Rama në Prishtinë: Bashkim
doganor me Kosovën

Rama në Prishtinë: Bashkim<br />doganor me Kosovën
PRISHTINE-Nga Prishtina, kryetari i PS-së foli për një të ardhme të përbashkët integruese mes Shqipërisë e Kosovës në shumë drejtime pas 100 vjetësh të shtetit shqiptar. Në ekspozitën me titull “Flamuj shqiptarë një itinerar historik nga 1912- 2012” e cila u hap dje në Prishtinë kryesocialisti Rama foli për një sistem të përbashkët arsimor, energjetik, turistik por dhe për një bashkim doganor mes dy vendeve.

“100 vjetorin ne duhet ta shfrytëzojmë si një moment reflektimi në funksion të një amaneti dhe si një moment kur na takon që për të mirën e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit ne të bashkojmë forcat. Të krijojmë një hapësirë ku idetë të qarkullojnë e të biem dakord për qëllime të përbashkëta në mënyrë që 1912 të jetë pasqyra ku ne shohim të ardhmen tonë të përbashkët dhe jo thjesht dita të cilës ne i referohemi vetëm për të mbuluar çka nuk ju ofrojmë dot në të përditshmen shqiptarëve këtej dhe andej kufirit.”- tha Rama.

SISTEMI ARSIMOR I PËRBASHKËT

Zoti Edi Rama foli për një unifikim të sistemit arsimor, një sistem i përbashkët dhe i integruar. “Kjo në mënyrë që ata që lindën vetëm nën një flamur në Shqipëri në flamurin e lirisë pas rënies së diktaturës apo ata të cilët tanimë kanë hyrë në moshën e adoleshencës në Kosovë kanë lindur po ashtu nën një flamur lirie dhe jo nën flamurin e një fqinji që ishte imponuar si zot shtëpie, të mund të së bashku të ndërtojnë pikat e referimit në të ardhmen duke pasur të njëjtën qasje jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj gjithçkaje sot shkolla duhet t’u mësojë fëmijëve shqiptarë këtej dhe andej kufirit, për të qenë qytetarët e denjë të Bashkimit të nesërm Europian e jo qytetarë të dorës së dytë, e aq më keq akoma pastaj çirak me dije gjysmake.”


QASJE TE PERBASHKET PER SIGURINE ENERGJETIKE DHE ADMINISTRIMIN E REZERVAVE TE NAFTES

“Besoj se është koha të mendojmë seriozisht për të ndërtuar një perspektivë të përbashkët për sigurinë energjetike të shqiptarëve në të dy anët e kufirit duke e konceptuar një sistem sa më të integruar, që të jetë për të mirën e të dy vendeve. Por, që mbi të gjitha të jetë një bazë solide për të ardhmen e të njëjtit popull. Mendoj, se nuk e teproj në qoftë se them që dhe në administrim e rezervave të naftës ne duhet të kemi një qasje të përbashkët dhe të integruar.”- nënvizoi Rama

OFERTE TURISTIKE TË PËRBASHKËT

“Duke ndjekur itinerarin e flamurit dhe duke pasur fatin që të kem pranë një mik dhe një njeri të dhënë ndaj objekteve të historisë, si Artan Lame, kam mundur të shoh nga afër se shqiptarët në kohë shumë më të largëta dhe në kohë shumë më të vështira e kanë pasur një ofertë turistike të përbashkët që shtrihej shumë gjerë dhe nuk mbetej vetëm në kufijtë e Shqipërisë zyrtare. E pra, një ofertë e integruar turistike që i fton të huajt ta vizitojnë këtë pjesë të Ballkanit duke ecur nëpër territoret shqiptare pavarësisht ku është kufiri, është padyshim një projekt të cilit duhet t’i japim vëmendjen e duhur pa humbur akoma aq kohë sa kemi humbur deri tash.”

BASHKIM DOGANOR

“Sigurisht që është bërë diçka për integrimin në infrastrukturë, por jemi ende larg. Ndërkohë, që asgjë nuk na pengon, madje as vetë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit nuk na pengon që ne të kemi një bashkim doganor mes dy vendeve tona. Ashtu sikundër të kemi një këndvështrim të përbashkët për perspektivën e hapësirës rurale në të dyja vendet”- tha Rama

EKSPOZITA
Eventi dy ditor që çeli dyert dje në kryeqytetin e Kosovës është organizuar nga Partia Socialiste në bashkëpunim me qeverinë Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës në kuadër të 100 vjetorit të shtetit shqiptar. Dy kuratorë të kësaj ekspozite janë Artan Lame dhe Artan Shkreli. Janë rreth 30 flamuj të ndryshëm nga 1912 deri në ditët tona. Janë rreth 50 fotografi, 20 prej të cilave publikohen për herë të parë të të gjithë epokave. Prej tyre janë 10 që paraqiten për herë të parë me ngjyra sepse janë fotografi të vjetra dhe nëpërmjet programi kompjuterik janë sjellë me ngjyra. Ekspozita do të çelet dhe në Gjakovë për të mbërritur në Vlorë më 28 Nëntor.
 
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë