Rama në Serbi, Dade: Kapitull i ri
Bumçi: Historike vetëm nga koha

Rama në Serbi, Dade: Kapitull i ri<br />Bumçi: Historike vetëm nga koha
TIRANE - Dy ditë nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi, historike pas asaj të ish-diktatorit Enver Hoxha 68 vjet më parë, një konferencë e posaçme për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje dhe të ardhmen e tyre evropiane është mbajtur në Tiranë.
 
E pranishme në panelin e konferencës  “Procesi i Integrimit në BE dhe e Ardhmja e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe” , deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade tha se marrëdhëniet mes dy shteteve tashmë shënojnë një kapitull të ri i cili duhet të konkretizohet edhe me marrëveshje të tjera, vec atyre të firmosura në Beograd.
 
Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi ka shprehur rezerva për vizitën e kryeministri Rama në Beogradint zyrtar, duke argumentuar me pritjen nga pala serb, që sipas tij tregoi mungesë vullneti. Ai tha se vizita mbetet historike, por vetëm për faktin se u realizua për 68 vitesh.
 
Dade: Kapitull i ri marrëdhëniesh, Serbi-Shqipëri t’i përmbahen marrëveshjeve
“Shqipëria dhe Serbia janë dy vende që kanë rolin e tyre të padiskutueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe kjo vizitë do i shërbejë konsolidimit të marrëdhënieve sidomos pas vizitës së kryeministrit Rama dhe firmosjes së marrëveshjeve me Serbinë. Palët t’i përmbahen marrëveshjeve dhe të lënë pas historinë që mos bëhet pengesë për të ardhmen, këto janë sfida të përbashkëta. Ne e mendojmë të ardhmen e përbashkët, të dyja qeveritë janë shprehur për aspiratat e popujve përkatëse për tu anëtarësuar në BE. Do dëshironim që edhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësoheshin edhe në NATO. Shqipëria ka luajtur rol të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal dhe ka treguar vullnet të pa lëkundur për të konsoliduar këtë bashkëpunim. Kemi dekurajuar çdo shfaqje të nacionalizmit ekstrem. Qëllimi i aksionit të BE në Ballkanin Perëndimor për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin është për të shtruar rrugën drejt BE”- u shpreh Dade. 

dade

Bumçi: Mbështetje Kosovës për njohjen, por Shqipëria s’ka vend në marrëdheniet e saj me Serbinë

Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi tha se qëndrimi i Shqipërisë për Kosovën dhe njohjen e saj nga Serbia, i shprehur nga kryeministri Rama në Beograd, është vetëm në formën e mbështetjes dhe nuk përcakton marrëdhëniet mes dy vendeve.
 
 “Rajoni është transformuar. Shqipëria nuk ka shumë vend në marrëdhënien Serbi- Kosovë. E para ka qenë një parim themelor që është respektuar dhe duhet të respektohet që Kosova flet në emër të vet. Kosova është vend i pavarur dhe Shqipëria nuk merr asnjë lloj kontributi ndërmjetësimi. Shqipëria vetëm mbështet Kosovën”- u shpreh Bumçi.
 
bumci

Më tej Bumçi shtoi: “ Një arsye e dytë është që Serbia dhe Kosova kanë arritur një normalizim historik në marrëveshjen e nënshkruar në prill. Arritën në këtë marrëveshje. Thaçi është një nga themeluesit e luftës. Por nuk kërkoi as tu kërkohej falje për vrasjet dhe përdhunimet dhe interesa nacionaliste, u ulën në një marrëveshje për çështje konkrete. Rajoni është i transformuar. Kemi një marrëveshje historike Serbi-Kosovë, duhet të ndërtojmë mbi ato që kemi ndërtuar deri më sot për të përfituar. Dhe shpresojmë që ajo që ka ndryshuar Ballkanin, kanë qenë kulaçi dhe kërbaçi, kushtësimi dhe përfitimi. Përfirimi për anëtarësim në NATO dhe BE dhe kushtëzim se duhet të bësh 1-2-3 gjëra që të bëhesh anëtar”, përfundoi Bumçi 

Bumçi: Vizita e Ramës historike vetëm për kohën, por Serbia e tregoi papërgjegjshmëri
"Në lidhje me vizitën e Ramës në Serbi eshtë shembulli se si nuk duhet t’i zhvillojmë marrëdhëniet. Pamë një Serbi që nuk kishte ndryshuar. Kjo vizitë pa një Serbi që tregoi shenja nacionalizmi, shenja papërgjegjshmërie. Tregoi që kryeministri shqiptar nuk duhet të shkonte ne Kosovë. Kishte mungesë vullneti nga pala serbe që e tregoi dhe në një vizitë të cunguar me incidente. Nuk e kuptuam a ishim atje për t’i shkëmbyer një fryme nacionaliste? Ky ishte kapitulli i ri që u hap? S’mendoj se kishte kapitull të ri në atë vizitë të tensionuar", tha Bumci.

Roli i konferences “Procesi i Integrimit në BE dhe e Ardhmja e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe”
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizon një Konferencë me temë “Procesi i Integrimit në BE dhe e Ardhmja e Marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe”
 
Fokusi i këtij eventi është diskutimi i marrëdhënieve Serbi-Shqipëri në kuadër të integrimit në BE dhe sidomos rolin e elitave politike e shoqërore në rritjen e përpjekjeve ndaj pritshmërive që rrjedhin nga axhenda e përbashkët evropiane, efektet e dinamikave të kohëve të fundit mbi këtë axhendë dhe rrugët nëpërmjet së cilave serbët dhe shqiptarët do të mund të përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre. IDM në bashkëpunim me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP) dhe Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS) organizojnë këtë konferencë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna

Vdiq në robërinë ruse gazetarja ukrainase, Victoria Roshchyna