GJIKA: E HAPIM SEZONIN TURISTIK ME PRANINE E KRYEMINISTRIT TE ARDHSHEM
Qytetari i parë i Vlorës Shpëtim Gjika në fjalën e tij të rastit u shpreh optimist se sezoni turistik 2013 do jetë më i pasur dhe frytëdhënës se asnjëherë tjetër.
“Sot çelim sezonin veror me një shpresë të re se muajt që vijnë do jenë ndryshe; vera e sivjetme s'do jetë vetëm periudha ku presim pushues, por i një ndryshimi të madh. Ne kemi ditur të presim dhe përcjellim ata që kanë zgjedhur bregdetin tonë për të pushuar, nga Kosova dhe vende të tjera të botës.
Kemi treguar se turizmi lind dhe zhvilohet së pari këtu në Vlorë, në vendin e vlerave kulturore, historike, bukurive natyrore. Jemi të bindur se sezoni turistik 2013 do jetë më i pasur dhe më frytëdhënës se asnjëherë. Prania e Kryeministrit të ardhshëm është dëshmi e një Rilindjeje, e cila do të nisë nga Vlora. Nuk mjaftohemi me ato çfarë kemi arritur, por duam të bëjmë më shumë. Mirë se erdhët dhe sezon të mbarë të gjithëve,” tha ai.
RAMA: DO TA KTHEJME VLOREN NE PIKE REFEREMINI JO VETEM PER HISTORINE, POR EDHE TURIZMIN
Vetë kreu i PS, Edi Rama, i cili kryeson dhe listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark, ka premtuar se ne 4 vitet e ardhshme do bëjë për Vlorën aq sa nuk është bërë për 20 vite me radhë.
“Për katër vitet e ardhshme do bëjmë atë që nuk është bërë për 20 vite me radhë. Kemi fatin që këtë sezon ta hapim në këtë pedonale të ndërtuar nga Bashkia e Vlorës, për këtë që është shumë pak për Vlorën, por është shumë për të kuptuar se çfarë transformimesh do të bëjmë në Vlorë.
Do ndërtojmë për Vlorën gjithçka që i duhet, që katër vjet më pas të kthehet jo vetëm në një pikë referimi për historinë, por që çdo turist do donte për të kaluar pushimet në Vlorë. Ne do të bëjmë me shpejtësi një plan zhvillimi për Vlorën, do rindërtojmë sheshin e Pavarësisë, gjithë rrugën lidhëse, do hapim kantierin e madh drejt pedonales.
Do ndërtojmë "bay-passin", duke hequr makinat nga bregdeti; ne do hyjmë në çdo lagje të Vlorës, do ndërtojmë për çdo lagje ato hapësira publike që Vlorës sot i mungojnë, pasi jo vetëm nga kjo qeveri por dhe ato të mëparshmet i janë mohuar investimet. Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Mesdheut, Europës.
Bashkë me Durrësin do bëhet shembulli i një zhvillimi. Do t'u japim fund ndërtimeve pa leje në gjithë bregdetin. Nga Vlora do nisim rrugën e një Rilindjeje shqiptare. Kanë klaluar 100 vjet që kur u ngrit flamuri i Pavarësisë, jemi të bindur se firmëtarët e Pavarësisë nuk do ishin të lumtur të shihnin Shqipërinë kaq mbrapa. Është koha për të ngritur në këmbë popullin tonë, vendin tonë, për ti dhënë Shqipërisë fuqinë e një zhvillimi, fuqinë për të shkuar drejt Europës dhe për të bërë realitet amanetin e etërve tanë” tha Rama.
"QEVERIA KA BERE ÇMOS TE BLLOKOJE PROJEKTET E VLORES DHE ZHVILLIMIN E SAJ"
Kryesocialisti ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë, e cila sipas tij jo vetëm i ka kthyer shpinën në 8 vite qeverisje por ka bërë dhe gjithçka për të bllokuar zhvillimin e këtij qyteti.
“Qeveria jo vetëm i ka kthyer shpinën Vlorës, por ka bërë dhe çmos të pengojë zhvillimin e saj, duke bllokuar dhe projektet e Bashkisë. Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë, por të gjithë e dinë se do kishte ndryshuar shumë më shumë nëse në Tiranë do kishte një qeveri që ta shikonte Vlorën me sytë e zemrës. Në Tiranë fatkeqësisht Vlora nuk e ka pasur një qeveri të tillë, e ka lënë të izoluar, pa një rrugë që ta lidhë me Tiranën, pjesën tjetër të Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe Kosova e sheh Vlorën si kryeqytetin shqiptar. Jemi këtu për të ftuar të gjithë ata që na ndjekin që të vizitojnë Vlorën” përfundoi ai.
WOLLFARTH: ESHTE MREKULLI TE JESH KETU SOT
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së, Wollfarth e ka quajtur një kënaqesi të veçantë, pjesëmarrjen në këtë ceremoni hapëse të sezonit turistik: “Më vijnë në mend festimet e mrekullueshme të 100- vjetorit të Pavarësisë. Ne keto festime me dukej se nuk kishte mbetur personalitet pa ardhur në Vlorë. Eshtë një mrekulli të jesh këtu, ju uroj gjithë të mirat”- tha Wollfarth.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)