Rama në Paskuqan: Legalizimet
falas, jepen tapitë e banesave

Rama në Paskuqan: Legalizimet<br />falas, jepen tapitë e banesave
TIRANË - Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në Paskuqan se, legalizimet do të bëhen falas. Duke folur në një takim me banorët e kësaj zone që ende nuk kanë legalizuar banesat e tyre, kryeministri tha se, “në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë proçesin ta bëjmë falas”.
 
Kryeministri ka shpërndarë edhe tapitë e para për zonën e Paskuqanit si dhe të zonave të tjera në Tiranë. Ligji i legalizimeve i ndryshuar do të miratohet brenda muajit prill 2014. Ja si do të legalizohen dhe banesat që janë ndërtuar në tokat që janë me pronarë.

“Ndryshimet do të na bëjnë ti qëndrojmë zotimit që kemi dhënë për legalizimin. Ne kemi pasur një plan shumë të qartë për legalizimet dhe dua ta kujtoj, ne kemi qënë të parët në Shqipëri që kemi bërë plan për legalizimet”, tha në fillim të fjalës së tij kryeministri.

Por sipas tij, “plani pësoi një ndryshim të rëndësishëm në fund të fushatës, ku duke dëgjuar qytetarët u përballëm me faktin se familje të panumërta kishin përgatitur letra deri edhe 3 herë”.

“Shtëpitë do të kthehen në kapital të qarkullueshëm. Në 8 vjet 160 mijë familje nuk kishin marrë përgjigje. Ne morëm vendimin që gjithë proçesin ta bëjmë falas. Vec faturës së shtetit u është dashur të paguani edhe atë të pushtetit”, theksoi kryeministri Edi Rama.
 
“Në dy vjet janë hapur shumë gjyqe prej legalizimeve kuturru. Nëse ne do të bëjmë legalizimin falas, do të marrim lekët nga ata që kanë dhënë”, nënvizoi në fjalën e tij kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama shtoi më tej se proçesi i legalizimeve do të ketë edhe disa ndryshime që do ta bëjnë më të lehtë për qytetarin.

"Legalizimi bëhet si një borxh ndaj gjakut dhe sakrificave ndaj atyre që janë pronarë të një shtëpie ku kanë hedhur të gjithë djersën. Paketa jonë është shumë e plotë. Gjëja e parë që ndryshon është skema e veprimit e cila kthehet në të kundërt. Tashmë nuk shkon qytetari tek shërbimi por shërbimi që vjen tek familja. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë apo shtetërorë do të ndryshojë se nuk mund të ketë të njëjtën vlerë toka." ka vijuar më tej kryeministri Rama ndërsa shtoi:

edi rama me logo
(Në foto: Kryeministri Rama gjatë takimit me banorët e Paskuqanit)

JA KUSHTET QE DUHEN PLOTESUAR PER MARRJEN E HIPOTEKES

Krymenistri Rama shpjegoi në fjalën e tij edhe kushtet që duhen plotësuar për marrjen e hipotekës.

"E para që ndryshon është që skema e veprimit kthehet në të kundërt. Pra nuk është qytetari, nuk është familjari që shkon tek shërbimi, por është shërbimi që vjen tek familja. E dyta, skema  e vlerësimit të trojeve. Dhe këtu, tek trojet, do të flas më pas se ka tre kategori të ndryshme. Skema e vlerësimit të trojeve, përsa i përket atyre trojeve që janë me pronarë dhe për sa i përket atyre trojeve që janë shtetërore do të ndryshojë, sepse nuk mund të ketë të njëjtën vlere toka si në Tiranë edhe në Kukës. Nuk mund t’i kërkosh një familjeje që ka ndërtuar shtëpi në Kukës, të paguajë tokën sikur të jetë në Tiranë." tha kryeministri në fjalën e tij, ndërsa shtoi:

"Nga ana tjetër, ne kemi ndryshuar rrënjësisht skemën e dokumentacionit. Kush do të bëjë dokumentacionin, që nuk e ka kryer sigurisht, se ata që e kanë kryer dhe që quhet dokumentacioni i plotë, siç janë këtu disa, do të marrin sot letrat dhe do ta mbyllin. Po jo letra si ato që kanë marrë disa dikur, për të dalë në televizor në fushatë, “Shaban-tapitë”, se me “Shaban-tapitë” mund të dilje në televizor, por në hipotekë nuk futeshe kurrë. Me letrat që do merrni ju sot dhe që do vazhdojnë të marrin përditë, përditë, përditë njerëzit në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, do të shkoni në hipotekë e do të bëheni pronarë të shtëpisë suaj, përfundimisht.Për të tjerët, skema do të jetë më e lehtë. Kush e ka bërë dokumentacionin thotë “aman më jep letrat, se s’po qaj më se çfarë kam hequr”. Kështu që hoqët çfarë hoqët, e hoqët se e mbajtët gjatë në kurriz atë që mbajtët edhe ajo është fatura. Këta të tjerët që po hyjnë tani në proces, që s’do ta kenë Qeverinë në kurriz, por do ta kenë Qeverinë në krah, do ta kenë më të lehtë. Ky është dhe ndryshimi që ka sjellë 23 qershori. Pa dashur të bëj politikë këtu, siç tha Lamja, sepse këtu ka shumë që nuk na ka dhënë votën, dhe nuk ka asnjë problem, ne do t’u japim tapinë. Edhe kjo është arrije tjetër, që votën s’e jep, tapinë e merr. Jo siç thoshin ata “më jep votën, që unë të vij ta masë shtëpinë”. Siç thoshte Shabani - “më jep votën, pastaj që të vij ta masë prapë”. Vinin vetëm e masnin për të marrë votën dhe merrnin votën e pastaj harronin metrin." u shpreh Rama.

Kryeministri në fjalën e tij shpjegoi se qeveria ka menduar një plan edhe për familjet të cilat jetojnë në zonat rurale për t'i ardhur në ndihmë në pajisjen me çertifikata pronësie.

"Një element tjetër. Ka shumë familje në zonat informale, se ne këtë proces e kemi të përqendruar tek zonat infomale, që të jemi të qartë, jo tek ata që kanë ndërtuar një shtëpi pa leje në qendër të Tiranës. Ai është një trajtim tjetër. Në zonat informate kanë shumë familje që janë në vështirësi ekonomike. Familje që jetojnë me ndihmë ekonomike apo familje që s’kanë mundësi të paguajnë. Edhe për këto familje do të ketë trajtim të posaçëm. Do t’jua shpjegoj më pas sesi do trajtohen në mënyrë të posaçme. Nuk do të trajtohen njësoj, sepse ne duam ta mbyllim këtë proces, nuk duam ta mbajmë zvarrë. Ne duam që kushdo që ka ndërtuar një shtëpi dhe shtëpia legalizohet, sepse nuk është e ndërtuar kuturu, diku që zë rrugën, por është diku në një lagje infomale, në një zonë informale dhe është e legalizueshme, ne duam që të mbyllim procesin dhe të japim në dorë letrat. Sesi do të ndodhë kjo për kategori të ndryshme, pak do t’a shpjegoj unë sot, por ju do ta lexoni dhe do ta kuptoni shumë qartë tek ndryshimet e reja. Sepse siç jua thashë, siç e dini ju dhe e di dhe unë, ata që janë marrë me këtë proces, dhe në çdo familje dikush është marrë me këtë proces, janë juristët më të mirë të legalizimeve në Shqipëri. Kështu që e kuptoni vetë nga ligji." tha kryeministri Rama në fjalën e tij.

RAMA: KEMI PLAN EDHE PER ATA QE NUK PAGUAJNE DOT

Më tej kryeministri sqaroi se qeveria ka menduar edhe për ata që deklarojnë se nuk kanë mundësi të paguajnë dot tokën sot. 

“Nëse qytetari deklaron se nuk paguan dot, se nuk ka mundësi, objekti do të legalizohet, do regjistrohet në hipotekë, por me kufizim hipotekor, domethënë që ti ke një detyrim që e kufizon pronën tënde. Ti mund ta shesësh por kufizimi hipotekor i kalon atij që e blen. Nëse nuk paguan dot menjëherë, do që ta fusësh me kufizim hipotekor, nuk do të përfitosh nga 20% i uljes që paguan kur paguan menjëherë, plus letrat me vlerë. Nëse edhe pas një viti nuk e ke paguar sërish, nuk do përfitosh më as nga letrat me vlerë. Përsëri e theksoj shtëpia është e jotja, në këto kushte lirisht, shitet blihet jepet me qira, çohet dhe në bankë merret dhe kredi, por kufizimi nuk është pozitiv në afatgjatë.”- u shpreh kryeministri. 

RAMA:PAGESA ENERGJISE, E LIDHUR ME HIPOTEKAT

Ndërkohë shefi i qeverisë informoi qytetarët se procesi i legalizimeve nuk do të kufizohet me detyrimet e papaguara ndaj kompanive të energjisë elektrike. 

“Ne do të vendosim për çdo tapi një barrë hipotekore 10%, por jo se do paguani tani. Nëse ju do paguani 400 mijë lekë për legalizimin kur toka nuk është e jotja, atëherë do t’ju marrim 360 mijë lekë dhe 40 mijë lekëshin do ta lemë barrë hipotekore, që ju do ta hiqni pas dy vjetësh kur të tregoni faturat e energjisë. Në shumën e legalizimit do t’ju marrim 40 mijë lekë më pak, do t’jua lemë të paguani energjinë elektrike dhe t’jua lemë barrë atje. E rëndësishme është të paguani të gjithë energjinë, dhe të futeni në sistem.”- u shpreh Rama. 

Më tej kryeministri shtoi: “Secili nga ju duhet të marrë barrë shoqërinë. Gjithësecili nga ne duhet të trashëgojë një Shqipëri me kontributet që i takon. Prandaj votimi i ligjit të legalizimeve do të ndodhë brenda muajit prill,” përfundoi në fjalën e tij kryeministri Rama. 

PYETJE NGA QYTETARET 

Kryeministri më pas iu përgjigj edhe pyetjeve të qytetarëve në lidhje me shqetësimet e tyre. 

Zoti kryeministër ka njerëz që jetojnë me asistencë sociale, ka mundësi shteti të ndërhyjë për tu dhënë kredi me kushte të lehta për të paguar për legalizimin? 

Edi Rama: "E gjithë skema që ju shpjegova është kredi në njëfarë mënyre, kredi pa interes, sepse shteti të jep kohë. Familjet në ndihmë ekonomike do të paguajnë gjysmë për gjysme. Ata që thonë gjysmë për gjysmë nuk i kam, përsëri do t’ja legalizojmë shtëpinë dhe hipotekën do ta kenë me kufizim."

Për çështjen e energjisë elektrike, problem janë linjat përtokë, rrezik për fëmijët, kalimtarët. Nuk ka ardhur kush për të parë sahatet...

Edi Rama: Jam plotësisht i vetëdijshëm për gjendjen e infrastrukturës së energjisë elektrike. Por nuk mundet dot të më thotë kush se ajo gjendje të përmirësohet vetë. Për ta përmirësuar duhen para dhe investimet duhet t’i bëjë pikërisht ato struktura ndaj të cilave kemi një borxh kolosal, që janë në rrezik, është një luftë për jetë a vdekje për vendin tonë në kushtet kur jemi i njëjti vend në Europë që kemi këtë problem që është një turp, që nuk paguajmë. Dhe jemi vendi që kush nuk paguan harxhon më shumë, le ndezur ditë natë. Sot qeveria ka kaluar në një tjetër masë, që është kush vjedh energjinë ka burg dhe gjobë. Nuk ka rrugë tjetër. 

KRYEMINISTRI SHPERNDAN CERTIFIKATAT E PARA

Në përfundim të takimit me qytetarët, kryeministri shpërndau edhe çertifikatat e para të pronësisë për banorët e Paskuqanit ndërsa deklaroi se shumë prej këtyre i kanë plotësuar dosjet e dokumentacionit që në vitin 2006.
 
Ndërkaq kryeministri ndau edhe disa batuta me banorët gjatë shpërndarjes së çertifikatave të para. 
 
“Të gjithë dosjet e sotme janë praktika të vjetra, janë nga zona e Paskuqanit. Ka një arsye se pse ky është proçesi i duhur. Të gjithë ata njerëz që presin të marrin tapinë e kanë bërë pagesën e truallit që nuk është e tyre. Pjesa e mbetur duhet të bëjë të njëjtën gjë. Unë të jap të drejtën që nëse ky proçes nuk bëhet siç ju kemi premtuar ke të drejtën me këtë identifikim të ‘ALUIZNIT’ që më dha Artan Lame, të dilni dhe të thoni një mijë të zezat për këtë qeveri.” u shpreh Rama pas dorëzimit të çertifikatës së parë të pronësisë.


Redaksia online
(ec/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, Dash Sula për Report Tv: Pati impakt edhe fitorja e Trump! Pa të, PD do ishte varrosur

Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak, Dash Sula për Report Tv: Pati impakt edhe fitorja e Trump! Pa të, PD do ishte varrosur