Rama në New York: Një ministër i
Nanos më ‘vidhte’ pikturat

Rama në New York: Një ministër i<br />Nanos më ‘vidhte’ pikturat
TIRANEKryeministri Edi Rama çeli një ekspozitë me piktura në New York, por pas këtij eventi u zbulua historia e një politikani koleksionist ithtar i artit të tij. Një ministër i qeverisë ‘Nano’ ia ‘vidhte’ pikturat ministrit të Kulturës së aso kohe, Edi Rama dhe kjo zbulohet nga ky i fundit pas gati më shumë se një dekadë. 

Nga galeria, 'Marian Goodman' në New York, Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer disa kujtime nga e kaluara e tij. Kreu i qeverisë tregoi mes shumë rrëfimesh dhe eksperiencën si ministër Kulture në mbledhjet e qeverisë 'Nano' dhe sesi një ministër kabineti kishte ‘vjedhur’ veprat e tij të artit të çastit.

Rama nuk ia përmendi emrin por e përshkroi kështu ministrin shqiptar nga koha e qeverisjes së Fatos Nanos:

“Në Këshillin e Ministrave ishte nje torturë. Nuk i ndiqja dot, nuk kuptoja dhe pikturoja gjatë të gjithë kohës mbi shkresa. Kisha ministrin e Arsimit ne krah qe gjithmonë ne fund me pyeste: “Mund ta marr këtë?” Po i thoja, merre. Një dite shkoj ne zyrën e tij, ndërkohe qe akuzohej për korrupsion, dhe me tregon këtë koleksion. U ndjeva sikur kishte vjedhur artin tim. U ktheva ne zyrën time dhe i them asistentes: “Ky duhet te jete hajdut, njerëzit me siguri kanë arsye që e akuzojnë, se ai ka vjedhur artin tim. Mund ta marr, mund ta marr… i kishte marre te gjitha”.

Reagimi i ministrit te Nanos: I kam marre Rames rreth 70 piktura te bera ne mbledhjen e qeverise
Por nuk ka qenë sekret ‘vjedhja’ e artit të Ramës nga ministri. Ai u identifikua vetë. Bëhet fjalë për Ethem Rukën, ministër Arsimi në qeverisjen ‘Nano’. Me një status të tij ne rrjetin social, Facebook, Ruka pohon se i ka marrë Edi Ramës vizatimet që ai krijonte në çast. Ish-ministri i Arsimit në kohën e Nanos thotë se ka përjetuar dy ndjesi nga intervista e Ramës, por pohon se i ka 'vjedhur' 70 piktura, vizatime të këtij të fundit gjatë mbledhjeve të qeverisë. Ruka rrefen se, nëse këto punime nuk do të ishin ruajtur, do të ishin zhdukur, pasi vetë Rama sapo i mbaronte i hidhte në koshin e plehrave.

Une "hajduti" i pikturave te Rames-Nga Ethem Ruka

Lexova me vemendje intervisten e Zotit Rama lidhur me ekspoziten e fundit te pikturave ne SHBA dhe u ndjeva u ndjeva mire dhe keq. Ndoshta humori i Rames ne kete interviste nuk eshte kuptuar mire. Eshte e vertet se une i kam marre Rames rreth 70 piktura te bera ne mbledhjen e qeverise. Vura re se mbasi mbaronte nje vizatim e hidhte ne kosh. Me vinte me te vertet keq dhe i kerkova te mi falte duke i firmosur dhe shkruar Pr. Rukes. Sigurisht dhe daten. Pak e nga pak koleksioni u shtua.
Kur Z Rama u zgjodh kryetar bashkie ne Tirane u akuzua per shperdorime ndaj dhe me nismen e PD u ngrit nje komision hetimor. Ne ate kohe une shkrova nje artikull ne mbrojte te Rames me titull "Rama, ky Hausman i vogel" ku beja nje paralele mes prefektit te Parizit ne vitet 1850 qe rindertoi Parizin e sotem dhe Rames si kryetar bashkie qe transformoi Tiranen. Fola ne telefon me Ramen per shkrimin dhe ai me ftoi ne Bashki per nje kafe. Kur mbrita aty i thash Rames: "Ato qe thone ata te PD per ty s'jane gje. Korrupsioni yt eshte ne keto dy dosje dhe i hodha ne tavoline dy dosjet ku ishin sistemuar pikturat e tij". Ne fillim ai u trondit, por sa hapi dosjet u habit me koleksionin e pikturave qe vet mi kishte falur. Aty kuptoi se puna e tij kish vlere. Me falenderoi dhe u ndame miqesisht. Qe nga ai cast ai filloi ti mblidhte vet pikturat qe bente. E bera kete shpjegim per ti freskuar kujtesen Rames per te verteten e "hajduterise sime" per pikturat e tij. Gjithcka tjeter nuk eshte aspak e vertet. Gjeja qe falet, falet. Ne komentet e bera nga shtypi dhe rrjetet sociale per kete ceshtje u ndjeva keq. Nese une nuk do kisha mbledhur ca nga pikturat e para te Rames ndoshta ato do kishin perfunduar ne koshin e kryeministrise dhe zor se Rames do ti kishte vajtur mendja te ruante punen e vet dhe te hapte sot ekspozita. Edhe une kam ndermend te hap nje ekspozite me to ose te pergatis nje botim...


Reagimi i ministrit ne muajin Korrik
Ethem Ruka tregon se ia kishte koleksionuar këto ‘vepra arti’ Ramës dhe risjell dhe një prej tyre me një status të publikuar në Facebook në muajin Korrik.

“Ky është vetëm nje nga krijimet e Edi Rames si pjese e koleksioni tim te grumbulluar me shume se 15 vite me pare. Se si ka ndodhur kjo e ka shpjeguar vetë Rama ne nje nga intervistat e tij te fundit", shkruan Ruka.
gjeli
Ruka sjell pjesë nga intervista e Ramës duke publikuar foton e mesiperme.
 "Po ju tregoj nje sekret te vogel qe tregon se si filloi mbledhja e tyre.S 'e kam treguar ndonjehere, por per te filluar koleksinin eshte bere sebep Ethem Ruka! Po, miku im Ethemi, minister i atehershem i Arsimit qe e kisha ngjitur ne qevere dhe qe ne fund te mbledhjes se perjavshme me merrte vizatimet e dites. Nje dite i shkova ne zyre ne Ministrine e Arsimit, nuk mbaj mend per cfare, dhe pasi mbaruam biseden, me thote me buzeqeshjen e dikujt qe po te ben nje surprize: "Tani dua te te tregoj nje koleksion te rralle!", dhe nxjerr nje dosje ku kishte ormisur per merak te gjitha vizatimet e mia. Deri atehere me ndodhte shpesh ti beja shuk e ti hidhja ne kosh, kur ikja nga zyra. Ishin te gjitha me stilolaps te zi apo blu si te qellonte, ndonjehere me stilolaps te kuq. Per here te pare i pash si vepra arti. Dhe kur kthehem ne zyre, i merzitur qe Ethemi me kishte "grabitur" sy per sy gjithe ato vepra i them asistentes: "Mi ruaj ato qe zhgarravis gjate dotes!". "Kam ruajtur disa per qejfin tim" me thote. "Urgjentne dosje" - i them- "Ethemit s'kam ci bej, po te tuat do ti marr mbrapsht", është shprehur Rama sipas Rukës.


Saksofoni
“Na e trego pak historinë e saksofonit”, i tha organizatori i ekspozitës, Edi Ramës, që ishte përgatitur për një rrëfim të sinqertë në Galerinë Marian Goodman në New York.

“Ishim ne liceun artistik dhe një shoku ynë flautist erdhi dhe na tha: “Doni të shikoni një saksofon?” Ishte sikur të thoje: “Do të shkosh ne bordello?” Kur je adoleshent dhe ke vetëm imagjinatë. I thashë: “Sigurisht që dua të shikoj një saksofon”. Shkuam në shtëpinë e tij, ishte një eksperience shume emocionuese, shume erotike. Zemrat tona rrihnin fort. Një prej nesh bënte roje, ndërsa shkuam te rrobat e gjyshes se vdekur… hiq rrobë pas rrobe… ishte zhveshja me e gjatë në jetën time… dhe me pas shfaqet ky trup i pabesueshëm dhe i bukur dhe ta prekje ishte e pabesueshme pasi ishte e ndaluar”, tha Rama.

"Coca cola"
Historia e radhës e Rames ne New York ishte për kanaçet me Coca-Cola nga Kosova.

“Kur im atë shkoi njëherë në Kosove për të dhënë mësim, solli 5 kanaçe “Coca Cola” që I ruajtëm ne frigorifer. Ne ishim 5 pjesëtarë në familje dhe kanaçet nxirreshin një e nga një për secilën prej ditëlindjeve tona. Qëndronte aty ne mes te tavolinës si diçka e pabesueshme dhe ne shijonim “Coca Colën” ngadalë e ngadalë”.

Martesa e gjyshes me gjyshin
Rama sakaq rrëfeu si u njohën dhe si u martuan gjyshi dhe gjyshja e tij, dhe si e pagëzuan nipin e tyre katolik dhe ortodoks njëherazi.

“Gjyshja ime ishte katolike dhe shumë besimtare. Gjyshi im ishte ortodoks por i pafe. Besonte vetëm te femrat dhe te makinat. Është histori e gjatë si u martuan. Por e bindi se kishte një makinë shumë të bukur dhe një gramafon. Babai i tij e nisi në Itali për t’u bërë intelektual, por ai mori të gjitha paratë në bankë dhe bleu një makinë. Dhe kur erdhi në Shqipëri u bë shoferi i kryetarit të Bashkisë se kishte një makinë më të mirë se e kryetarit të Bashkisë. Kur kryetari i Bashkisë shkoi tek mbreti, mbreti pa makinën dhe i tha: Sa bën? Ai i tha: Është e shoferit! Atëherë sill shoferin.

Dhe kështu u bë shoferi i mbretit. Dhe takoi gjyshen time që ishte katolike. Por familja e saj nuk do ta lejonte kurrë se ai ishte ortodoks, ndaj bënë një “rrëmbim konsensual”. E mori në makinë nga Shkodra në Durrës. Kur po parkonin ajo tha: Ku jemi këtu? Ai: Në shtëpinë time! Jo, i tha ajo. Në hotel. Duhet të martohemi. Jam katolike.

Atëherë shkuan në hotel dhe më pas në kishë. Në kishë i thanë: Jo nuk mund të martohesh me të. Ai është ortodoks. Ndaj ajo i shkruajti Papës: “Ati im i shenjtë. Jam në hall. Më lejo të martohem me këtë burrë. Ai është ortodoks, por ai nuk beson në asgjë. Të lutem më lejo të martohem dhe betohem se të gjithë fëmijët e mi do jenë katolikë” Dhe gjyshi thoshte “Bëj ç’të duash. Nuk më intereson se çfarë feje do të kenë fëmijët”. Kjo tregon shumë për ne.

Ndaj dhe babai im, xhaxhai im ishin të gjithë katolikë. Por kur linda unë, ai (gjyshi) më çon në një kishë ortodokse dhe më ka pagëzuar. Kur u kthye i tha gjyshes: Ti abuzove me dashurinë time. M’i bëre të gjithë fëmijët katolikë, por unë mora hak. E pagëzova këtë ortodoks!

Por ajo i tha: Më vjen shumë keq për ty, që nuk e paske kuptuar. Ne vërtet jemi minoritet, por jemi më të organizuar. Unë këtë e kam pagëzuar katolik, kur t’i flije gjumë.

Dhe mua Papa më ka thënë: Ti je katolik. Pjesa tjetër është ujë. Kur erdhi në Tiranë, unë e pyeta për djalin tim. Unë jam katolik, gruaja ime, Linda është muslimane. Po ai? Dhe Papa më tha: Edi unë e zgjidha dilemën tënde, atë lëre ta zgjedhë vetë.”

(d.b/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh