është ende herët.

“Ne aty e kemi synimin. Nuk është çështje aplikimi sepse mund t’i sjellim dhe i kemi gati, por e ke parasysh si funksionon? Do vijnë tek ty, befasisht, do ulen e do shohin pecetën, pirunin, kamerierin, si e solli. Pastaj do vijnë tek kuzhina, pastaj do thonë ku i merr. Është akoma pak herët por është një fazë e ndërmjetme mes yllit “Michelin” dhe asgjësë, që merr një raport inkurajues dhe mbështetës nga Michelin. Ne do i sjellim, i kemi gati për ti sjellë por nuk duam që të vijnë e të mos jemi gati”, - u shpreh Kryeministri Rama.

Rritja dhe fuqizimi i pikave të grumbullimit jo vetëm në Lezhë por në të gjithë vendin, pritet të ketë ndikim pozitiv për fermerët që mbarështojnë blegtori të cilët pritet të shtojnë tufat e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
Procesi i Rindërtimit, 16 familje në Lezhë marrin çelësat e apartamenteve të tyre të reja

 

Gjatë vizitës së tij në Lezhë kryeministri u ndal për të parë edhe shtëpitë që marrin sot në dorëzim familjet e komunitetit rom dhe egjiptian të cilat mbetën pa strehë natën e 26 nëntorit. 16 familje sot marrin çelësat e shtëpive të tyre të reja, të ndërtuara me kontributin vullnetar të shqiptarit bujar nga Kosova Halil Kastrati.

“Ne kemi ardhur me dëshirën më të madhe. Përveç këtij pallati janë dhe 9 shtëpi të tjera. Këtu janë 16 hyrje dhe sot lidhet energjia me OSHE-në”, - u shpreh Halil Kastrati.

Kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Nderu, vlerësoi kontributin e donatorit kosovar. “Halili është donatori që është vetëofruar ka ardhur vetë, na është ofruar për ndihmë në ditë të vështira, përveç kësaj dhe me pako ushqimore”.

Objekti është i ndërtuar me të gjitha kushtet teknike dhe në përputhje me kërkesat e  Bashkisë Lezhë. “Ti gëzoni! Me shëndet, me fëmijët, me gjyshet. Janë pronë e juaja falë dhe kontributit të Halilit që na u gjet në atë moment. Ndërkohë me Lezhën do vazhdojmë t’i plotësojmë të gjitha nevojat”, - u shpreh Kryeministri Rama.

Puna vijon ndërkohë për ndërtimin e 9 banesave të tjera private në lagjen “Shehër” të Lezhës.