Gjatë prezantimit të projekteve të zhvillimit i Fshatrave te Bregut, Rama tha se qeveria ka gati projektin për zhvillimin e bregut të jugut dhe se ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që duan të shijojnë bregdetin e jugut të Shqipërisë.
“Kjo është ditë historike për këtë zonë dhe ky është projekti më i madh i ri. Projekti financohet nga e para tek e fundit, pasi na është dashur me një mal të madh borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve, të cilat u kontraktuan nga qeveria e mëparshme në mënyrë abuzive për shkak se mungonin paratë. U lidhën kontrata në atë idenë ‘hajde se ti kam lekët’ dhe përveç borxheve të mëdha që akumuluan në këtë drejtim dhe sollën në fakt një situatë dramatike në 2013-ën, ku kompanitë nuk kishin fuqi të vazhdonin punën pasi bankat nuk kreditonin më kompanitë, ne gjetëm dhe pjesën tjetër të problemit që është vazhdimi i këtyre rrugëve të lëna rrugëve”, theksoi Rama.
Ndërsa specifikoi se “pjesa e parë e rrugës së Qeparoit do të fillojë punë në fillim të vjeshtës, sapo të kryhen procedurat për ndërtimin e rrugës". "Po kështu edhe pjesa e dytë do të fillojë brenda këtij viti. Është me rëndësi që të krijohet një korridor lidhës i Vlorës dhe bregdetin e Jonit, në mënyrë që të jetë lehtësisht e kalueshëm”, tha Rama.
Një tjetër projekt i rëndësishëm sipas Ramës është edhe investimi në portin e Vlorës, i cili do të jetë i ankorueshëm edhe për anijet e mëdha tregtare.
"Për herë të parë do të bëhet e mundur që në portin e Vlorës do të bëhet ankorimi i anijeve të mëdha tregtare. Rritja e kapacitetit është shumë e konsiderueshme. Po diskutojmë me një ekip inxhirierësh italianë, dhe po shohim mundësinë e një faze të tretë, për të rritur kapacitetin dhe kthyer portin e Vlorës në një port me potencial të madh për ankorimin e anijeve të mëdha turistike e tregtare dhe me një zonë të posaçme ku mund të ankorohen dhe jahtet", theksoi kryeministri.