Mjeku Lekë Hysenaj shpjegoi se mungesa kryesore dhe më shqetësuesja është ajo e një autoambulance, çka i detyron banorët që për rastet urgjente të marrin taksi për të shkuar në spitalet e Tiranës. Shqetësues është mungesa e laboratorit mjekësor që ishte funksional, por që pas mbylljes u zëvendësua me një laborator privat. Po në të njëjtën mënyrë është mbyllur pa ndonjë arsye të qartë edhe funksioni i qendrës si maternitet, shpjeguan mjekët.
“Deri në vitin 2006 e kemi pasur, ka qenë një ndër qendrat shëndetësore më të mira. Qendra ka qenë e mirëpajisur me të gjithë elementët e ndihmës së shpejtë përfshi dhe transportin. Prej rreth 40 vjetësh kemi patur laborator. Prej 2008 me një urdhër, që unë mendoj absurd, laboratori u hoq. Pas 6 muajsh u zëvendësua pastaj me një laborator privat. Ndroqi ka pasur një traditë prej 60 vjetësh maternitet, po në vitin 2008 materniteti është hequr”, tregon Hysenaj.
Por edhe banorët që ndodheshin në qendrën shëndetësore i kanë treguar Ramës se shkurtimet e bëra që nga viti 2006 kanë qenë të pajustifikuara dhe u kanë shkaktuar mjaft probleme atyre. Tani u duhet të paguajnë për të shkuar e për të marrë shërbimin në spitalet e Tiranës.
Nga ana e tij kreu i Partisë Socialiste ka theksuar vendosmërinë për të ndryshuar në mënyrën më të thellë realitetin në sektorin e shëndetësisë. Rama, duke marrë si shembull degradimin e Qendrës Shëndetësore të Ndroqit ka nënvizuar faktin se megjithëse fondet që jepen për shëndetësinë janë po ato që kanë qenë, numri i shërbimeve dhe cilësia e tyre është ulur, për shkak të abuzivizmit dhe korrupsionit me paratë e taksapaguesve: “Kishit laborator, kishit ambulanca, kishit maternitet, kishit shërbim 24 orë. Pse u rrënuan këto? Se nuk është se u ulën paratë, paratë të paktën nga kjo pikëpamje janë po ato. Nuk janë rritur, por janë po ato. Por, sepse u kanalizuan për korrupsion dhe për grabitje.”
Rama tha se duhet të ndryshojë skema e shërbimit shëndetësor tërësisht dhe ky shërbim do të blihet nga shteti: “Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Ajo që ndodh sot është që në 100 lekë shpenzime për shëndetësinë në një vit, vetëm 7 lekë përballohen nga kontributet e njerëzve. 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe gjithë pjesa tjetër nga xhepi i njerëzve të papunë. Kjo është e tmerrshme! Pra, 60 % e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri përballohen nga xhepi, nga borxhet, nga shitjet e pasurive, nga sakrificat e familjeve që nuk sigurohen dot se janë të papuna. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë.”
ASHR: SHERBIMI SHENDETESOR PARESOR, MODEL
Kundër kryesocialistit Edi Rama është shprehur edhe Autoriteti Shëndetësor Rajonal që përmes një deklarate për shtyp e ka cilësuar si një model në Qarkun e Tiranës Shërbimin Shëndetësor Parësor, duke hedhur poshtë akuzat për degradim. Në vijim reagimi i plotë i ASHR:
“Shërbimi Shëndetësor Parësor është nga shërbimet më model në qarkun e Tiranës. Autoritetit Shëndetësor Rajonal është kujdesur, që në to jo vetëm të ofrohen shërbimet e nevojshme kundrejt pacientëve, por dhe të mos ju mungojnë aparturat e nevojshme, mediakmentete dhe stafi I kulifikuar. Ky shërbim përdorët nga një numër I madh I popullatatës, të cilët ndër vite janë shtuar, pasi kanë gjetur shërbim rigoroz dhe pa mungesa në të gjitha drejtime.
Kreut të PS, Edi Rama, në lidhje më një nga qëndrat shëndetësore, atë të Komunës të Ndroqit, po I themi, që kjo qëndër është nga më të investuarat. Kjo do të thotë që jo vetëm nuk ka degraduar, por në të marrin shërbime me mijra banorë të zonës. Mjekët i shërbejnë dhe banorit më periferikë të fshatit më të largët të kësaj komune. Ndërsa cdo paisje e nevojshme teknologjike apo dhe mjekuese nuk ka munguar. Komuna ka mbi 9 mijë banorë dhe të gjithë janë të pajisur me kartela personale. Kjo vërtetohet me faktin se dhe shumica e tyre rezultojnë të siguruar dhe marrin në këtë qëndër shërbimin e duhur.”
(im/shqiptarja.com)