LUSHNJE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama denoncoi presionet dhe kërcënimet me varfëri për këdo që tenton t'i afrohet opozitës. "Unë e di mirë se çdo të thotë të angazhohesh me opozitën në kushtet e kësaj qeverie që realisht të përndjek nga pas, sidomos të varfërit", tha Rama, sipas të cilit kush bën politikë kundër qeverisë rrezikon edhe bukën e gojës. Deklarata e kryesocialistit erdhi nga qyteti i Lushnjes ku mori pjesë në takimin e Forumit të Gruas Socialiste.

“Unë e di mirë se çdo të thotë të angazhohesh me opozitën në kushtet e kësaj qeverie që realisht i përndjek nga pas, veçanërisht njerëzit e varfër. Veçanërisht njerëzit e papunë, veçanërisht njerëzit në familje në vështirësi ekonomike duke i kërcënuar në bukën e gojës dhe duke ju thënë se ka edhe më keq akoma nëse do të vazhdosh të merresh me politikë kundër nesh. E megjithatë, ju duke ardhur këtu jepni një përgjigje shumë të qartë dhe një mesazh shumë të qartë për të gjitha gratë dhe vajzat e Shqipërisë me këtë prezencë të mrekullueshme duke ju thënë PO, pikërisht se ka edhe më keq akoma, atëherë nuk ka kohë për të pritur sepse gjërat mund të bëhen më mirë dhe më mirë akoma, por nuk mund të bëhen vetë dhe mund të bëhen vetëm në qoftë se ne të gjithë së bashku angazhohemi në vijën e parë për liri, të drejta, shpresa dhe ëndrra që nuk mund të jenë të ndaluara për askënd në Shqipëri, qoftë burrë, qoftë grua, qoftë djalë, qoftë djalë”, u shpreh kreu i PS-së, Rama.

Në një sallë të mbushur plot me gra e vajza, Rama dënoi paragjykimet me të cilat përballet ende gruaja shqiptare në shoqërinë tonë, që sipas tij shpesh shkojnë deri në mohimin e të drejtave të tyre.

“Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka vajza që nuk shkojnë dot në shkollë. Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka vajza që mbarojnë shkollën dhe nuk shkojnë dot në punë. Sot në Shqipëri, në shumë pjesë të Shqipërisë ka gra dhe vajza që pavarësisht se kanë mbaruar shkollën, pavarësisht se kanë shumëçka për të ofruar duke punuar për këtë vend, mohohen në të drejtën e tyre për punë vetëm sepse janë gra ose sepse janë vajza. Ky është një mur paragjykimesh i cili është shumë më tepër sesa ajo çka lidhet me politikën e ditës. Është një mur paragjykimesh që po e ç’emancipon në një pjesë të madhe shoqërinë tonë, që po e kthen atë mbrapa në zona të tëra periferike dhe veçanërisht në fshatra të varfra. Që po bën që ajo dasi e dikurshme, në dukje e lënë pas, të rikthehet në çdo mjedis si një dasi mes burrave dhe grave, djemve dhe vajzave ku disa imponime të papranueshme bëjnë që burrat nën hije të fillojnë nga e para të lozin dhe të kuvendojnë, pavarësisht se pika as që ju ka rënë dhe as që ju bie që nga gratë rrojnë”, vijoi Rama.

Gjatë takimit ku merrnin pjesë edhe deputetet socialiste Arta Dade, Eglantina Gjermeni e Olta Xhaçka, Rama premtoi se kur të vijë PS në pushtet do të kujdeset edhe për ato gra shtatzëna të cilat për mungesë të një vendi pune nuk kanë sigurime shëndetësore.

(im/Gre.M/Shqiptarja.com)