Çelësat e 226 apartamenteve do t’i dorëzohen familjeve që humbën shtëpitë e tyre në tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019 në Manëz të Durrësit. Kryeministri Rama ishte i pranishëm në Manzë, ku tha se pavarësisht pengasave që u shtuan rrugës, si pandemia e së fundi lufta në Ukrainë, rindërtimi nuk u ndal dhe se me të njëjtën gatishmëri theksoi ai, përgjigjja do të vijë edhe për të përballur krizën e rritjes së çmimeve.

 “Zemra plot! Manzë, Durrës, ku sot hapim dyert për 230 apartamente të reja për banorët që humbën shtëpinë më 26 nëntor të dy viteve më parë. Kur themi që askënd nuk do ta lëmë vetëm kjo nuk është një fjalë e bukur por një fakt. Kjo vlen edhe në rastin e situatën së krijuar nga lufta”, tha Kryeministri.

Duke u ndalur tek ndihma që qeveria ka ndërmarrë me paketën e rezistencës, Rama theksoi se po ndihmohen më shumë se gjysmë milioni njerëz. Rama u shpreh se edhe në rastin e luftës Qeveria do t'i qëndrojë pranë kategorive në nevojë. 

“Do të mbështesim tre muaj rresht me një shumë ekstra për të kompensuar rritjen çmimeve të produkteve bazë të më shumë se gjysmën e një milioni njerëz. Po ashtu do të mbështesim fermerët me naftë pa taksa. Do të mbështesim pensionistët duke indeksuar menjëherë pensionet. Me radhë do të bëjmë çmos që edhe kjo situatë të kalojë pa shumë dhimbje. Luftërat nuk vijnë për të sjellë të mira, por dhimbje e plagë. Lavdi zotit s’jemi në kushtet kur bombat i kemi mbi kokë. Ato bien gjetkë, sidoqoftë lufta sjell jehonën e saj përmes çmimeve. Ne do të jemi të vendosur për të mos lënë të vetëm asnjë që është në vështirësi. Këtë vështirësi të madhe duhet ta kapërcejmë së bashku. Ne thamë që do i nxjerrim lekët nga dheu për të bërë shtëpitë tuaja dhe sot kjo është një tjetër lagje në vazhdën e një pune që vazhdon dhe që provon se ne mbajmë atë që themi. Ne nuk planifikojmë dot ngjarjet. Nuk i parashikojmë afatet për punët që bëjmë. Ka punë që kërkojnë më shumë kohë, por një gjë është e sigurt. Nëse them do e bëjmë këtë gjë, do e bëjmë se s’bën. Është vetëm çështje kohe. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punët e tjera, për ta bërë këtë vend më të mirë dhe pa harruar që nëse shumëçka e kemi nisur pak vite më parë, do të ishte nisur 20 vite më parë, sot do të ishim komplet në situatë tjetër, shumë më të mirë. Ky nuk është faji ynë. Detyrën e kemi marrë pak më shumë se 8 vite më parë dhe kemi nisur shumë gjëra nga e para. Mjafton të përmendim Reformën në Drejtësi. Me durim, e shumë punë të jeni të sigurt që do e ngjisim shtëpinë aty ku e meriton", tha ai. 

Lagjja e re e rindërtuar në Manëz pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, me 226 apartamente dhe 133 banesa individuale, është shembulli sipas kryeministrit Edi Rama, se qeveria i realizon objektivat e saj, pavarësisht vështirëve të krijuara gjatë mandatit, që nuk janë vetëm fatkeqësitë natyrore.

"Detyrën e kemi marrë pak më shumë se 8 vjet më parë, dhe i kemi nisur shumë gjëra nga e para, cdo gjë që ka të bëjë me shtetndërtimin kërkon kohën e vet, me durim shumë punë dhe bashkim do ja dalim ta ngjisim Shqipërinë aty ku e meriton. Rrugën e kemi pasur të vështirë për shkak të goditjeve, nga larg, nga lart, nga jashtë, tërmeti, pandemia, tani situata me cmimet, sic nuk na gjunjëzoi, abosultisht nuk do na gjnjëzojë edhe kjo situatë", u shpreh kreu i qeverisë. 

Me batutë e shoqëroi kryeministri situatën në PD pas regjistrimit të statutit të Kuvendit të Berishës.

"Socialistë e demokratë këtu, lërjani sherrin të tjerëve, këtu jeni bashkëqytetar, uroj të jetë një komunitet harmonik", tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
'Buzëqesh kur këta qahen për çmimet', Rama batuta me emigrantin: S’e dinë këta që ju e keni më të vështirë të nxirrni fundin e muajit

 

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Manzë të Durrësit, ku ka dorëzuar çelësat e apartamenteve të reja për 230 familje në Durrës që humbën banesat në tërmetin e 26 nëntorit 2019. Në mesin e qytetarëve që përfituan banesë të re ishte edhe një emigrant që jetonte në Itali, të cilin Rama e pyeti për jetesën në Itali. Pasi ai deklaroi se çmimet atje ishin rritur shumë, mes një situate që ka ndikuar të gjithë botën, Ramës i tha se shumë shqiptarë nuk e dinë se emigrantët në Itali e kanë më të vështirë të nxjerrin fundin e muajit në krahasim me ne.

Pjesë nga biseda:

Rama: Si shkojnë punët në Itali?

Emigranti: Mirë shkojnë, jetojmë

Rama: Me çmimet?

Emigranti: Çmimet, qahen këta të Shqipërisë, por çmimet janë edhe atje, nafta…buzëqesh kur qahen këta, se nuk është vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Rama: Disa këtu nuk e dinë që për ta kapur fundin e muajit e keni më të vështirë ju andej. Atje të nxjerrin nga shtëpia.

Ora 12:44
Shtëpitë e rindërtuara në Manzë të Durrësit, Rama batuta me familjarët pasi i ofrojnë karamele: Jam i ëmbël vetë, jepi Ahmetajt dy se ky është i hidhur

Familjeve që humbën shtëpitë e tyre si pasojë e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 në Manzë të Durrësit, iu dorëzuan sot çelësat e apartamenteve të reja. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili nuk harroi edhe të bënte batutat me familjarët.

Teksa iu ofrua karamele në shenjë mirëseardhje në shtëpinë e një çifti të moshuarish, Rama tha se nuk do sepse është 'i ëmbël vetë', duke kërkuar t'i jepeshin dy karamele ministrit Arben Ahmetaj pasi 'ai është i hidhur'.

"Jam shumë i ëmbël vetë, jepja këtij dy (Ahmetajt), se ky është i hidhur", tha Rama.